E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Integrimi, peng i llogarive elektorale të 23 qershorit

12-03-2013 / Gazeta 55

Kreu i LSI në Korçë

I pranishëm në qytetin e Korçës, ku mori pjesë në Konventën e Lëvizjes Rinore për Integrim, kreu i LSI-së, Ilir Meta përsëriti apelin për konsensus e bashkëpunim politik, në mënyrë që të përmbushen kriteret e domosdoshme që do ta çonin Shqipërinë përpara, në rrugën drejt integrimit europian. 
kreu i LSI-së nënvizoi domosdoshmërinë që kryefjala e politikës të mos jetë më konflikti, por bashkëpunimi në kuadër të interesave të vendit dhe qytetarëve shqiptarë. Për kryetarin e LSI-së është e papranueshme që integrimi të mbetet peng i llogarive elektorale të 23 qershorit. 
“Një konflikt absurd politik, që shteron energjitë tona pozitive vazhdon, një konflikt me pasoja serioze, që ka shkaktuar një stanjacion të pamerituar. Ndaj sot këtu në qytetin e Korçës, unë apeloi edhe në emrin tuaj dhe gjithë shqiptarëve të cilët kërkojnë që procesi i integrimit të mos bllokohet nga llogaritë elektorale të 23 qershorit. Të përqendrojmë energjitë tona në votimin e 3 ligjeve,sepse kjo jo vetëm do ndihmojë Shqipërinë për të qenë më e respektuar, por do të ndihmojë edhe shqiptarët që të jetojnë më mirë, dhe të zhbllokojnë projekte që do hapin mijëra vende të reja pune. Interesat e elitës së sotme politike nuk duhet të prevalojnë mbi interesat e qytetarëve. Ne duhet të hapim një faqe të re, atë të bashkëpunimit të vazhdueshëm. LSI ka qenë dhe do të mbetet forcë politikë e bashkëpunimit, që do të bëjë gjithçka për të nxitur një konsensus sa më të gjerë për një axhendë kombëtare të zhvillimit dhe për të përshpejtuar axhendën e integrimit evropian,” u shpreh Meta. 
Ndër të tjera Meta përfitoi nga rasti për tu kërkuar të gjithë të rinjve të Korçës që të mbështesin alternativën e LSI-së me 23 qershor, pasi siç tha ai, kjo alternativë është me këmbë në tokë e me mend në kokë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›