E Diel, 1 Nëntor 2026

Në kampin opozitar, njëri i bie gozhdës, tjetri patkoit...

Tryeza e thirrur prej Presidentit Topi, mesa duket e ka shtuar konfuzionin në radhët e opozitës. Mosmarrëveshjet që burojnë prej interesash të ngushta mes liderëve opozitarë, sa vjen, po bëhen më të dukshme. Po të merret në konsideratë rrumpalla politike e krijuar në kampin opozitar, nuk mund të thuhet asgjë më tepër sesa “ne prit mana, ato dil thana”. Tashmë, shtegu për të gjetur dalje nga kriza ku janë zhytur me vetëdije Rama, Milo, Ngjela, Ndoka etj., sa vjen e po ngushtohet. Këtë na e thanë ata vetë, me gojën e tyre. Një ndër të përditshmet e Tiranës njoftonte dje se, në tryezën e ngushtë për t’i njohur aleatët me ecurinë e takimeve të nisura nga Presidenti mes Berishës dhe Ramës, ky i fundit paska debatuar me Ngjelën për strategjinë e të bërit opozitë. Cili nga të dy variantet do të ketë përparësinë, varianti “kuti” apo varianti “protesta”? Ngjela paska kërkuar me këmbëngulje të caktohet data e “protestës së madhe” (Allah-Allah!). Në të kundërtën, Rama paska thënë se nuk do të ketë protesta të shpejta, për aq kohë sa do të zhvillohen negociata. Po të shtosh në këtë qerthull mosmarrëveshjesh edhe deklarimet e Milos dhe të Ndokës që, sipas së përditshmes në fjalë, paskan ngulur këmbë njëri tek e “drejta kushtetuese për hapjen e kutive (!) (Milo) dhe tjetri se opozita nuk paska ndaj mazhorancës një listë kërkesash, por “kërkon transparencën e zgjedhjeve” (!)” (Ndoka), rrumpalla politike nuk do koment. Njëri i bie gozhdës, tjetri patkoit. Mjerë vendi që mban mbi shpinë marrëzitë e të papërgjegjshmëve. Mjerë ndërkombëtarët që kushedi çka presin prej një lideri, të cilin e ndjekin pas vetëm një grusht militantësh, interesaxhinjsh a njerëzish të aferave të dyshimta, dhe prej disa kinse liderësh që s’dinë ç’kanë pas vetes, përpos familjeve të tyre. Le ta shohim problemin pak më për së afërmi. Rama qenka velur, si duket, prej protestave kinse. Pse? është e qartë: më mirë se ai, që del nja dy a tri pëllëmbë mbi atë grusht njerëzish të paguar, që udhëtojnë me autobusë komodë qytet më qytet “për të protestuar”, nuk mund ta përjetojnë efektin dëshpërues liderët e tjerë, rrafsh me “protestuesit”. Së sipërmi, mund të perceptohet më qartë e vërteta përfund teje, sesa po ta shohësh në nivelin e syve. Efekti pamor që jep kamera regjistruese, befason shikuesin e televizionit, jo atë që e percepton drejtpërdrejt, me sy në ballë, aq më tepër prej njëfarë lartësie. Edvin Rama pati rastin të bindej për këtë të vërtetë pas protestës së 20 nëntorit 2009 në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, me gjithë zellin e papërmbajtur të mediave vasale të tij për ta shformuar të vërtetën. Mali me barë, ato ditë polli një mi, që të mos themi një miush. E polli mu në mes të Tiranës, faqe gjithë tiranasve, faqe gjithë përfaqësive të huaja që vëzhgojnë, mbajnë shënim dhe flasin kur është për të folur, për ata që kanë veshë të dëgjojnë. Mirëpo Ngjelës aq i bën se çfarë sheh Rama nga lartësia. Në fund të fundit, veshët i janë zgjatur së shkuluri Ramës, si lider i opozitës, jo Ngjelës si lider pa parti. Trysninë brenda për brenda partisë po e ndjen i pari, i cili ka një tufë të zgjedhurish që e kërcënojnë me thyerjen e bojkotit, jo Ngjela që s’ka asnjë të zgjedhur për bé në Parlament. Nëse Ngjela lëshon nga goja gafa antikushtetuese, duke dashur ta miklojë Ramën me gjetjet “kryeministër aktual” dhe “kryeministër në hije” ose me shprehje të tilla luftënxitëse si “...populli të kërkojë të drejtën kushtetuese”, Rama u druhet të vetëve, siç druhet djalli nga temjani. Shkaku është po ai: Ngjela nuk ka çfarë të humbasë sepse nuk ka parti. Rama rrezikon të humbasë edhe atë grusht njerëzish besnikë që i kanë mbetur nga partia e tij lesh e li, të cilët nesër-pasnesër mund t’i thonë si ma ke qejfin. Dhelpëria e Milos që mendon se pas takimit të së shtunës, “topi” mbetet në tryezën e “Topit” (safi dhelpëri) përkthehet shqip: mbaje se ta lashë, zoti President! Me Ndokën, është e kotë të merret njeriu, përpara se ai ta ftillojë trurin çfarë kërkon opozita e mbledhur rreth Edvin Ramës. Dhe të mos harrojmë: as Milo, as Ndoka nuk kanë parti, pale ndonjë të zgjedhur në Parlament. Në konfuzionin e krijuar në kampin opozitar, ka ardhur puna deri aty sa askush nuk di çka kërkon, askush nuk di ku i çon pasioni i sëmurë për të mbijetuar në politikë, askush nuk mund ta marrë me mend edhe sa kohë do t’i mbajë sipër ujërave të turbullta varka e tyre e shpuar qysh më 28 qershor të vitit të kaluar.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›