Berisha: Të përulemi para klerikëve, rol për pavarësinë
Kryeministri Berisha u ka uruar të gjithë besimtarët katolikë festën e Pashkëve. Në fjalën e tij pas vizitës me Ipeshkvin i Arqipeshkvisë Metropolitane, Imzot Rrok Mirdita, kryeministri Berisha theksoi se Pashka këtë vit është shumë e veçantë pasi festohet në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
“Erdha të shpreh urimet e mia më të përzemërta Imzot Rrok Mirditës, udhëheqësit të kishës katolike, në këtë ditë të shenjtë, ditë të ringjalljes të përjetësisë dhe të shpresës. Pashka është një ditë e madhe për të gjithë ata që i besojnë zotit sepse u ngjall Krishti, burri që me shpirtin e tij u shkri në moralin e njerëzimit. Profeti që meritoi të jetë profet në të gjitha besimet por ky është një moment shumë i veçantë pasi këtë vit Pashkët festohen në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë” ka theksuar Berisha.
Ai vlerësoi rolin e madh të klerikëve katolikë në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë ndërsa shtoi se është detyrimi I të gjithë shqiptarëve të përulen me nderim më të madh para rolit të jashtëzakonshëm që udhëheqësit e klerit katolik, ortodoks, mysliman kanë luajtur këto 100 vjet në konsolidimin e pavarësisë së Shqipërisë.
"N.q.se shikojmë në vitet 12 apo atyre viteve shqiptarët nuk duhen të çuditen që do të gjejnë në historinë e tyre burra viganë, të krerit katolik që bënë gjithçka për formimin e shtetit shqiptar, për Shqipërinë e pavarur, të cilët përdoën të gjithë fuqinë e tyre nga senati dhe kongresi amerikan gjer në Vatikan që Shqipëria të bëhej e pavaruar. Ironia ishte se jo rrallë këta burra përballeshin jo më vetëm me ata që e kundërshtonin këtë pavarësi por edhe me politikan të zhveshur nga çdo moral shqiptari” ka theksuar Berisha.
Ai ka theksuar më tej se Kisha katolike u shndërrua në ato vite në një flamurtar të vërtetë të çështjes kombëtare, të pavarëissë së Shqipërisë dhe të konsolidimit të saj. “Kisha ishte një avokate e madhe e kësaj çështje jo vetmë në selinë e shenjtë por në të gjitha lidhjet e saj. Sot në këtë 100- vjetor nuk mund të mos përulesh para sakrificës sublime të dhjetra dhe qindra klerikëve katolikë që u flijuan për tu bërë të pavdekshëm, u martirizuan për të mbrojtur vlerat hyjnore dhe njerëzore nga një regjim barabar” ka shtuar më tej Berisha.