Malaj: U përjashtuan sekretarët e kryesisë nga grupet e punës
Anëtari i kryesisë socialiste sqaroi dje përmes një deklarate për mediat tërheqjen e tij nga grupi i punës së PS-së për hartimin e programit të ri politik të saj në opozitë. Sipas Malajt, në këto grupe pune, të miratuara nga kryesia socialiste, nuk u përfshinë sekretarët e PS-së që mbulojnë çështjet e programit, statutit apo dhe çështjeve elektorale. “Krijimi i ekipeve të punës dhe për dokumente kaq të rëndësishme duhet të respektojë të zgjedhurit në drejtimin e saj, pra sekretari për programin, sekretari për statutin, sekretari për sfidat elektorale duhet të jenë pjesë e grupeve të punës për shkak të mandatit që iu është besuar. Në rishikimin e dokumenteve kaq të rëndësishëm, angazhimi i anëtarëve me mandate partiake të rëndësishme, e rrit kohezionin e ekipeve dhe rrit cilësinë e dokumenteve kaq të rëndësishme”, sqaron Malaj. Sipas tij, një kërkesë dhe qëndrim i tij bëhet për të përmirësuar funksionimin e PS-së. “Në tërësinë e këtyre argumenteve, të ndara publikisht me kolegët e kryesisë së Partisë Socialiste, ‘refuzimi’ im për të qenë pjesë e grupit, kur kolegë të tjerë përjashtoheshin, është një kontribut konstant për një funksionim sa më institucional të Partisë Socialiste”, u shpreh Malaj. Anëtari i kryesisë socialiste shprehet se nuk ka refuzuar të punojë për programin politik të PS, por kërkon që në këtë proces të ketë një vlerësim të të gjithë kontributeve. “Nuk kam refuzuar të punoj për programin e Partisë Socialiste, këtë detyrim partiak, këtë angazhim politik dhe këtë përgjegjësi edhe ndaj votuesve dhe mbështetësve të Partisë Socialiste e plotësoj më mirë, duke kërkuar një funksionim sa më institucional të saj dhe duke dhënë kontribute konkrete tek ekipi i programit edhe me statusin e deputetit të Partisë Socialiste dhe anëtarit të Asamblesë Kombëtare”, u shpreh Malaj.