E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: “Ekzekutorët e komunizmit jashtë jetës publike”

Autori i Lajmit: Redaksia

Demokratët shprehen të bindur se nuk do të lejojnë që ekzekutorët e kohës së komunizmit të vazhdojnë të jenë pjesë e jetës publike në vend. Për ta përforcuar edhe më shumë këtë ide ata kanë vizuar dje vendin ku u gjetën eshtrat e 19 personave në malin e Dajtit. Nga ky vend deputetët Mesila Soda, Genti Strazimiri dhe Eduard Halimi bënë thirrje për drejtësi. Strazimiri theksoi se gjithë kjo histori makabre ekzekutimesh ka nisur më 29 nëntor të vitit 1944, prandaj kjo datë duhet të jetë dita e përkujtimit të viktimave të komunizmit. Doda theksoi se PD do t’i shkojë deri në fund idesë së referendumit për të vënë në jetë ligjin e dosjeve. Tri ditë më parë, në malin e Dajtit u gjet një varr masiv me eshtrat e plot 19 personave. Pritet ekspertiza për të vërtetuar më tej për këto viktima.
Deklarata
“Ky shteg këtu mund të quhet sot Shtegu i Vdekjes. Mendoni që para shumë vitesh i sillnin këtu, i sillnin njerëzit të lidhur, duke i zvarritur dhe i ekzekutonin. I ekzekutonin pa vendime, i ekzekutonin si kafshë dhe hiqnin mënjanë atë pjesë më të madhe që është shpirti njerëzor”, - deklaroi Doda nga vendi ku u gjetën eshtrat e 19 të ekzekutuarve. Sipas saj, vizita në këtë vend është pikërisht për të rikujtuar krimet e komunizmit. Sipas saj, sot askush nuk mund të fshihet e të thotë që kështu ishin ligjet, kështu ishte koha. “Njerëzit që kanë dhënë vendime, njerëzit që kanë vrarë, njerëzit që kanë ekzekutuar, sot nuk mund të vazhdojnë më të qëndrojnë në drejtime, nuk mund të vazhdojnë të jenë në krye të Qeverisë, ky regjim duhet të marrë fund njëherë e mirë”, - tha ajo. Ndërsa deputeti Strazimiri theksoi se këta njerëz që kanë dhënë urdhra për ekzekutime të tilla nuk mund të aplikojnë atë që sot në Shqipëri quhet demokraci. Ai theksoi se, nëse nuk dënohen vrasësit e të pafajshmëve, atëherë Shqipëria do të konsiderohet si një vend që i lë njerëzit edhe pa varr. “Besoj që ky është një moment që na vjen si një amanet prej atyre që humbën jetën nëpër këto gërxhe, humbën jetën pa faj.
Mendoj që u detyrohemi atyre që një ditë në vit të mendojmë për ta, të mendojmë për ta dhe t’u themi fëmijëve tanë përse kjo nuk duhet përsëritur. Mëngjesi i parë i kësaj periudhe makabre ka qenë 29 Nëntori i vitit 1944. Më 29 nëntor ne me ligj jemi të detyruar të bëjmë pushim. Ndoshta kjo duhet të ishte dita që ne duhet të mendonim dhe për këto varre që po i gjejmë akoma sot pas 60 vitesh, të shpërndarë nëpër Shqipëri. Besoj që 29 Nëntori do të ishte dita e duhur për të përkujtuar viktimat e komunizmit në Shqipëri”, - tha ai. Ndërsa Halimi premtoi se mazhoranca do t’i shkojë deri në fund zbardhjes së kësaj çështjeje. Sipas tij, shoqëria shqiptare nuk është në paqe dhe nuk mund të jenë në paqe as eshtrat e këtyre shpirtrave të lirë, të cilët dolën të revoltuar kundër të gjithë persekutorëve, dolën të revoltuar kundër të gjithë aty njerëzve, të cilët janë fshehur gjatë këtyre 20 vjetëve duke pasur një akses të plotë në jetën publike. “Ne sot jemi këtu për t’u thënë persekutorëve, pinjollëve të tyre për t’u thënë ekzekutorëve, por edhe atyre që kanë vrarë natën në këtë varr masiv dhe kanë qarë ditën me lot krokodili, se ne do të shkojmë deri në fund me çdo mjet, me çdo forcë për të çuar përpara amanetin e këtyre shpirtrave të lirë dhe misionin e Partisë Demokratike që këta njerëz të mos kenë kurrë akses në jetën publike dhe të largohen një herë e përgjithmonë nga jeta publike”, - siguroi ai.

Ky lajm është publikuar: 10/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›