Brazili merr licencën e ndërtimit të hidrocentralit në Amazonë
Autori i Lajmit: Redaksia
Qeveria e Brazilit ka siguruar një licencë mjedisore për ndërtimin e një dige hidroenergjetike në pyjet e Amazonës. Ambientalistët thonë se diga e Belo Montes do të shkaktojë shkatërrimin e një zone të madhe të pyllit dhe është një kërcënim serioz për shkatërrimin e popullsive indigjene të zonës. Sidoqoftë, qeveria thotë se cilido që do të ndërtojë hidrocentralin, në projekt do të shpenzojë rreth 800 miliardë dollarë për të mbrojtur mjedisin nga dëmet që mund të shkaktojë. Propozimi për të ndërtuar një hidrocentral në degën e lumit Xingu në Amazonë ka qenë një burim i debatueshëm prej shumë kohësh. Projekti është hedhur për herë të parë dy dekada më parë, por është braktisur andej nga vitet 1990, për shkak të protestave në Brazil dhe kudo tjetër në botë. Fiset indigjene thonë se hidrocentrali në Belo Monte është një kërcënim për jetën dhe ekzistencën e tyre për shkak të llojit të jetës që bëjnë. Qeveria thotë se skema është modifikuar për shkak të frikës se ajo do të kërcënojë mënyrën e jetesës së banorëve të zonës. Qeveria (ministri i Mjedisit, Karlos Mink) thotë se ata që do të fitojnë tenderin për të ndërtuar digën do të kenë për detyrë dhe mbrojtjen e mjedisit dhe për këtë qeveria ka parashikuar shumën e 800 miliardë dollarëve, por dhe përmbushjen e 40 kritereve të tjera mjedisore. Sidoqoftë, kritikët thonë se devijimi i rrjedhës së lumit Xingu do të jetë shkatërruese për një zonë të madhe të pyllit dhe do të sjellë zhdukjen e rasateve të peshkut. Ata thonë se ndërtimi i digës në Amazonë do të ndikojë direkt në jetën e 40 mijë njerëzve dhe rreth 500 km katrorë tokë do të përmbytet. Pasi të ndërtohet, hidrocentrali i Belo Montes do të jetë hidrocentrali i tretë më i madh në botë pas atij kinez dhe “Itaipu”, që u përket shteteve të Brazilit dhe Paraguait. Për ekonominë braziliane që shfaq shenja rritjeje, ministrat thonë se hidrocentralet janë mënyra më e mirë e sigurimit të energjisë për dekadën e ardhshme dhe të paktën 70 hidrocentrale të tjera janë planifikuar të ndërtohen në këtë zonë.
Ky lajm është publikuar: 03/02/2010