E Diel, 1 Nëntor 2026

MPJ: Procedurat për viza në internet

09/01/2005  Ministria e Punëve të Jashtme do të paraqesë në adresën e saj të internetit të gjitha procedurat që duhet të ndjekin shqiptarët për të kërkuar një vizë. Burimet kanë bërë të ditur se në sitin elektronik, çdo qytetar do të ketë mundësinë që të gjejë informacionin që ai kërkon për ambasadat e huaja. Në një adresë të veçantë në sitin e MPJ-së do të pasqyrohen dhe adresat e ambasadave të huaja. Në këtë rast aplikuesit i mbetet vetëm të klikojë në ambasadën, për të cilën është i interesuar dhe aty do të gjejë të gjithë informacionin e kërkuar. Madje, të dhëna do të ketë dhe mbi koston financiare që do të paguajë një aplikues gjatë procesit të marrjes së vizave. Ideja e vizave on-line, është hedhur nga ekspertët e Ministrisë së Punëve të Jashtme, të cilët shprehen se "një pjesë e mirë e shqiptarëve që kërkojnë të marrin viza, nuk i njohin procedurat që duhet të ndiqen. Ndaj dhe ata humbasin një kohë të konsiderueshme, duke u interesuar në ambasada të ndryshme. Ndaj kemi menduar që të dhënat, mundësisht dhe formularët që duhen mbushur, t'i paraqesim në internet. Kështu që i interesuari mund të printojë të dhënat apo procesverbalin dhe ta plotësojë pa u endur nga një zyrë në tjetrën", thanë dje ekspertë të kësaj ministrie. Ndërkohë të dhëna do të publikohen dhe për vendndodhjen e ambasadave në Shqipëri. Burimet zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme thanë se procedura do të jetë e plotë në rrjetin e internetit të ministrisë brenda gjashtëmujorit të parë. Madje, ministri Kastriot Islami gjatë analizës së punës së Ministrisë tha se, ekspertët do ta kenë shërbimin on-line në qendër të vëmendjes. Ndërkohë prioritet për ministrinë ka marrë dhe krijimi i hapësirave për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në botë. Ekspertët kanë vlerësuar se rritja e sigurisë së dokumenteve të identifikimit kanë sjellë një garanci më shumë për shtetasit shqiptar. Por ata janë shprehur se rezultatet e regjistrimit të popullsisë, nuk do të jenë pozitive vetëm për zgjedhjet parlamentare, por dhe për mundësimin e lëvizjes së lirë të shtetasve shqiptarë. Megjithatë, ekspertët thanë se deri më tani janë nënshkruar marrëveshje për lehtësira në marrjen e vizave për biznesmenët dhe diplomatët në një sërë vendesh të Bashkimit Evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›