E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Të gjithë ministrat të angazhuar për turizmin

Duke përmendur fillimisht përgatitjet për zgjedhjet lokale të 8 majit, kreu i qeverisë tha se këto zgjedhja do ta pengojnë disi përkushtimin për turizmin, por megjithatë, ai ka paralajmëruar se do të merren masa agresive për të zgjidhur të gjithë problematikën në këtë fushë.

“Përpjekjet tona do të jenë totale për një proces të lirë zgjedhor dhe të ndershëm. Unë jam i vendosur që qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë si të gjithë qytetarët evropianë. Duhet të pranojnë se zgjedhjet lokale komplikojnë në një masë të caktuar përgatitjet për sezonin turistik”, tha kryeministri.

Duke përmendur lajmet e publikuara së fundi nga agjencitë e mëdha ndërkombëtare mbi turizmin në Shqipëri, Berisha bëri të ditur se nga sugjerimet e Lonly Planet, deri më tani janë shkruar mbi 5200 botime dhe vazhdon të shkruhet në të gjitha mediat e botës. “Ndërsa klikimet për këtë arrijnë në mbi 4.8 milion në muajt e fundit. Ne do të bëjmë përpjekjet më të mëdha për një sezon turistik më të suksesshëm”, tha ai.

Kreu i qeverisë deklaroi se do të ngrihet një komunitet ndërministror nën udhëheqjen e tij, për të parë të gjithë problemet e turizmit dhe të zgjidhen në kohë. “Është e domosdoshme që një komitet ndërministror i drejtuar direkt nga kryeministri të funksionojë, nga të cilët ministrat do të ndajnë nga një zonë turistike. Kjo ka si qëllim që të mos gjendemi para asnjë befasie. Mos të ndodh siç ndodhi vjet që kanalet që derdheshin në det u zbuluan në gjysmën e sezonit”, shtoi.

Berisha ka ngarkuar ministrat e tij që të kenë në ngarkim nga një zonë turistike. “Mos mendoni se këtë apo atë problem do ta zgjidhni në ministri. Të përfundojnë brenda dy javëve studimin e të gjithë problematikës. Kjo është e vështirë”, tha kryeministri, duke porositur Ministrinë e Mjedisit që të paraqesë në kohë reale të gjitha shqetësimet për turizmin.

Gjithashtu, ministra e Turizmit dhe ajo e Transporteve të marrin masat e tyre në këtë drejtim. Gjithashtu, kryeministri tha se për një periudhë 5-vjeçare duhet të hiqen taksat për turizmin malor. “Turizmi malor në Shqipëri pothuajse nuk ekziston, as si traditë, përveç se Shishtavecit, apo ndonjë fshat në Korçë”, tha kreu i qeverisë. /Saimir Lleshi/Start/

                                                                                             2011-01-19 11:31
  [ 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›