Berisha: Të gjitha potencialet për arsimin
Kryeministri Sali Berisha ishte dje i pranishëm në ceremoninë e përkujtimit të 100-vjetorit të themelimit të Shkollës së parë Normale në Elbasan dhe Kongresit të parë të Arsimit. Ceremonia u zhvillua në mjediset e universitetit "Aleksandër Xhuvani", në Elbasan, me pjesëmarrjen e anëtarëve të qeverisë, drejtuesve të pushtetit vendor, studiues dhe pedagogë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia dhe studentë. Para një auditori të gjerë, Berisha siguroi se reforma në arsim do të vazhdojë. Sipas tij, qeveria është e vendosur që të angazhojë të gjitha burimet njerëzore dhe financiare për realizmin e saj. “Është drita e dijes, është zhvillimi i arsimit, ato të cilat do të bëjnë këtë komb, këta qytetarë që të gëzojnë gjithnjë e më shumë demokracinë. Nuk ka dhe nuk mund të ketë qëndrim demokratik real pa një arsim, edukim të zhvilluar dhe këtu ne jemi të përqendruar me të gjitha potencialet dhe burimet që disponojmë. Ne kemi kënaqësi se në një hark kohor të shkurtër, shpresoj dhe besoj, se kemi ecur në rrugën e idealeve të atyre që themeluan Normalen, të atyre djemve dhe vajzave që bënin me qindra dhe mijëra kilometra, nga të katër anët e kombit, për të çuar dritën e dijes”, - deklaroi Kryeministri Berisha.