PS: “Berisha të tregojë për internimin e mjekëve”
Autori i Lajmit: Redaksia
Partia Socialiste u përgjigjet me të njëjtën gjuhë akuzave të demokratëve lidhur me krimet e komunizmit. Pas bërjes publike të zbulimit të një varri masiv në malin e Dajtit dhe akuzave të demokratëve për ekzekutorët e komunizmit, Partia Socialiste ka kërkuar që kryeministri Sali Berisha të shpjegojë internimin e dy mjekëve gjatë kësaj kohe, deklaratë kjo e bërë pak kohë më parë nga kryesocialisti Edi Rama, i cili gjatë një daljeje publike akuzoi Berishën për internimin e dy mjekëve, edhe pse nuk pranoi të citonte emrat e tyre. “Koha që Berisha të tregojë të vërtetën për persekutimin e mjekëve. Jam shumë dakord me ata që thonë kush ka kryer krime në të shkuarën, duhet të largohet nga jeta publike, prandaj kam një pyetje për Sali Berishën: A nuk është koha zoti Sali, që shqiptarët ta dinë të vërtetën e internimit të dy mjekëve të pafajshëm, burrë e grua, që ju personalisht, si sekretar i Partisë së Enver Hoxhës, i persekutuat deri sa përfunduan në kamionin e Degës së Brendshme me gjithë plaçkat e shtëpisë?!”, - tha deputetja socialiste, Ermonela Felaj. Deklarata e saj vjen një ditë pasi kryeministri Sali Berisha deklaroi se do t’u shkojë deri në fund krimeve të komunizmit ndërsa kritikoi dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e ligjit të Lustracionit.
Ky lajm është publikuar: 10/02/2010