E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Të ulim moshën e votimit deri në 16 vjeç

12-03-2013 / Gazeta 55

Listës së votimeve mund t’u shtohen edhe 100 mijë qytetarë të rinj

Kreu i qeverisë kërkoi dje ndryshimin e Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, për tu dhënë mundësinë 16 vjeçarëve të votojnë në zgjedhjet e 23 qershorit. Propozimi i Berishës vjen 4 muaj para zgjedhjeve, si insistim i vetë të rinjve, që siç tha kryeministri, është një gjeneratë e maturuar dhe me një sasi dijesh, që ne e kemi të vështirë t’i vlerësojmë dhe t’i marrim me mend. Kreu i qeverisë i kërkon zyrtarisht opozitës shqyrtimin e propozimit për ndryshimin e Kushtetutës, në mënyrë që listës së zgjedhësve t’i shtohen edhe 100 mijë qytetarë të rinj

Kryeministri Sali Berisha propozon uljen e moshës së votimit për të rinjtë, nga 18 në 16 vjeç. Në takimin e përjavshëm me grupin parlamentar demokrat, kryeministri i vendit dhe njëherësh kryetar i PD-së, Berisha deklaroi se do t’i kërkojë zyrtarisht Partisë Socialiste që të diskutojnë mbi uljen e moshës së votimit për të rinjtë, për tu krijuar atyre mundësinë e votimit në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. E kërkuar nga të rinjtë si një dëshirë për të qenë pjesë e përzgjedhjes së përfaqësuesve në Kuvend, kryeministri theksoi se një praktikë e ngjashme ka gjetur zbatim dhe në shumë vende të tjera.
“Para se të ndalem tek reformat që vijnë kësaj jave në parlament, do t’i kërkoja Kryetarit të Grupit Parlamentar të negociojë me zotin Gramoz Ruçi dhe me grupet e tjera parlamentare, uljen e moshës së votimit, në 16 vjeç. Janë me qindra të rinj, të cilët më pyesin në Whats-App, në Facebook, në SMS. Po ne a do të votojmë? Po ne pse nuk votojmë? Mirëpo po të rrimë ta mendojnë thellë, mos konsideromi i tyre, dëshmon një prapambetje në kohë të gjykimit tonë për ta. Kjo është një gjeneratë krejtësisht tjetër, e pa krahasueshme as edhe me një gjeneratë të vetme në historinë e kombit. Kjo është një gjeneratë, e cila u mëkua që ditët e para të jetës me lirinë dhe vlerat e saj. Kjo është gjeneratë e internetit, i cili i bën ata të dinë më shumë, sesa ç’dinin 50 vjeçarët para gjeneratës së tyre. Kjo jo se ata nuk kishin përkushtim, por se burimet e informacionit që ta kanë, i mbrujnë, i maturojnë këta me një sasi dijesh, që ne e kemi të vështirë t’i vlerësojmë dhe t’i marrim me mend. Unë di që edhe vende të tjera kanë ulur moshën e votimit, madje mos gaboj në Shqipëri  ka parti politike, të cilat kanë ulur moshën e anëtarësimit dhe Partia Demokratike duhet ta ulë moshën e anëtarësisë, detyrimisht. Unë them edhe njëherë se kjo është një gjeneratë, të cilën ne e kemi të vështirë ta imagjinojmë shkallën e zhvillimit të saj. Krejtësisht tjetër. Nuk po flas për veten time. Nuk po flas për vitet e fëmijërisë sime në shkollën 7-vjeçare dhe shkollën e mesme në Tiranë, por edhe po të marrim kohëra shumë më të afërta, dallimet janë të paimagjinueshme. Ata janë të përgatitur për përgjegjësi. Imagjinoni  ju, mijëra  e mijëra prej  tyre aplikojnë dhe ndjekin universitetet në mbarë botën. Imagjinoni ju, në periudhën time akademike, dhënia e gjuhëve të huaja përbente një çështje madhore, kurse këta japin ‘Toeflin’ me lehtësinë më të madhe, apo gjuhët e tjera”, u shpreh Berisha.
Por gjithsesi nisma do jetë objekt i diskutimit mes dy kryetarëve të grupeve parlamentare, Astrit Patozit dhe Gramoz Ruçit nga ku varet edhe vullneti politik, pasi siç tha Berisha, nuk asnjë vështirësi teknike.
“Shqipëria s’ka pasur kurrë në histori një gjeneratë brilante, siç është kjo e tanishmja. Ndaj dhe zoti kryetar do t’i bësh një ftesë zyrtare zotit Gramoz Ruçi. Nuk ka asnjë vështirësi teknike, sepse gjithçka e kemi automatike për listat e votimit. Mjafton vullneti politik i forcave politike dhe në një kohe prej disa orësh prodhohen listat që përfshijnë të gjithë 16 vjeçarët e vendit”, vijoi më tej Berisha.
Kryeministri nuk la pas as traditën kur u shpreh se, “në të vërtet po të kthehemi në traditë, se tani ka shumë që nuk ju pëlqen më tradita, e shoh që Ndue Paluca po buzëqesh, se pushka i jepej 16 vjeç. Tani nuk është më koha e pushkës, tani vota i jepet 16 vjeç, edhe nusja jepej 16 vjeç, ndaj dhe kjo moshë ka pasur një vlerësim në të gjitha kohërat, por tani kjo është mosha e lirisë, është mosha e internetit. Tani është krejt tjetër. Ne duhet tu japim të drejtën e votës, si një shoqëri e qytetëruar. Na takon edhe për një arsye tjetër. Ne jemi komb i ri. Ne jemi komb, që vetëm 12 për qind e kemi mbi moshën 65 vjeç dhe në aspektin e përfaqësimit të moshave është e domosdoshme, për të qenë më të drejtë, më të barabartë ndaj qytetarëve, që të paktën 16 vjeç e sipër, t’ju jepet e drejta e votës. Do të fitojnë të drejtën e votimit edhe mbi 100 mijë qytetarë të rinj çka është shumë e mirëpritur”, tha kryeministri.
Duke iu referuar zgjedhjeve të 23 qershorit, Berisha tha se ato do jenë më të shkëlqyerat në histori. “Ne vërtet po ecim drejt datës 23 qershor, detyrimit tonë madhor për një proces zgjedhor të shkëlqyer, detyrimit tonë madhor për një program, i cili po përpunohet në mënyrën më intensive, çdo orë dhe çdo ditë, i cili për hir të së vërtetës dhe po zbatohet, siç janë paketat e reformave, që vijnë brenda kësaj jave në parlament dhe të tjera të mishëruara në vendime të qeverisë, të cilat prekin në mënyrë pozitive direkt, pothuaj çdo qytetarë shqiptarë”, deklaroi më tej kreu i qeverisë, Berisha.
Leonard Quku

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›