E Diel, 1 Nëntor 2026

PNUD, Benjelloun: Shqipëria zhvillime dinamike

Bashkëpunimi i Kombeve të Bashkuara dhe PNUD-it me vendin tuaj është një histori suksesi. Shqipëria, është një model suksesi që duhet ndjekur edhe nga vende të tjera për progresin e jashtëzakonshëm të shënuar në zbatimin e programit “Një OKB””.

Koordinatorja e Kombeve të Bashkuara, njëkohësisht përfaqësuese e Përhershme e PNUD-it në Shqipëri, Zineb Touimi Benjelloun i shprehu sot kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, urimet  më të mira për suksesin e Shqipërisë në zbatimin e programit “Një OKB” si dhe ndryshimet impresionuese që ka shënuar vendi vitet e fundit, brenda një kohe të shkurtër. Kryetarja e Kuvendit vlerësoi mbështetjen që Organizata e Kombeve të Bashkuara si dhe PNUD kanë dhënë për Shqipërinë përmes projekteve të përfshira në programin “Një OKB” të cilat synojnë nxitjen e mëtejshme të hapave të Shqipërisë drejt zhvillimit por dhe integrimit evropian.

Në vlerësimin e saj, Topalli theksoi se programet e OKB - së në Shqipëri kanë dhënë një mbështetje të madhe për reformat e ndërmarra nga qeveria si dhe Parlamenti në disa sektorë prioritarë. Znj. Touimi-Benjelloun shprehu një vlerësim të veçantë për rolin e rëndësishëm të Parlamentit në implementimin e shumë projekteve të programit “Një OKB”.

“Ndjehem e impresionuar nga zhvillimi i gjithanshëm i Shqipërisë. Jam e privilegjuar që kam marrë këtë detyrë të rëndësishme për të përfaqësuar Shqipërinë. Është hera e parë që vij në Shqipëri, dhe jam e mrekulluar, ndihem si në vendin tim dhe jo si një e huaj. Është impresionuese! Në Shqipëri, ndryshe nga vendet e tjera programet tona kanë patur rezultate të shkëlqyera, e veçanërisht në disa sektorë, ku unë dua të veçoj nismat ligjore për barazinë gjinore, ku Parlamenti dhe ju personalisht keni patur një rol të rëndësishëm” u shpreh përfaqësuesja e Përhershme të PNUD-it në Shqipëri, njofton zyra e shtypit të Kuvendit të Shqipërisë.

Gjatë takimit, zonja Benjelloun i prezantoi kryeparlamentares edhe një draft projektesh për Parlamentin, të cilat synonin forcimin e kapaciteteve dhe rritjen e profesionalizmit të administratës, rritjen e rolit të gruas në vendimmarrje etj. Kryetarja e Kuvendit shprehu kënaqësinë për të bashkëpunuar me PNUD në drejtim të forcimit të kapaciteteve të parlamentarizmit në përgjithësi, ndërsa i kërkoi zonjës Touimi Benjelloun krijimin e një ure bashkëpunimi në luftën kundër kancerit tek femrat.

Në këtë drejtim, Kryetarja e Kuvendit theksoi rëndësinë që ka rritja e ndërgjegjësimit të shoqërisë, e veçanërisht të gruas në bashkëpunimin në luftën kundër këtij fenomeni.

“Mendoj se është e rëndësishme që ne të gjejmë një rrugë bashkëpunimi për të ndërgjegjësuar shoqërinë e veçanërisht gratë në luftën kundër kancerit. Të bëjmë ato që të shkojnë të vizitohen, të bëjnë pap-testin, kjo është shumë e rëndësishme për shoqërinë. Unë kam qenë në shumë qytete e fshatra në vend dhe kam takuar nga afër shumë gra të cilat ngurronin të shkonin të bënin testin dhe mendoj se duke bashkëpunuar ne mund rrisim ndërgjegjësimin e shoqërisë për tu përballur me këtë fenomen” u shpreh zonja Topalli. /Start/

                                                                                             2011-01-19 15:06
  [ 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›