E Hënë, 2 Nëntor 2026

PSD do të kandidojmë në të 100 zonat elektorale

09/01/2005  PSD vendos kusht për bashkëpunimin qeveritar me socialistët luftën kundër korrupsionit. Ndërkohë për herë të parë PS paralajmërohet se socialdemokratët do të kandidojnë me konkurrentët e tyre në të 100 zonat zgjedhore. Sipas Skënder Gjinushit, "kritikat për korrupsion nuk janë normale, por janë në përgjithësi. Në rast se PSD-ja shikon përkeqësim të situatës, patjetër që mund të shkojmë deri në largim nga koalicioni qeverisës. Shqetësimi ynë ka qenë pozicioni i PSD-së në qeverisje dhe çfarë duhet të bëjë qeverisja për të hyrë në një imazh më të mirë për vitin 2005". Kështu, Gjinushi ka unifikuar qëndrimet me ministrin e PSD-së në kabinetin "Nano", Engjëll Bejtja. Nga ana e tij vetë ministri shprehet se "të gjitha përpjekjet e partisë kanë qenë për ta forcuar koalicionin, për ta shëndoshur atë dhe për të respektuar institucionit të këtij shteti".

Zgjedhjet

Sipas Gjinushit, pavarësisht se mungon një platformë e përbashkët me PS-në, për zgjedhjet "do të konkurrojmë në të 100 zonat elektorale. Gjithsesi do t'i qëndrojmë asaj që alenaca me të majtën dhe aleanca PS-PSD do të jetë përsëri baza e fitores". Kjo është deklarata e parë që socialdemokratët japin për kandidimin në të gjitha zonat elektorale, duke vënë sinjalet e alarmit për bashkëpunimin me PS-në.

Qeveria

Kreu i socialdemokratëve ka përsëritur sërish kërkesën për ndryshime në qeveri. Sipas tij, "ndryshimet janë kërkuar jo vetëm nga PSD-ja, por dhe nga organizma të tjerë, të cilët kanë bërë analiza shumë më serioze se këto që bëjmë ne sot. Qeveria është kritikuar vazhdimisht për korrupsion nga raporti i Bashkimit Evropian". Gjinushi në qëndrimin e tij thekson se nuk është normale që të thuhen emra se kush apo sa është i korruptuar, por duhet që qeveria të reagojë kur ndërkombëtarët shprehen se administrata është e korruptuar. "Korrupsionin nuk e lidhim me emra të caktuar. Kur flitet që Shqipëria është më e korruptuara, përgjegjësia kryesore i bie qeverisë që ta luftoj. Emrat e njerëzve dhe ministrive të korruptuara i nxjerrin organe të tjera", tha Gjinushi. Ndërkohë PSD-ja do të përgatitet për të dalë e vetme në zgjedhjet e përgjithshme të kësaj vere.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›