E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Të bëhet tenderi i Unazës së Madhe

 

zirina llambro

Do të jetë qeveria ajo që do të vërë në zbatim projektin për  ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës. Madje gjurma e saj do të zgjerohet më tej. Sipas Kryeministrit Sali Berisha, punimet duhet të nisin sa më shpejt. Rikthehet kështu sërish debati institucional mbi këtë vepër publike. Bashkia e Tiranës ka që prej vitit 2005 një projekt të sajin, që është kthyer në mollë sherri me Ministrinë e Transporteve, e cila nuk pranon të jetë bashkia zbatuesja. Krerët e Bashkisë së Tiranës pretendojnë se kanë marrë miratimin paraprak të kredisë 20 milionë euro nga Berzh për këtë vepër. Por dje gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Berisha i kërkoi Ministrit të Transporteve Sokol Olldashi që të zhvillojë tenderin ndërkombëtar për të dhënë me koncesion ndërtimin e kësaj vepre publike. Ajo sipas tij është shumë e rëndësishme për frymëmarrjen e trafikut në kryeqytet. “Mund të shkohet dhe më gjerë, duhet të studiohet me shpejtësi, sepse te shkolla teknologjike është e vështirë të pranohet për unazë ajo. Si unazë e madhe ajo mund të zbritet më poshtë. Faktikisht, një trajektore e saj është bërë pothuajse e pamundur tani në një zonë të Farkës. Natyrisht do kërkohet bashkëpunimi me të gjitha qeveritë vendore, të Farkës, të Dajtit, të Paskuqanit, të Kamzës, të Tiranës, aty ku segmenti kalon në territorin e Bashkisë së Tiranës”, tha Kryeministri Sali Berisha. Projekti i qeverisë parashikon zgjerimin e gjurmës së unazës së madhe, e cila do të kalojë nëpër komunat përreth kryeqytetit, kjo për të shmangur përplasjen e mundshme me Bashkinë e Tiranës, e cila gjithashtu ka hartuar prej kohësh një projekt për të njëjtin qëllim. Kryeministri Berisha u shpreh dje se fillimisht përparësi do t’i jepet pjesës verilindore të unazës së madhe, e cila sipas tij do të duhet të përballojë trafikun që do t’i shtohet kryeqytetit me përfundimin e rrugës së Arbërit brenda dy viteve. Berisha kërkoi nga ministritë përkatëse rishqyrtimin e çmimeve të tregut të tokës dhe përgatitjen e hartës.

“Berisha merret me Unazën, s’kupton detyrën e tij”
Menjëherë pas deklaratës së Berishës ka reaguar kryebashkiaku Edi Rama. “ Përditë e më shumë po bëhet e qartë për të gjithë shqiptarët, që kanë një Kryeministër që nuk kupton detyrën e tij dhe që në shkelje të plotë të të drejtës dhe të detyrës së tij, grabit votat e shqiptarëve, grabit pasuritë e shqiptarëve, grabit gjithçka gjen rrugës, vetëm në funksion të pushtetit të familjes së tij. Përfytyroni për një moment Kryeministrin e Italisë, duke u marrë me Unazën e Romës apo Kryeministrin e Greqisë, duke u marrë me Unazën e Athinës, por kjo gjë do të ndodhë edhe për aq kohë dhe unë jam shpresëplotë se do të jetë pak koha, që ky Kryeministër do të jetë në pushtet”, tha Rama. Projekti i Bashkisë së Tiranës përfshin ndërtimin e Unazës nga Shkolla Teknologjike deri te Rruga e Elbasanit. Ndërtimi i një pjese të Unazës së Madhe lidh Rrugën e Durrësit me Rrugën e Kavajës dhe kjo pjesë ka një gjatësi rreth 2.2 kilometra, ku përfshihet edhe zgjerimi. Puna për këtë pjesë të Unazës së Madhe ka filluar që në vitin 1999 dhe ka përfunduar në vitin 2006. Në bazë të të dhënave të projektit, Unaza e Madhe ka një gjatësi prej 5.5 kilometrash. Projekti për këtë rrugë është menduar të kalojë në zonën e Selitës, pranë Kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat mbrapa Parkut të Madh të Tiranës, në Kodrat e Saukut nga ku do të lidhet me Rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit Publik. Në projektin e kësaj rruge përfshihet dhe sistemi i sinjalistikës vertikale dhe horizontale, si dhe semaforët në të gjitha kryqëzimet në nivele. Rruga është parashikuar të ketë edhe disa rrethrrotullime në zona të caktuara, si në Komunën e Parisit dhe në Rrugën e Elbasanit. Është parashikuar që të ndërtohet me 6 korsi në disa segmente kyçe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›