E Diel, 1 Nëntor 2026

Doul: PPE, grupi më i madh, por unë negociova me të majtët

Kriza shqiptare, kompromisi vetëm në Strasburg

Prononcimet publike të kreut të Partive Popullore Europiane, Jozef Doul të dhëna së fundmi në Shqipëri, kanë sjellë ndër të tjera një mesazh politik, që i adresohet ndoshta padashur aleatit të tij, Sali Berisha. Duke folur në një intervistë për “Deutsche Welle”, ndër të tjera eurodeputeti i djathtë përmendi edhe nevojën e kompromisit në veprimtarinë politike. Si një protagonist i miratimit të rezolutës për Shqipërinë, Doul ka dhënë një leksion politik që refuzohet të pranohet në Tiranë, edhe pse produkti i tij pritet në mënyrë optimiste dhe përmes leximeve origjinale. “Demokracia e vërtetë bazohet në kompromis. Në Parlamentin Europian grupi i partive popullore, që unë kryesoj, është më i madhi, por ai nuk ka mazhoracën. çdo ditë mua më duhet të gjej kompromise, që ligjet të miratohen. Kështu ndodhi edhe me rezolutën për Shqipërinë. Kjo është demokracia”, është shprehur Doul për “Deutsche Welle”. Nëse projektrezoluta e fundit që i dha një ‘fitore’ Berishës së paku për liberalizimin e vizave është asimiluar nga shumica shqiptare në pushtet, teknika politike e arritjes së saj duket se nuk zë vend. Me një interpretim thuajse amoral të parimeve të demokracisë, ekipi drejtues politik në Shqipëri referon dokumentet ndërkombëtare, të cilat në finale nuk e zgjidhin krizën, por ndihmojnë për kapërcimin e saj. Kjo ndihmë, natyrisht sipas Doul, kalon detyrimisht nga kompromisi dhe në këtë kuadër, ai e ka dhënë kontributin e vet, i cili me fjalët e tij, apelon për përgjegjshmëri të njëjtë edhe ndaj aleatit të tij në Tiranë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›