PS: Dejtuesit e RTSH-së të reflektojnë
Partia Socialiste i kërkoi dje drejtuesve të RTSH-së që t’i përgjigjen misionit që kanë për informim të balancuar publik. Deputeti i saj, Fatmir Toçi, i kërkoi drejtuesve të televizionit dhe radios shtetërore të reflektojnë në punën e tyre. “Jemi sot përpara jush për të bërë publike edhe një herë shqetësimin tonë të vazhdueshëm për përdorimin joligjor dhe uzurpimin e Radiotelevizionit Shqiptar nga ana e pushtetit dhe e partisë shtet, si para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 28 qershorit”, tha deputeti socialist. Sipas Toçit, “RTSH është kthyer prej kohësh në një zëdhënës zyrtar të partisë-shtet, duke vendosur praktikisht raporte diskriminimi dhe injorimi për opozitën, duke e goditur drejtpërdrejtë atë dhe të vërtetën. Në edicionet e lajmeve dhe programet speciale që jepen si shtojcë e tyre, raporti i kohës pozitë–opozitë shkon nga 1 me 2 deri në 1 me 10 duke injoruar të vërtetën”. PS-ja përmes deputetit të saj dënoi dje diskriminimin që RTSH i ka bërë dhe vazhdojnë t’i bëjë Partisë Socialiste dhe veprimtarive të partive të tjera opozitare dhe kërkon rishikimin e statusit të Radiotelevizionit Publik Shqiptar, për ta bërë atë me të vërtetë publik, në shërbim të njerëzve dhe të pavarur nga shteti e pushteti i çfarëdo qeverie qoftë. Selia rozë i kërkoi gjithashtu Këshillit Drejtues të RTSH-së të marrë në analizë veprimtarinë e drejtorisë për periudhën para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 28 qershorit, duke kërkuar shkarkimin e tyre nga detyra për thyerje të rënda të statusit të institucionit publik dhe në rast mosreflektimi i kërkon anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH-së, veçanërisht atyre të mbështetur nga Partia Socialiste, por edhe anëtarëve të tjerë, veprimtarë të spikatur në profesionet e tyre, të rishikojnë pozicionin e tyre deri në dorëheqje.