E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i Ekzekutivit: “Kuvendi do të ngrejë një komision hetimor për masakrën e Tivarit”



Kryeministri Sali Berisha, dje, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, deklaroi se Kuvendi duhet të ngrejë një komision hetimor për të zbardhur të vërtetën e masakrës së Tivarit. Berisha ka theksuar se hetimi duhet të shtrihet edhe në Mal të Zi dhe në vendet e tjera të rajonit, ku ka pasur informacione. Ai ka theksuar se ekziston një platformë për shfarosjen e shqiptarëve, mbi bazën e së cilës është marrë vendimi. “Gjenocidi i Tivarit është një nga gjenocidet më të mëdha në historinë e Luftës së Dytë Botërore e deri më sot për shqiptarët”, - tha Berisha. Kreu i Ekzekutivit reagoi gjithashtu edhe për deklaratën e ish-presidentit Ramiz Alia, duke thënë se “xhelati nuk mund t’i lajë duart para këtij akti”. Deklaratën e ish-presidentit Alia se “kosovarët e dinë se kush e ka bërë masakrën e Tivarit”, Berisha e ka cilësuar si të papranueshme dhe ka kërkuar nga deputetët e PD-së të nisin punën për ngritjen e komisionit. Berisha theksoi se ata njerëz që u vranë vetëm për përkatësinë e tyre etnike nuk mund të jenë kurrë të qetë nëse nuk zbardhet e vërteta. Kryeministri i ka mëshuar faktit që ngjarja e vrasjes së rreth 5 mijë të rinjve nga trevat shqiptare në Tivar është ndikuar dhe nga elita e Partisë Komuniste.
“Ky genocid u ndihmua nga klika barbare e Tiranës”, tha Berisha. Ai shtoi se këta njerëz duhet të marrin dënimin ekzemplar. Kjo përbën vrasjen më masive, ndoshta në gjithë historinë e tyre. Gjenocidi i Tivarit nuk është fantazi, por vepra më e shëmtuar, më e rëndë që i ka ndodhur ndonjëherë këtij kombi”, - u shpreh Berisha. Duke u ndalur në këtë ngjarje, Berisha ka thënë se kjo ka qenë më e rënda për kombin. “Ata që u mblodhën derë më derë, në trevat shqiptare jashtë kufijve, nuk ishin oficerë si oficerët polakë. Por ata ishin lulja e kombit shqiptar, ishin djemtë e familjeve që u ekzekutuan vetëm e vetëm për t'u pakësuar shqiptarët”, - tha kryeministri Berisha.

8 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›