Berisha-Thaçi, takim sot në Durrës
Kryeministri Sali Berisha dhe homologu i tij nga Kosova, Hashim Thaçi, do të takohen sot gjatë mesditës në Durrës.
Dy kryeministrat do të kalojnë bashkë ditën e fundit të javës në qytetin bregdetar, ku do të diskutojnë për procesin e integrimit euroatlantik të të dyja vendeve. Në fokus të bisedimeve do të jetë shkëmbimi i përvojave në procesin e liberalizimit të vizave dhe menaxhimin e integruar të kufijve. çështjet me interes të ndërsjellë ndërshtetëror dhe proceset e integrimeve euroatlantike nuk pritet të zënë gjithë axhendën e dy kryeministrave. Kryeministri Berisha njihet çdo verë si një frekuentues i rregullt i plazheve shqiptare, veçanërisht në Durrës, ku është filmuar dhe fotografuar shpesh herë nga kamerat duke notuar dhe pushuar. Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë me dije për agjencitë kosovare se tema bosht e këtij takimi do të jenë çështje me interes reciprok ndërshtetëror dhe proceset e integrimeve euroatlantike të dy vendeve, me theks të veçantë në shkëmbimin e përvojave në procesin e stabilizim-asocimit, liberalizimit të vizave dhe menaxhimin e integruar të kufijve. “Konkretisht nesër në takim të dy kryeministrat do të përqendrohen në çështje me interes për të dyja shtetet dhe veçanërisht në përvojën e Shqipërisë në proceset integruese. Temat e diskutimit kanë të bëjnë me integrimin europian dhe mbi të gjitha koordinimin më të mirë institucional dhe marrjen e përvojës së Shqipërisë në rrugën e integrimeve europiane”, ka thënë Krasniqi. Në takim do të marrin pjesë edhe ministrat përkatës të Punëve të Brendshme dhe ata të Integrimeve Europiane.