Kryesocialisti, në kërkim të një leve arkimedi për të përmbysur demokracinë
Ballafaqimi i parë dhe parashikueshmërisht edhe mund të mbetet i fundit midis Shefit të maxhorancës Berisha dhe kryetarit të socialistëve Edi Rama ka dëftyer argumentet me të cilat janë ndarë pas tryezës së Presidentit Topi. Paradoksi është se nuk kishte barazim, pasi nuk kishte duel, vetëm u mat se sa afatgjata i kishin mjetet e veprimit dhe të komunikimit politik. Në pozicion të favorshëm në këto bisedime, dhe më një background të njohur të negocimit Sali Berisha është gjetur shumë i qetë, bile më i qetë seç mendohej. Për kryetarin e PD dhe çdo luajalist në Shqipëri zgjedhjet janë mbyllur njëherë e përgjithmonë me vendimin e gjykatave. Sidomos kur ato - sipas kartës së “Kushtetutës”- vendimet e gjykatave pranohen dhe nuk kontestohen. Asnjëherë. çdo problem që ka Edi Rama me zgjedhjet e 28 qershorit 2009 e ka me gjykatën dhe jo me qeverinë e koalicionit “Berisha”, që ka dalë nga zgjedhjet më të mira të bëra ndonjëherë në Shqipëri
pas pluralizmit.
Mirëpo Edi Rama pasi është gjetur “putto” në një të papritur - mungesa e eksperiencës dhe profili i ulët politik, vlejnë - më pas u soll të rifuste nga dritarja një argument që nuk qëndron “autopsinë e zgjedhjeve të vdekura”. Nëse ka një varrmihës të pabesë dhe padrejtë që nuk njeh kodet e ndryshme të sjelljes, jo më të Kodit Zgjedhor që penalizoi dhe favorizoi modelin e zgjedhjes spanjolle, ai quhet fiks Edi Rama. Kuptohet vetiu se sajesa e “hapjes së kutive” duke e radikalizuar më pas me “bojkot” nuk mund të kishte një fund shpërblyes. Kushtëzimi i hetimit pa kufi të materialeve zgjedhore tregon se ai nuk është një kushtëzim, por një levë arkimedi për të përmbysur qeverinë. Inskenimet profilaktike të “zgjedhjeve të parakohshme”, “të shpërndarjes së parlamentit”, dhe fillimi i “protestave” dëftejnë hallin që ka kapur opozitën shqiptare. Nga presidenti Topi, Rama kërkon vetëm një asist, një pas të shkurtër për t’u futur në parlament para datës 7 mars. Një datë kulminante për fatet e opozitës. Luajtja e Edi Ramës me zjarrin, duke tejkaluar një afat kushtetues, do të thotë se kemi të bëjmë me një piroman të demokracisë, i cili qëmton një djegie të paprinciptë të mandateve, çka do të thoshte se disa prej deputetëve socialistëve që identifikohet me siglën LMN do të ndaheshin përfundimisht me Egoarkun, sepse nuk vetëquhen të sinkronizuar me orën e sahatit të Bashkisë, por me atë të odës së demokracisë. Ky nuk është një skenar apokaliptik për fatin e PS, por një skenar ordiner për të spastruar partinë nga elemente që infektojnë homologimin e mendimeve. Nëse ndodh që deputetët e LMN së Blushit të hyjnë në parlament si përfaqësues të opozitës, rrjedhimisht do të prodhohej izolimi i bojkotit të Edi Ramës, duke e shfaqur atë në ç’ka është në të vërtetë, një përdhunues i institucioneve demokratike. Ndërkaq sot për sot, halli i madh i deputetëve në tentativë të PS mbetet heqja e mundësisë për të ushtruar ligjërisht mandatin e të bërit opozitë. Votuesit shqiptarë i kanë votuar si opozitarë, kurse PS me një vendim absurd e ka abdikuar qysh në lindje këtë mundësi përfaqësimi. Hetimi parlamentar i zgjedhjeve mbetet diçka e mirë kur ka dyshime, por është e nevojshme që procesi të ushtrohet konform Kushtetutës, pra nuk mund të hidhen në kosh vendimet e Gjykatave. Do të ishte një precedent jo fort i mirë shkelja e vendimeve të Gjykatës, në kompleksitetin e drejtësisë shqiptare.