Sozitë e Edvinit, në një telenovelë që përqafon ëndrrat me destabilizim
Nëse nuk e keni kuptuar se çfarë bluan mendja e individit që mbulon punët e opozitës, mjafton të lexoni hartimin e tij nëpërmjet gojës së Eduart Shalësit. Ky i fundit po shfaqet si kopja ideale dhe surrogati i perkryer i Edi Ramës; pra si njeriu që e imiton deri në detaje maniakale, derisa mëton të jetë sozia që rilëshon kërcënimet se populli do të hapë vetë kutitë. Ky njeri aq qesharak - pa dashur të jetë Ali Komiku deputet - ka të drejtë mediatizimi të hartimeve kërcënuese. Padyshim kërcënime që minojnë klimën e dialogut duke e impostuar fushën e betejës në urrejtje, atje ku PS shpreson të ketë mbetur specialistja e avantazhuar prej dirigjentëve të intrigës.
Ndërkaq vesi i trapanimi të opinionit publik dhe shtimit të ngarkesës emocionale me sfida në emër të një “populli opozitar” që kërkon të këndojë refrenin e kutive demaskon demonët që kanë kapluar PS. Demonë anarkistë, që janë rehatuar këmbëkryq, qysh prej “mbretërimit” të të birit të Kristaq Ramës. Natyrisht ai s’mund të pretendojë për më shumë, përderisa nuk ka fytyrën e gogolit të duhur, por të një Mic Sokoli në versionin remix. Në përballjen me kameran, Edvini shfaqet me formën e një kallashnikovi të zhbjelluar që vardis deklarata manovër. Baruti i PS tashmë është i lagur për të hedhur në erë qeverinë. Ashiqare kuptohet dëshpërimi tek nxitjet me deklarata për shtyp të eksponentëve të PS që njoftojnë prishjen e “armëpushimit” të bisedimeve. Ka dy ditë që I Papranueshmi Rama përdor figura të serisë B si Edi Shalësi a Ermonela Felaj për të treguar se ç’kimizim dinamitard ka mendja e një klisheje haxhiqamiliste. Provokacionet me llafe-shtypi si të Ermonela Felaj për “shpërndarje të parlamentit”, po ashtu edhe kjo e fundit e sozisë së Edit (Shalësi) për hapjen nga një “popull i heshtur opozitar” janë blofe kalamajsh të nakatosur. Nëse PS vazhdon me këto lojëra banale, demode marksiste në emër të popullit (a të proletariat) veç dëften kromozomin e vjetër të etërve bllokmenë. Kartëvizita që Rama i dërgon presidentit Topi është plot antraks politik. Një tymuese për qëllimet reale të opozitës, qëllime që shkojnë në marrjen e pushtetin në tavolinë, pasi në votime as që shkuan në foto-finish. Presidenti Topi po “shantazhohet” nëpërmjet sozive të Krye-socialistit, që në njërën anë sillet pro-pozitiv për zgjidhjen e ngërçit politik, nga ana tjetër angazhon një politikë pro-negative të minimit të procesit që do ta rikthente opozitën në parlament. Personaliteti i shumëfishtë i një personi brenda një habitati politik e infekton këtë organizëm me qeliza separatiste, të cilat e mbysin demokracinë e brendshme, dhe për rrjedhojë e çojnë në reaminacion kulturën politike të dialogimit. Të shohim, por gjasat s’janë të mira për ngrehinën ylberiste që ka ngritur i biri i Kristaqit.