E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bojkoti, Patozi: Rama ka frikë të përballet me PD

 

Partia Demokratike e ka vlerësuar si absurd vendimin e Partisë Socialiste për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit. Kryetari i grupit parlamentar të selisë blu, Astrit Patozi tha dje gjatë një komunikimi me mediat se ky veprim i socialistëve vjen për shkak të pengmarrjes që i ka bërë kësaj partie, kryetari Rama. “Eshtë një vijim i absurdit dhe një thellim i pengmarrjes së PS nga kryetari i saj. Eshtë një hall personal do të thosha, i Edi Ramës, nuk ka të bëjë fare me pretendimet që ata kanë për zgjedhjet e 28 qershorit, po shqetësimi i vetëm është që Edi Rama, i cili ka humbur të gjitha ballafaqimet e pjesshme elektorale, që kur është vënë në krye të PS, i druhet që dhe kësaj radhe do të ndodhë e njëjta gjë”, tha Patozi. Për numrin një të grupit parlamentar të PD, nuk ka asgjë të vërtetë në pretendimet e selisë rozë për abuzime në 28 qershor, por thjesht droje për humbje të re. Sipas tij: “Në këtë logjikë Edi Rama mund të avancojë më tej absurdin, mund të kalojë deri në anulimin e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak të Tiranës me pretendimin që ka pasur probleme në zgjedhjet e 28 qershorit”, vijoi Patozi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›