Takimet, Ndërkombëtarët përgatisin tryezën e Topit
Autori i Lajmit: S. TopiPërfaqësuesit e Komisionit Evropian, Bashkimit Evropian, por dhe SHBA-së kanë nisur edhe për këtë javë valën e takimeve me krerët e partive politike për të siguruar tryezën e negociatave mes tyre. Pothuajse në të njëjtën orë ata janë shpërndarë në drejtim të dy institucioneve ku qëndrojnë kryetarët e dy partive më të mëdha të vendit, Sali Berisha dhe Edi Rama. Kreu i delegacionit të KE-së, Helmut Lohan dhe ambasadori i Spanjës, Manuel Montobbio i janë drejtuar Kryeministrisë ku në një takim kokë më kokë me Berishën kanë qëndruar për pothuajse një orë. Madje axhenda e zgjatur e tyre ka shtyrë dhe mbledhjen e parashikuar të Qeverisë. Në të njëjtën kohë në Bashkinë e Tiranës ishte ambasadori amerikan në vendin tonë, Xhon Uidhers, i cili zhvilloi takim me kryesocialistin Edi Rama.
Axhenda
Asnjëra prej palëve nuk ka dashur të japë një version zyrtar të bisedës. Uidhers u mjaftua duke thënë për median se diskutoi me Ramën për vizitën e tij të fundit në Amerikë. “Thjesht donim të bisedonim për kthimin e tij nga SHBA. Shpresoj që ai kaloi një udhëtim të mirë dhe besoj se ka qenë vërtet kështu”, - iu përgjigj Uidhers interesit të medias për temën e bisedës me kryebashkiakun e Tiranës. Por ndërkohë burimet nga të dyja palët konfirmojnë se kriza politike dhe tryeza e nevojshme për zgjidhjen e saj kanë qenë në qendër të vëmendjes. Takimi i ambasadorëve Lohan dhe Montobio me Berishën vjen vetëm pak ditë pas atij të zhvilluar me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Pas këtij takimi, dy përfaqësuesit e lartë të KE-së dhe BE-së bën thirrje për dialog politik po ashtu dhe presidenti Bamir Topi. Kreu i Shtetit përsëriti idenë për negociata mes palëve, ndërsa pohoi se për këtë gjë është i nevojshëm vullneti politik mes tyre. Ai shprehu keqardhje dhe për debatin e zhvilluar në Asamblenë e Këshillit të Evropës lidhur me krizën politike në Shqipëri. Më tej ai ka shprehur edhe një herë qëndrimin e tij se ndjek me vëmendje situatën paszgjedhore në Shqipëri si dhe “mirëpret të gjitha përpjekjet serioze për të kontribuar në përmirësimin e klimës politike dhe në rivendosjen e dialogut parlamentar”. Rezoluta e KE-së, e miratuar më 28 janar, përmbante 10 pika nëpërmjet të cilave i bënte apel politikës shqiptare të zhbllokojë në mënyrë urgjente krizën politike që ka bllokuar funksionimin normal të të gjitha institucioneve demokratike në vend. KE u kërkon qeverisë shqiptare dhe opozitës ti japin fund krizës politike dhe të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre për të thelluar reformat e mëdha në vend. KE i drejtohet me thirrje urgjente qeverisë që brenda pak ditëve të ngrejë një komision parlamentar hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit të vitit te kaluar. Një thirrje e drejtpërdrejtë i drejtohet opozitës, e cila duhet të kthehet në Parlament dhe të kontribuojë për ecurinë e reformave. Ndërkohë që rekomandohet dhe që presidenti Topi të luajë rolin e negociatorit në zgjidhjen e krizës politike në të cilën është zhytur vendi. “Në mënyrë që të mbështetet procesi i zgjidhjes së situatës aktuale politike dhe të asistojnë presidentin Topi në rolin e tij të mediatorit dhe përpjekjeve për të rivendosur dialogun politik dhe ti jepet fund bojkotit bazuar në pranimin e rezultateve të zgjedhjeve të fundit dhe rivendosjen e demokracisë parlamentare, Asambleja vendosi ti kërkojë: 10.1 Presidentit Topi, në qoftë se ekziston ndonjë rrugë për të ndihmuar përpjekjet e tij në arritjen e pajtimit”, - thuhet në pikën 10 të saj. Pikërisht plotësimin e këtij rekomandimi duket se kanë pasur qëllimin kryesor takimet e zhvilluara dje nga ambasadorët ndërkombëtarë të cilët po përgatisin tryezën e bisedimeve para se të mbërrijnë përfaqësuesit e KE-së.
Ky lajm është publikuar: 04/02/2010