Belgjika premton liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë

Vendi që pret të marrë Presidencën e Bashkimit Evropian në muajin korrik të këtij viti, Belgjika, shprehet se do të lobojë fuqishëm me vendet e Unionit, për kuadrimin e plotë të Shqipërisë në rrjedhën integruese. Kryeministri belg, Yves Leterme, gjatë një takimi të zhvilluar sot me kryeministrin Sali Berisha, me ftesë të këtij të fundit, premtoi heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë, brenda verës së 2010-ës. “Shqipëria është në rrugën e duhur për të përfituar liberalizimin e vizave. BE mbështet çdo hap që i hap rrugë lëvizjes së lirë për qytetarët shqiptarë”, - vlerësoi Leterme, vendi i cilit në korrik të këtij viti do të marrë presidencën e radhës të BE. Leterme siguroi mbështetjen e vendit të tij për realizimin me sukses të këtij procesi vendimtar për aspiratat integruese të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Të njëjtën mbështetje, kryeministri belg konfirmon edhe për marrjen e statusit kandidat. “BE ka prioritet mundësinë e heqjes së vizave për shqiptarët. Përgëzova Berishën për progresin që është bërë për heqjen e vizave. çështja e vizave është një çështje teknike, dhe jo politike ndaj duhen plotësuar kushtet për liberalizmin e tyre”,- u shpreh Leterme. Ai vuri në dukje se pret të marrë Presidencën e BE-së në korrik të këtij viti, ndaj vendi i tij është i angazhuar në një të ardhme të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Anëtarësimi i Shqipërisë do sillte më shumë stabilitet në rajonin e Ballkanit”, theksoi ai. Kryeministri i Belgjikës tha se i premtoi Berishës se vendi i tij do të ndihmojë me ekspertizë Shqipërinë për plotësimin e pyetësorit për anëtarësim në BE. Në fund të fjalës së tij, kryeministri vlerësoi progresin e Shqipërisë ka shënuar progres të dukshëm. Ndërsa nga ana e tij kryeministri Sali Berisha tha se kishte diskutuar me homologun belg për një sërë fushash të bashkëpunimit, duke përmendur këtu marrëveshje në luftë kundër krimit të organizuar, marrëveshje për të burgosurit. “Jemi të gatshëm të firmosin çdo marrëveshje me Belgjikën në interes të luftës kundër krimit të organizuar. Po punohet edhe në fushën e sigurimeve shoqërore. Shpresoj që së shpejti do të përfundoj edhe një marrëveshje në fushën e arsimit”, deklaroi Berisha. Lidhur me Marrëveshjen për të burgosurit, Leterme u shpreh i kënaqur që qeveria shqiptare ra dakort ndërsa paralajmeroi se e rëndësishme dhe ndihmë do të jetë edhe një marrëveshje e pritshme, ajo për sigurimet shoqërore.
...