Berisha: “Të ndryshojmë Kodin Penal, të rrisim dënimin e dytë maksimal”
Duke folur në mbledhjen e Grupit Parlamentar, kryeministri Berisha i është referuar projektligjit për faljen që po diskutohet së fundi në Kuvend. Ai tha se ky ligj është shumë i rëndësishëm, por një prej pikave të tij kërkon sqarim. Sipas Berishës, është debatuar futja apo jo e personave të dënuar me burgim të përjetshëm tek ata që përfitojnë te falja e Presidentit. Por, sipas Berishës, kjo mund të bëhej në rast se ndryshon Kodi Penal dhe dënimi i dytë maksimal, që në Shqipëri është 5 vjet burg, të rritet. “Unë do të bëja një sugjerim për ligjin që keni diskutuar sot lidhur me faljen. Ky ligj është një ndër ligjet e rëndësishme të vendin në rrafshin juridik dhe moral. Por ky ligj bie ndesh në një pikë me qëndrimin dhe opinionin e ekspertëve të vendit dhe kjo pikë është e përfshirjes ose jo në sistemin e faljes të atyre që kanë marrë dënim të përjetshëm. Në situatën aktuale të Kodit Penal shqiptar, i cili, pas dënimit përjetë ka dënim të dytë maksimal, 25 vjet, natyrisht kjo nuk mund të bëhet. Por, në rast se deputetët e Partisë Socialiste bien dakord që të ndryshojë Kodi Penal dhe afati i dënimit maksimal të jetë jo 25 vjet, por të jetë: 61 e ka Britania e Madhe, 100 e ka Italia, 50 e kanë vende të tjera, - atëherë ne mund të mos bëjmë përjashtime në sistemin e faljes, por me kusht që të ndryshojë paraprakisht, sepse ata që janë dënuar përjetë janë persona që kanë kryer krime ndër më të rëndat dhe më të rrezikshmet, dhe Drejtësia shqiptare meriton vlerësimin më të madh për ato dënime që ka dhënë. Në asnjë rrethanë këta gjykatës dhe prokurorë që i janë përgjigjur ligjit nuk mund të lëndohen nga politika në kushtet ekzistuese. Në qeveri e mbyllëm kapitullin siç erdhi tek ju, që dënimet përjetë të mos përfshihen. Në doktrinën e së drejtës kjo është e diskutueshme, ndaj dhe njëherë do të doja që kryetari i Komisionit të Ligjeve, sekretari, të bëjnë një diskutim me përfaqësuesit e Partisë Socialiste, në rast se ata bien dakord, që ne të ndryshojmë Kodin Penal, të çojmë një tavan tjetër; gjë e cila, për hir të së vërtetës mund të bëhet, sepse nuk është se kjo tradita diktatoriale, e cila ka qenë ose ekzekutim, ose 25 vjet, hapësirë tani ne nuk kemi ekzekutim, kemi dënim përjetë, e kemi hequr dënimin me vdekje, kemi bërë shumë mirë. Por mund të shihet në mënyrë që të qëndrojmë plotësisht në linjë me doktrinat”, - është shprehur Berisha.
8 Qershor 2010