E Diel, 1 Nëntor 2026

“Plani urbanistik i Tiranës heq praktikat e dënimit dhe grabitjet e pronave të qytetarëve autoktonë”

12-03-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha premton mandatin e ardhshëm, plan rregullues për të gjithë Shqipërinë

Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, kryeministri Berisha u ndal dhe tek ndryshimet që i janë bërë ligjit për urbanistikën, draft ky që pritet të shqyrtohet në komisionet parlamentare.
Kryeministri tha se përmes tyre mundësohet një epokë e re në fushën e urbanistikës, e cila i jep fund praktikave korruptive që aplikonte ish kreu i bashkisë së Tiranës, Edi Rama.
“Duke shfrytëzuar përcaktimet kushtetuese, sot ne kemi sjellë në parlament amendimet e ligjit të urbanistikës, me të cilat ne shkëputemi nga një praktikë e vjetër, pa asnjë diskutim të paktën 63 vjeçare, në të cilat autoriteti i Këshillit Kombëtarë i Rregullimit të Territorit shtrihej në gjithçka, për të dështuar në shumëçka”, u shpreh kryeministri.
Ai theksoi se me praktikën e re mundësohet trajtimi i barabartë dhe jo ndëshkimi i njërit e shpërblimi i tjetrit, siç është operuar ndër vite në qytetin e Tiranës, duke zgjedhur këtë formë diskriminimi të qytetarëve, për interesa të lobuesve.
“Për herë të parë në histori të këtij vendi, ligji bën të paqenë ndëshkimin e njërit dhe shpërblimin e tjetrit për faktin e vetëm se këtu ndërtohet pallati dhe një metër me tutje jashtë mureve mbetet oborr. Kjo bën një shpërndarje shumë më të ndershme dhe do ta quaja dhe ideale të vlerës që krijohet nga ndërtimi dhe zhduk çdo lloj tensioni. Kjo i jep mundësi Kryetarit të Bashkisë dhe Këshillit Teknik të zhvillojnë qytetin, pa asnjë formë presioni dhe jashtë lobingjeve. Kjo pra bën të mundur një epoke të re në fushën e urbanistikës”, tha Berisha.
Me këtë ligj, leja e ndërtimit nuk do të vonojë më shumë se 45 ditë, nga 399 ditë që është aktualisht.
“Lejet e ndërtimit, për të cilin ne shqiptarët u bë më famëkëqijtë, të tretit në botë. Në mënyrën më të paimagjinueshme një lejë ndërtimi sipas dokumenteve të institucioneve ndërkombëtare në Shqipëri për shkak të Tiranës dhe absolutisht jo për shkak të Shkodrës, Vlorës, Korçës apo ndonjë qyteti tjetër, por për shkak të Tiranës, ishte 399 ditë. Vendi i tretë në botë me zvarritjen dhënies së lejeve. Natyrisht është korrupsion ai, sepse po shkoi 399 ditë është 399 herë korrupsion. Pra kjo merr fund, zbret në 45 ditë, si koha më maksimale. Pra ne arrijmë në një standard mjaft të mirë dhe të pranueshëm për lejet e ndërtimit, por jo në standardin më të shkurtër, sepse atë e ka Singapori. Kjo ka një rëndësi shumë të madhe. Sikundër, aty është i stimuluar parimi ‘heshtja është miratim’. Në qoftë se ti i ke plotësuar të gjitha kushtet ligjore dhe unë përpiqem të zvarris të drejtën tënde, ti e fiton të drejtën tënde automatikisht, pavarësisht nga keqdashja që e zvarrit problemin. Qytetarët kanë për ligj themelor Kushtetutën, territoret kanë për Kushtetutë Planet e Përgjithshme Rregulluese”, theksoi kryeministri.
Kreu i qeverisë vlerësoi planin urbanistik të kryeqytetit, duke theksuar se parimet e atij plani janë tërësisht të ndjeshme, pasi u hoqën praktikat e dënimit dhe grabitjet së pronave qytetarëve autoktonë.
“Unë kam shumë kënaqësi t’ju informoj ju se, në mënyrë absolute, kam pasur gjithsej, gjatë gjithë këtyre muajve, vetëm tre ankesa. Për hir të së vërtetës, dy të verifikuara, të drejta dhe të reflektuara nga autoritete vendore dhe e treta është në verifikim e sipër. A mund të imagjinoni ju një plan që përcakton ndërtimet e të gjithë kryeqytetit, të cilin e ka studiuar me lupë çdo qytetar i interesuar për ndërtimin, për tokën, për truallin e tij e me radhë dhe të mos ketë ankesa, përveç atyre treve. Kjo, sepse parimet e atij plani janë parime të ndershme. Kjo, sepse u hoqën praktikat e dënimit. Ishte dënuar masivisht popullata autoktone e Tiranës, përveç ndonjë tiranasi që u grabit pronat edhe vëllezërve të tij, me ndihmën e të tjerëve. Kjo është e vërteta. Ka procese atje. Pra ishin ndëshkuar për faktin e vetëm se orientimi tërësor politik i tyre është bërë i famshëm pas dënimit përfundimtar politik që i bënë diktatorit të fundit në Evropë me votën e tyre, në vitin ‘91. Ajo punë mori fund. Në planin e ri nuk ka as të dënuar, as të privilegjuar, sepse janë përcaktuar parime të ndershme që i trajtojnë pronat tuaja si të barabarta para ligjit. Kjo është një arritje shumë e madhe. Janë edhe një seri qytetesh të tjera, të cilat unë i përgëzoj, që kanë bërë gati Planin e Përgjithshëm të Rregullimit”, tha ai.
Kryeministri shkoi më tej teksa bëri publik një prej pikave të programit të tij në fushën e urbanistikës.
“Në katër vitet që vijnë qeveria e ardhshme do të përgatisë Planin e Përgjithshëm të Rregullimit të Republikës së Shqipërisë, në të katër anët e saj. Ky është zotimi për urbanistikën e Shqipërisë së këtij shekulli. Kjo është pjesa e programit të ardhshëm. Le të ndalemi ne në kapitullin e ri që hapëm. Ndaj do t’ju lutesha shumë që këtë ligj ta përparësojmë, të cilin qytetarët e Tiranës mezi po e presin, sepse 11 vjet rresht ua premtoi dhe i mashtroi zoti Rama; sepse 11 vjet rresh ai së bashku me një grup të ngushtë e trajtuan Tiranën si një plaçkë të tyren; sepse 11 vjet rresht përdorën studimet pjesore për të ndërtuar kupolën miliardere të Partisë Socialiste. Pra epokë tjetër nis”.
Gjatë mbledhjes së grupit kuvendor kryeministri e vuri theksin dhe tek rëndësia jetike që ka miratimi në kuvend i paketës së re fiskale të propozuar nga qeveria. Një tjetër premtim i bërë nga shefi i qeverisë për katër vitet e ardhshme të mandatit qeverisës ishte dhe përparimi në projektin e Shqipërisë një vend i zhvilluar.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›