E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: "Të rrëzojmë murin që na pengon në integrim me votë"

09/01/2005  Kryetari i Partisë Demokratike e ka etiketuar, prej Durrësit, Kryeministrin Fatos Nano dhe mbështetësit e tij si "klikë pasuese e Enver Hoxhës, që i mori kombit mendjen perëndimore, duke e asgjësuar atë". Berisha shprehu besimin se Shqipëria me PD-në do të shkojë drejt Brukselit dhe jo drejt Nigerisë. Ndaj, ai ftoi qytetarët "të rrëzojmë murin që na pengon dhe të integrohemi. Këtë do ta realizojmë me votë të lirë dhe demokratike". Sipas Berishës, PD që nga viti 1993 u dha 460 mijë familjeve fshatare prona, katërfishoi pagat dhe krijoji tregun privat. "75 për qind e Prodhimit të Brendshëm erdhi nga nga krijimi i tregut të lirë. Në mandatin e parë u rritën 9 për qind të ardhurat kombëtare", tha Berisha. Ndërsa Nanon ai e vlerësoi si ryshfetxhiun më të madh që mund të njohë historia e njerëzimit dhe që "është personifikimi i njeriut që as nuk skuqet dhe as nuk zverdhet". Për Berishën, kompanitë e transportit ajror dhe tokësor janë monopol i Nanos dhe i klikës së tij. "Me parat e vjedhura të taksapaguesve shqiptarë luan kumar dhe projekton krime. Në Durrës kam denoncuar klanin e territ, se nuk ka asgjë të ndryshme nga klani i Zemunit. Nano dhe klani i tij janë kontrabandistë dhe në garazhdet ku e ka mbyllur terri, flenë krimet e Kryeministrit", tha Berisha. Sipas tij, në Shqipëri vidhen në vit 700 milionë euro dhe shqiptarëve u hiqet nga arka e shtetit 1.1 miliard euro, të vjedhura dhe të pavjelura. "Kjo shumë do të mjaftonte për të trefishuar rrogat dhe pensionet, për legalizim dhe urbanizim, për ujë dhe drita, jo vetëm në Durrës, por në të gjithë Shqipërinë", tha Berisha. Në lidhje me debatin më të fundit në politik, atë të statusit të Enver Hoxhës, Berisha theksoi se "klika Nano dhe Moisiu kërkojnë të rehabilitojnë Hoxhën. Ne hymë në përballje me regjimin mizor këtu e 14 vite me parë, siç jemi dhe sot. Në mars të vitit ´92, PD fshiu nga harta kampet e përqëndrimit dhe telat me gjemba. 14 vite më parë mbushëm rrugët për të kërkuar demokraci, ndërsa klika e Kryeministrit Nano luanin kumar". Berisha vizitoi dje Durrësin me rastin e themelimit të degës së PD-së. Ai shoqërohet nga bashkëshortja Liri Berisha, nënkryetari i PD-së, Bamir Topi, sekretari i Marrëdhënieve me Publikun, Spartak Ngjela etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›