Investimet, Dritan Prifti italianëve: Përgjigje kërkesave brenda 48 orëve
Çdo kërkesë për investime nga biznesi italian do të marrë një përgjigje brenda 48 orëve. Ky ishte premtimi i ministrit të Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, për të gjithë sipërmarrësit italianë, që do të zgjedhin Shqipërinë për të shtrirë aktivitetin e tyre. Po dje, Ministria e Zhvillimit Ekonomik e Republikës së Italisë dhe Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës e Republikës së Shqipërisë, themeluan “Forumin Ekonomik Italo–Shqiptar”. Qëllimi i këtij Forumi është krijimi i një organi të përhershëm këshillimor midis institucioneve dhe përfaqesuesve të biznesit italian dhe atij shqiptar, në kuadër të afrimit të Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian, duke përcaktuar fushat e bashkëpunimit ekonomik, strategjitë dhe instrumentet operative të afta për të favorizuar investimet italiane në Shqipëri dhe investimet shqiptare në Itali. Gjatë takimit me homologun e tij italian, Adolf Urslo, ministri Prifti, theksoi se Italia është vendi i parë donator në projekte të kooperimit duke bërë të mundur ndërhyrje direkte në sektorë si infrastruktura, transportet, energjia, shëndetësi etj.
Ai vuri në dukje interesin e madh të treguar mbi sektorët e energjisë, ne industrinë e çimentos nga bizneset italiane ne Shqiperi duke përmendur edhe projektet e mëdha të licencuara nga Enti Rregullator i Energjisë për prodhimin e energjisë nga era.
Ministri përqendroi interesat e tij në investime për prodhimin e energjisë në Shqipëri, duke krijuar dhe lejuar për më tej eksportin për vendet fqinje, në veçanti atë të Italisë. “Për këtë nevojitet edhe një investim i ri në linjat e interkonjeksionit, për të ofruar një klimë biznesi të përshtatshme dhe plot lehtësira si në “start-up” edhe gjatë menaxhimit të këtij lloj biznesi, duke vendosur theksin në impaktin mjedisor”. Ministri e njohu homologun italian edhe me iniciativën e qeverisë që është marrë për të miratuar ligjin e sigurisë së pronësisë në Shqipëri. “Kjo do të përmirësojë më tepër edhe imazhin e këtij vendi, do të ulë riskun e biznesit dhe do të rrisë sigurinë afatgjatë për investitorët e huaj”, theksoi Prifti. Ministri Urslo falënderoi ministrin për mikpritjen dhe shprehu besimin e tij të plotë si dhe të qeverisë italiane për përforcimin e bashkëpunimit. Të dy ministrat vlerësuan nevojën e fillimit të menjëhershëm të kompozimit të Komitetit të përbashkët midis dy vendeve për zhvillimin në fushën energjetike në mënyrë që të harmonizohen projektet në kohë sa më të shkurtër.