Fundi i Botës? Ishujt e Dubait janë zhytur në ujë
Autori i Lajmit: Redaksia
Dubai - Fotoja që shikoni tregon se si duket bota sipas disa inxhinierëve ambiciozë në Dubai, por tashmë ishulli i famshëm i botës duket i ngrënë nga pamjet satelitore të NASA-s. Imazhet mbresëlënëse të arqipelagut mahnitës të ndërtuar në mes të detit nga dora e njeriut u morën nga një astronaut shumë larg tokës në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor të NASA-s. Në foto duken shumë qartë Ishujt e Botës (në të djathtë), ndërsa i përshkon uji i bregdetit të Dubait. Dëmtimet e Ishujve të Botës nuk mund të shihen me sy të lirë nga bregdeti dhe tashmë e parë nga hapësira ky grumbuj artificial ishujsh e ka humbur formën e tij fillestare të globit të tokës që kur u ndërtua në vitin 2003. Që në fazat fillestare të projektit, ishulli mendohej se do të ishte “gllabëruar” nga njerëzit e pasur, madje kishte zëra që konfirmonin se platforma prej 300 ishujsh ishte shitur e tëra. Aktorët e njohur të Hollivudit, Angelina Jolie dhe Brad Pitt, thuhej gjithashtu se kishin vendosur të blinin Etiopinë. Për ndërtimin e këtyre ishujve artificialë kompania “Nakheel Properties” i mblodhi të ardhurat brenda 5 viteve. Për të ndërtuar platformën gjigante janë dashur 11 miliardë metra kub rërë dhe 47 milionë tonë shkëmbinj. Sidoqoftë, tani duket se projekti nuk ka dështuar. Ndërtimi i lagunës artificiale u pezullua vetëm vitin e shkuar dhe faqja zyrtare e kompleksit “Ishujt e Botës” rreshti së funksionuari. Përditësimi i fundit i saj ishte më 1 tetor 2008, ku u njoftua se ishin mbledhur fondet për fillimin e punimeve të ishujve. Më pas në nëntor 2009, “Dubai Ëorld”, e cila ka në pronësi “Nakheel Properties”, kërkoi shtyrjen e punimeve, sepse kishte një borxh 26 miliardë dollarë të pashlyer. Nga pamjet satelitore, ndërsa projekti është i pezulluar për momentin, duket se shumë nga ishujt janë bashkuar me njëri-tjetrin, madje ekziston mundësia që platformat edhe të fundosen. Resorti luksoz Palm Jumeirah” sot është një qendër atraktive turistësh. Hoteli Atlantis që kushtoi 800 milionë paund u hap me shumë bujë në vitin 2008. Ai përfshin një akuarium gjigant, ndërsa një natë në suitën e magjishme të tij kushton deri në 13,000 paund. “Nakheeli” e kishte parashikuar suksesin e tij, por së fundmi recesioni ka prekur shumë investitorë. Vetë Donald Trump, i ka tërhequr investimet tij nga ishulli i palmave për shkak të krizës ekonomike. Këto investime në Dubai janë kritikuar shpesh nga aktivistët e mjedisit, të cilët thonë se ndërtimi i ishujve artificialë shkatërron jetën koralore dhe rrit nivelin e ujit. Imazhi që ju shikoni në foto është shkrepur më 13 janar nga një anëtar i ekspeditës ISS të NASA-s që ka 22 astronautë në ekuipazh. Ai ka përdorur një aparat dixhital fotografik Nikon D2Xs, me kosto 3 mijë paund me një objektiv fokus 400 mm për të shkrepur foton. Më pas ajo është përpunuar për ti rritur kontrastin. Astronautëve iu kërkua të bënin foto të tokës për tiu ardhur në ndihmë shkencëtarëve dhe jo vetëm. Dhe fotoja i ka dhënë menjëherë rezultatet duke tërhequr interesin e madh publik të marrëzisë më të madhe të Dubait. Një ekonomi gjithmonë e në rritje. Rrjet rrugor, teknologjik dhe ndërtesa nga më të bukurat në botë. Magjia e papërshkrueshme mes hoteleve me shtatë yje dhe parajsës së luksit. Qyteti i Emirateve Arabe është një model zhvillimi për Lindjen e Mesme. Dubai është një kantier financiar, portal, rrugor dhe teknologjik, që funksionin 24 orë në ditë.
Ky lajm është publikuar: 03/02/2010