Nishani: Toleranca fetare, vlerë me të cilën krenohemi

Shënohet 90 vjetori i themelimit të Komunitetit Mysliman Shqiptar
“Besa, mikpritja, bujaria, toleranca etnike dhe fetare, ruajtja e farefisnisë janë ndër normat themelore të sjelljes islame dhe ndër të paktat gjëra me të cilat ne mund të krenohemi”.
Kështu u shpreh dje Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i cili mori pjesë në 90- vjetorin e themelimit të Komunitetit Mysliman Shqiptar.
Kreu i shtetit, Nishani tha gjatë fjalës së tij përshëndetëse se, “që në vitet e para të themelimit të vetë Komuniteti Mysliman Shqiptar u bë flamurtar i promovimit të edukatës dhe moralit të lartë, kjo shërbeu si model për institucionet e tjera që po lindnin”. Me rëndësi në historinë e KMSH-së, siç përmendi edhe Nishani ishte kontributi i kryemyftiut të parë shqiptar, Haxhi Vehbi Dibra, njëri prej firmëtarëve të pavarësisë. Presidenti vlerësoi më tej edhe revistën e këtij komuniteti, “Xhani i naltë” pati një rëndësi të veçantë për kohën dhe qëndroi përbri ikonave të shtypit në vitet ’30-të.
Presidenti tha më tej, se vitet e diktaturës ishin të rënda edhe për këtë komunitet.
Historia e një kombi, tha Kreu i shtetit, shënjohet edhe nga kremtimi i ditëve të shënuara të themelimit të institucioneve të tij më të rëndësishme në rrugën drejt lirisë, demokracisë dhe përparimit ekonomik. E një i tillë, është edhe Komuniteti Mysliman Shqiptar, 90-vjetorin e të cilit po kremtojmë sot.
Presidenti Nishani vuri në dukje se “që në vitet e para të formimit të vet, ai u shfaq jo vetëm si flamurtar i promovimit të edukatës dhe moralit të lartë shoqëror, por edhe pararojë e një institucioni të mirë-organizuar, që shërbeu si një model për institucionet e tjera shtetërore që sapo lindnin në epokën e monarkisë shqiptare”.
Sipas Nishanit ky komunitet përçon dhe ruan parime dhe vlera me të cilat krenohen sot shqiptarët.
“Parime të tilla si besa, mikpritja, bujaria, toleranca etnike dhe fetare, ruajtja e vlerave të familjes u përvetësuan nga mbarë shqiptarët, e ndoshta këto janë ndër të vetmet vlera me të cilat krenohemi. Tradita jonë ekumenike si dhe prirja e theksuar moralo-kombëtare e islamit tonë, përbëjnë dy pasuri të rëndësishme të kulturës shqiptare, të ngulitura në karakterin tonë identitar, për t’i dhënë fytyrë, qëllim e mision, shprehjes së Zotit mbi kombin shqiptar në të gjithë historinë e ardhmërinë e tij, drejt lirisë, demokracisë dhe ëndrrës sonë europiane. Le ta ruajmë këtë frymë dhe këtë besim, ashtu siç e kemi trashëguar”, tha Nishani më tej.
Në një ceremoni që zhvillohej në hotel Sheraton merrnin pjesë personalitete të ndryshme, nga feja, arti e kultura, por nuk mungonin as krerët më të lartë të shtetit, Presidenti Bujar Nishani, Kryeministri Sali Berisha dhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.