Shtypi spanjoll: Ishte një "El Clasico" e bukur
Ka qenë një "El Clasico" e bukur. Shtypi spanjoll është i bashkuar në mënyrë unanime në komentin e ndeshjes së madhe "Kamp Nou". Barcelona ka fituar, por Real Madridi nuk ka bërë figurë të keqe. Për "Marca"-n, e cila thekson prej kohësh problemet e "los blancos", është "një humbje me shijen e fitores. Reali del më i përforcuar nga kjo sfidë në ‘Kamp Nou‘". "Marca" i jep hapësirë një detaji të veçantë: dritave lazer të tifozëve, që ishin përqendruar në sytë e Kristiano Ronaldos gjatë ndeshjes. "Kërkuan ta verbonin portugezin gjatë ‘Klasikes‘". Ka ndodhur në minutën e 12, në gjuajtjen e një goditjeje dënimi. Ndërsa katalanasit e "El Mundo Deportivo" u bëjnë elozhe lojtarëve të Barcelonës me një titull elokuent: "Heronj! Barça, me 10 lojtarë, mund një Real Madrid të bukur dhe rikthehet si lider". Por nuk mungojnë polemikat. "Marca" pretendon një penallti për Realin, për prekje me dorë të Pikesë gjatë një aksioni të Kristiano Ronaldos. Portugezi bëhet protagonist i një debati në fund të ndeshjes me Andres Injsetan. Ronaldo ka polemizuar mbi një rrëzim në zonë të mesfushorit "blaugrana", i cili ka replikuar menjëherë: "Më ka shqetësuar shumë ajo që ka thënë Kristiano Ronaldo, sepse ai është personi më pak i përshtatshëm që mund të bëjë kritika të tilla". "El Mundo Deportivo", në faqen e saj elektronike, përgëzon Zlatan Ibrahimoviç, që me golin e tij i ka dhuruar "El Clasico"-n Barcelonës. "Kush është ai që nuk shënonte kurrë në ndeshjet e rëndësishme?" - shkruan me ironi gazeta katalane. Për të përditshmen tjetër të kësaj krahine, "El Pais", Barcelona-Real ka qenë një ndeshje e nivelit të lartë, e cila u vendos nga një gol i Ibrahimoviç. "Barça, shkruan gazeta, ka luajtur një ndeshje inteligjente, por Reali vuri në vështirësi skuadrën e Guardiolës".