E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, Topi konsultohet me Boshardt

Autori i Lajmit: Redaksia
Pas ambasadorëve të Këshillit të Evropës, SHBA-së por dhe Spanjës, Presidenca ka pritur dje vizituesin e radhës, ambasadorin gjerman, Bernard Boshardt. Presidenti Bamir Topi ka zhvilluar një takim me të ku ka diskutuar gjerësisht për tryezën e negociatave që pritet të zhvillohet ditën e shtunë. Ambasadori Boshardt është informuar gjerësisht nga Kreu i Shtetit lidhur me situatën, por dhe mënyrën se si ajo mund të zgjidhet. “Në takim u diskutua edhe për tryezën e ardhshme politike mes pozitës dhe opozitës, të cilën Presidenti Topi vendosi ta thërrasë ditën e shtunë, më 13 shkurt 2010”, - thuhet në njoftimin zyrtar të Presidencës. Përfaqësuesi gjerman në vendin tonë ka qenë shumë aktiv në thirrjet e tij të herëpashershme për zgjidhjen e krizës me qëllim që mos cenohet procesi i integrimit të Shqipërisë në BE. Njoftimi nuk jep detaje mbi këtë bisedë ndërsa shtohet se në takim u diskutua edhe për vizitën e tij të ardhshme zyrtare në Gjermani, e cila do të zhvillohet në muajin prill. “Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi si shumë të mira marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin shumëpalësh me Gjermaninë në të gjitha fushat, duke i vënë rëndësi zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike dhe rritjes së pranisë së investitorëve gjermanë në vendin tonë. Nga ana e tij, ambasadori gjerman, Bernd Boshardt, vuri në dukje rëndësinë e shkëmbimit të vizitave në nivelet më të larta që kontribuojnë edhe në rritjen e nivelit të dialogut dhe bashkëpunimit politik”,- sqaron njoftimi i Presidencës. Tryeza që do të ulë përballë dy kundërshtarët politikë do të zhvillohet të shtunën më 13 shkurt 2010, në orën 11.00, në Selinë e Presidentit. Në faqen zyrtare të presidencës theksohej se takimi zhvillohej në vijim të takimeve me Kreun e Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, ambasadorin Helmut Lohan, me ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës, Manuel Montobio de Balanse, me ambasadorin e SHBA-së në vendin tonë, Xhon Uidhers II, si dhe pas kontakteve telefonike me Kryeministrin dhe Kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama.
Ky lajm është publikuar: 10/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›