Berisha: Të gatshëm për çështjet bilaterale. Rama nënpresionin e djegies së afateve kushtetuese

Kryeministri Sali Berisha deklaroi pas takimit të zhvilluar me Presidentin Topi, se mazhoranca është e gatshme të diskutojë dhe të vendosë lidhur me çështjet bilaterale ndërmjet partive, por jo vendimet e gjykatave. Berisha informoi për takimin me Presidentin e Republikës, duke shtuar se kreu i shtetit dëgjoi me vëmendje qëndrimin e shumicës dhe u shpreh për një zgjidhje të shpejtë të situatës.
“Jemi të gatshëm për dialog dhe për zgjidhjen e problemeve bilaterale. Ishte një diskutim me Presidentin dhe ne sërish riafirmuam qëndrimin tonë, për të mbetur të hapur për të vijuar dialogun. Mazhoranca mbetet e hapur për shqyrtimin e të gjitha problemeve lidhur me procesin zgjedhor. Presidenti Topi, po vazhdon të eksplorojë të gjitha mundësitë e konvertimeve mes palëve”, - u shpreh kreu i qeverisë, Sali Berisha, gjatë një prononcimi për mediat, menjëherë pas përfundimit të takimit me Presidentin Topi.
Ndërkaq, nga ana tjetër, Edi Rama nuk heq dorë nga kërkesat për hetimin e vendimeve të gjykatave. Duke mbrojtur këtë qëndrim të paprecedentë, kryesocialisti po çon në faliment karrierën politike dhe po djeg mandatet e deputetëve socialiste.
Takimi i zhvilluar mes Presidentit Topi dhe kryesocialsitit Edi Rama, përfundoi pa asnjë rezultat, përvec pasthirrmave mediatike, për mos heqje dorë prej kërkesave antiligjore. Pas këtij takimi, është e qartë se Edi Rama, nuk e ka të lehtë të pranojë udhëzimet e kreut të shtetit, për një marrëveshje në përputhje me ligjin, por as të dëgjojë gërmën e ligjeve dhe Kushtetutës se vendit. Takimi i dytë i zhvilluar në zyrën e Presidentit, është shoqëruar me të njëjtin rezultat ashtu si edhe i pari, ku nga njëra anë vazhdon të mbizotërojë qëndrimi i palëkundur i opozitës me kërkesat antiligjore dhe nga ana vjetër vullneti i mazhorancës për të pranuar çfarë do lloj kompromisi që nuk cenon kushtetutën.
Edi Rama, i shoqeruar nga kreu i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste Gramoz Ruçi ka përfunduar pak më parë takimin e tij ne presidence ku ka njohur kreun e shtetit për qëndrimin e partisë së tij për hetimin e zgjedhjeve.
Pas takimit ka qenë Ruçi ai i cili ka sqaruar per mediat se sot presidenti nuk ka paraqitur propozime konkrete por ka dëgjuar qëndrimin e PS-së.
“Partia Socialiste edhe njëherë shpalosi para presidentit kërkesën për hetim, mbështetur edhe në rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, u shpreh Ruçi.
Edhe pas finalizimit të takimit të dytë te tryeza e Topit, ende palët nuk kanë një qëndrim unik lidhur me situatën politike, por megjithatë opozita po ndjen presionin e djegies së afateve kushtetuese, çka e detyron atë të kthehet në parlament para datës 6 mars. Pikërisht ky zhvillim, përbën edhe më kulmorin në historinë politike të Ramës, atë të humbjes së kontrollit të partisë dhe largimin e tij nga PS me hyrjen e deputetëve në parlament.