E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, kryeministri të dal para zgjedhjeve

09/01/2005  Socialistët, në Kongresin e datës 29 janar, pritet të diskutojnë mbi shpalljen e emrit të kryeministrit në qeverinë e paszgjedhjeve parlamentare, që do të zhvillohen në verën e këtij viti. Burimet kanë bërë të ditur se grupet e punës, që po punojnë mbi ndryshimin e statutit të PS-së, e kanë pranuar si opsion deklarimin e emrit të kryeministrit para zgjedhjeve. Por ende nuk ka një përcaktim të qartë, nëse në kongres kjo pikë do të kalojë për diskutim. Mësohet se do të jetë Komiteti i Përgjithshëm Drejtues i PS-së, i cili do të mblidhet pas një jave, që do të vendosë paraprakisht fatin e kësaj pike. Në rast se një çështje e tillë do të kalojë për votim në Kongresin e PS-së, atëherë pritet të kemi dhe një tjetër konkurrencë mes Fatos Nanos dhe figurave të tjera të njohura në Partinë Socialiste. Shpallja apo jo e emrit të kryeministrit para zgjedhjeve, është diskutuar në KPD-në e fundit të PS-së, të datës 13 nëntor. Në atë kohë propozimin e ka hedhur ish-sekretari organizativ i socialistëve, Petro Koçi. Por shumica e anëtarëve të KPD-së e ka hedhur poshtë këtë pikë, duke u shprehur se procedura e shpalljes së emrit të kryeministrit është e përcaktuar në statut. Faktikisht rregulli bazë i socialistëve përcakton se kryetari i Partisë lejohet të mbajë dhe postin e kryeministrit. Në këtë mënyrë është lënë e nënkuptuar se në rast fitoreje postin e drejtimit të qeverisë do ta mbajë kryetari i PS-së. Kështu që Fatos Nano është vlerësuar si figura që do të rimbajë postin e kryetarit të qeverisë. Por në rast se pranohet rishqyrtimi i propozimit, do të kemi nisjen e një tjetër gare. PS ka krijuar eksperiencë në shpalljen e emrit të kryeministrit para votimeve parlamentare. Në zgjedhjet e vitit 2004, Fatos Nano e ka deklaruar Ilir Metën, tashmë kryetar të LSI-së, si kryeministrin që socialistët do të vendosnin pas zgjedhjeve gjatë fushatës elektorale të asaj kohe. Por kjo ka sjellë debate më të ashpra në PS. Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2001, Meta akuzoi Nanon se kishte bërë fushatë elektorale, duke deklaruar emrin e tij, por menjëherë pas shpalljes së rezultateve po kërkonte që ta hiqte nga ky post. Madje në KPD-në e mbledhur pas zgjedhjeve të vitit 2001, Ilir Meta është votuar përballë Arben Malajt, për postin e kryeministrit. Debati mbi emri e kryeministrit të PS-së solli ndarjen e socialistëve në dy grupime të mëdha që degradoi në daljen më vete të mbështetësve të Metës. Por duket se këtë radhë do të jetë vetë Kongresi i socialistëve që do të vendosë nëse do të deklarohet emri i kryeministrit para zgjedhjeve apo pas tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›