E Diel, 1 Nëntor 2026

Drafti për faljen, deputetët: Procesi është kthyer në biznes me të burgosurit

Komisioni i Ligjeve diskuton projektligjin për faljen

Eljona Ballhysa
Projektligji i hartuar nga Ministria e Drejtësisë ka nisur diskutimin dje në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, ndërsa ka hapur një plagë të debatuar gjatë. Kanë qenë vetë deputetët, si të Partisë Socialiste, ashtu dhe ata të Partisë Demokratike që kanë ngritur dyshime rreth procesit të faljes së të burgosurve, duke e cilësuar atë në disa raste një proces korruptiv dhe në disa raste që kthehet në pazar për uljen e viteve të burgut. Gjatë mbledhjes së djeshme ka raportuar në Komision për projektligjin ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, i cili u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve, ndërsa vetë e ka vënë theksin disa herë që ky projektligj nuk i merr të drejtën kushtetuese të faljes Presidentit të Republikës.
Dyshimet
Ka qenë deputeti i PS-së Pandeli Majko që hodhi dyshimin e një procesi korruptiv përsa i përket faljes së të burgosurve. Duke iu referuar afatit që ka parashikuar drafti prej 90 ditësh për shqyrtimin e kërkesës për falje, Majko e pyeti ministrin Nishani nëse është e mundur të realizohet brenda këtij afati i gjithë procesi dhe a jepet mundësi për transparencën e këtij procesi. Pasi, siç tha Majko, ekzistojnë fjalë për një proces korruptiv që përfshin, sipas tij, Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe më lart. “Sepse të jemi të sinqertë, edhe sot e kësaj dite ky proces shoqërohet me shumë fjalë, fjalë që duke filluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe më lart, flasin për korrupsion”, - është shprehur Majko.
Ndërsa ministri Nishani u bëri thirrje ligjvënësve që ta hetojnë të gjithë këtë proces. “Ju jeni ligjvënës dhe i keni të gjitha mundësitë për të hetuar këtë proces. Unë garantoj se Ministria e Drejtësisë dhe institucionet që varen prej saj i kanë kapacitetet administrative për ta përmbushur në afat procedurën e shqyrtimit të kërkesës për falje”, - është shprehur Nishani. Ndërsa kryetari i Komisionit, Ilir Rusmali, u shpreh se në draft humbet ndarja midis faljes së pjesshme dhe faljes së plotë dhe shpeshherë duket si një histori pazari. Kësaj pyetjeje iu përgjigj përfaqësuesi i Dhomës së Avokatëve, Maks Haxhia, i pranishëm në Komisionin e Ligjeve. Ai tha se kjo funksionon si në gjykatë, kur prokurori kërkon një masë tjetër dhe gjykata vendos një masë tjetër.
Ministria
Ndërsa ministri Nishani, si gjatë leximit të relacionit shoqërues të projektligjit, por edhe gjatë seancës së pyetje-përgjigjeve, theksoi se drafti nuk i merr kompetenca Presidentit të Republikës. I pyetur se cili ka qenë qëndrimi i institucionit të Presidentit në lidhje me këtë draft, Nishani ka pohuar se ka pasur rezerva në lidhje me kompetencat e Presidentit, ndërsa theksoi se drafti nuk ia merr Presidentit të drejtën kushtetuese të faljes. “Së pari unë garantoj se në asnjë rast, as në frymë, as në përmbajtje, projektligji nuk cenon të drejtën kushtetuese të Presidentit për të falur. Pasi edhe në këtë ligj e drejta e vendimmarrjes i takon vetëm Presidentit. Ndërsa firma e ministrit është thjesht procedurale. Atë që deri dje e bënin organizata e ndryshme, apo pushteti vendor, apo që bëhej në mënyrë individuale, pra kërkesa për falje që i drejtohej Presidentit, tani do ta bëjë Ministria e Drejtësisë. Presidenti do të ushtrojë njëlloj të drejtën kushtetuese. Pra është e njëjta procedurë që ndiqet me të drejtën e dhënies së nënshtetësisë, që propozohet në këtë rast nga ministri i Brendshëm dhe dekretohet nga Presidenti. Kështu do të bëhet dhe me faljen, do të propozohet nga ministri i Drejtësisë dhe do të dekretohet nga Presidenti. E gjitha kjo bëhet për të unifikuar procedurat e shqyrtimit të kërkesave të shumta për falje”, - ka sqaruar dje në Komisionin e Ligjeve ministri Nishani.
Duke iu referuar qëndrimit të institucioneve të tjera, Nishani bëri të ditur se gjatë hartimit të draftit ka pasur debate në lidhje me mënyrën e votimit në Kuvendit të këtij projekti. Sipas Nishanit, është kërkuar që të votohet me shumicë të cilësuar, pra me 84 vota. Por ai sqaroi se kjo kërkesë nuk qëndron. “Kjo kërkesë nuk qëndron pasi ky nuk është ligj organik dhe nuk është ligj që rregullon funksionimin e institucioneve kushtetuese dhe, si i tillë, nuk ka pse të votohet me shumicë të cilësuar”, - është shprehur ministri. Deputetët e Komisionit të Ligjeve do të vazhdojnë diskutimin në parim të këtij projektligji gjatë mbledhjes së sotme.

Projektligji, kriteret:
Falja e dënimit mund të jepet kur:

Nuk ekzistojnë kriteret ndaluese të parashikuara në ligj.
Personi i dënuar me sjelljen, punën dhe veprimet e tij tregon se nëpërmjet dënimit të vuajtur është arritur qëllimi për edukimin e rehabilitimin shoqëror të tij.
Përmbushet të paktën njëri prej kritereve të mëposhtme:
Personi i dënuar në kohën e kryerjes së veprës penale ka qenë i mitur.
Kur për shkak të sëmundjes dhe moshës së personit të dënuar nuk justifikohet më vazhdimi i mëtejshëm i vuajtjes së dënimit.
Kur e dënuara është shtatzënë e më fëmijë në gji ose ka të paktën dy fëmijë të mitur.
Kur personi i dënuar ka vuajtur më shumë se 1/3 e dënimit të dhënë.

Falja e dënimit nuk jepet në rastet kur:

Vendimi gjyqësor nuk ka marrë formë të prerë apo nuk është bërë i ekzekutueshëm.
Ka përfunduar ekzekutimi i vendimit.
Ekzekutimi i vendimit nuk ka filluar për shkak se i dënuari i është shmangur ekzekutimit.
Vepra penale është kryer me egërsi dhe mizori kundër fëmijëve, grave shtatzëna apo personave që, për shkaqe të ndryshme, nuk mund të mbrohen.
Personi është dënuar për veprën penale të gjenocidit, krime lufte ose krime kundër njerëzimit.
Personi është dënuar me burgim të përjetshëm.
Ndalohet shprehimisht në ligj.

8 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›