Kompensimi i pronarëve, Financat pengojnë miratimin e ligjit
Autori i Lajmit: RedaksiaKomisioni i Ligjeve nuk ka mundur të miratojë dje në tërësi ligjin “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”. Mungesa e një sqarimit të plotë të Ministrisë së Financave lidhur me mënyrën e administrimit të fondit special ka lënë pa miratuar nenin 4 të projektligjit, i cili trajton posaçërisht këtë çështje por dhe nenet 8 dhe 9 ku përcaktohen parimet për nxjerrjen e akteve nënligjore dhe shfuqizimin e një vendimi nr.610 të vitit 2009. Në nenin katër të ligjit pika 5 thuhet se “Ministria e Financave përcakton me udhëzim mënyrën dhe procedurën për administrimin e fondit të kompensimit dhe rregullat për arkëtimin e administrimin e burimeve që përbëjnë fondin e kompensimit”.
Burimet
Projektligji i propozuar nga Ministria e Drejtësisë përcakton se burimet kryesore të fondit special të kompensimit do të jenë të ardhurat nga buxheti i shtetit për kompensimin e subjekteve të shpronësuara, të ardhurat nga shitja në ankand e pasurive shtetërore për të cilat nuk ka vendim të dhënë nga komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronave në masën 65 për qind e vlerës së shitjes për objektet dhe 100 për qind e vlerës së shitjes për truallin, të ardhurat e arkëtuara nga transferimi i pronësisë së parcelës shtetërore sipas ligjit “Për legalizimin dhe urbanizimin e ndërtimeve pa leje”, por dhe të ardhura të tjera sipas ligjeve të veçanta apo akteve nënligjore. Pjesë e këtij fondi mund të jenë dhe donacione të ndryshme. Të gjitha këto të ardhura do të menaxhohen nga Agjencia për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, i cili do të çelë në thesarin e Bankës së Shqipërisë një llogari të veçantë. Llogaritë e këtij fondi do të kalojnë në Kuvend për tu miratuar së bashku me buxhetin faktik. Në bazë të nenit 6 pika 1 e këtij projektligji të ardhurat e siguruara nga transferimi i parcelave shpërndahen në bazë të një vendimi të propozuar nga Ministria e Financave dhe të miratuar nga Këshilli i Ministrave i cili parashikon dhe shtrirjen kohore të përfitimit të kësaj shume. Në po këtë nen përcaktohet se pjesa e mbetur e fondit përdoret për kompensimin në periudha të ndryshme kohore në varësi të të ardhurave. Subjektet përfituese në emër dhe në llogari të tyre hapin një llogari bankare në njërën nga bankat e nivelit të dytë. Vërtetimin e lëshuar nga banka e dërgojnë pranë AKKP-së e cila ia bashkëlidh dosjes së aplikimit.
Dokumentacioni
Neni 5 i projektligjit përcakton se subjektet e shpronësuara që kanë fituar të drejtën për kompensim në përputhje me ligjin nr.9235 datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronave”, të ndryshuar përfitojnë kompensim nga fondi i kompensimit sipas vlerës dhe mënyrës së përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave për caktimin e rregullave dhe të kritereve për shpërndarjen e fondit të kompensimit të pronarëve në të holla. Pronarët që kanë fituar të drejtën për shpërblim në përputhje me ligjin nr.9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” të ndryshuar, përfitojnë kompensim nga fondi i kompensimit në varësi të të ardhurave të arkëtuara nga transferimi i pronësisë së parcelave ndërtimore. Çdo subjekt i shpronësuar, të cilit i njihet e drejta e kompensimit të pronës me një ligj të veçantë, përfiton kompensim nga fondi i kompensimit sipas rregullave të përcaktuara në këtë dhe/apo në ligjin që i njeh të drejtën e kompensimit.
Ky lajm është publikuar: 04/02/2010