E Diel, 1 Nëntor 2026

Imami emëron truprojën nëndrejtor të SHIU-t. Ja si janë ngjitur rojet personale në piramidën shtetërore

Taulant Demiraj është emëruar si zëvendësdrejtor i Shërbimit Informativ Ushtarak. Prej kohësh ai ka qenë pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes si truprojë e ministrit Arben Imami. Sipas gazetës Shqip, urdhri është firmosur prej ditësh dhe Demiraj është me detyrë të re, ndonëse ministria nuk e konfirmon.

Këto ndryshime vijnë në një kohë trazirash për SHIU-n, i cili është vënë nën akuzat e opozitës për përgjime të paligjshme si dhe për përfshirje të familjarëve të ish-kreut të SHIU, Ylli Zyla, në një aferë për tregtinë e armëve.

Karrierë e truprojave është kthyer në modë sepse ka edhe mjaft raste të tjera, ku ato i kanë ngjitur shkallët si njerëz të besuar të pushtetarëve.

Ndër to, në gazetën Shqip citohen:

Rasti i Agron Kuliçajt, i cili nga truprojë i Sali Berishës, tashmë është zv/drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ai ka kapur majën e administratës së uniformave blu duke u caktuar si numri dy i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.

Rast tjetër është emërimi i truprojës së deputetes së PD-së, Albana Vokshi, Bashkim Shehu si drejtor i SHKB- së.

Arben Ibro nga truprojë i Kryeministrit, bëhet drejtor i OST- së (rrjeti i transmetimit dhe shpërndarjes të energjisë). Ibro më parë ka punuar në Shërbimin Informativ Kombëtar, drejtor i Doganës në Durrës dhe në aeroportin e Tiranës, Rinas.

Njerëzve të besuar të pushtetarëve iu jepen postet drejtuese, të cilat kanë rëndësi të veçantë, që lëvrimi i fondeve të jetë i sigurt.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›