E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Tonelatat me barut në Gërdec, papërgjegjshmëri

DEKLARATA/ Kryeministri i vendit akuzoi “trashëgiminë” e rreziqeve të shumta në Shqipëri si shkaqe për tragjeditë

Kreu i qeverisë premtoi se çdo leje ndërtimi e dhënë do të verifikohej prej tij, si dhe kërkoi denoncim të rasteve

DURRËS – “Papërgjegjshmëri njerëzore e shkallës më absolute” e ka cilësuar kryeministri Berisha grumbullimin e qindra tonelatave barut në një vend, ndërsa fliste për tragjedinë e Gërdecit. Duke përmendur ngjarjen e ditëve të fundit të ndodhur në Gjirokastër dhe duke u shprehur se është i nevojshëm një qëndrim i ri për rrezikun, kryeministri deklaroi: “Rreziqet shkaktuan hatanë e Gërdecit, e cila po hetohet dhe do të hetohet pa asnjë mëdyshje duke nxjerrë çdo përgjegjësi. Dhe është shumë e rëndësishme. Por, të grumbullosh qindra tonelata barut në një vend, pavarësisht nga se udhëhiqesh, dëshmon shkallën më absolute të papërgjegjësisë njerëzore”. Ndërsa u kërkoi të gjithëve që të kontribuojnë për denoncimin e rreziqeve, kryeministri deklaroi se ato nuk do të binin në “vesh të shurdhër”.

Më tej, Berisha tha se “Shqipëria ka nevojë urgjente për një qëndrim të ri ndaj rreziqeve”. Ai e cilësoi tërësisht të parandalueshme ngjarjen e Gjirokastrës ku humbën jetën një fëmijë dhe dy gra. Kryeministri u shpreh se “rreziqet janë në ndërtime, në stacionet e pompimit të benzinës, të cilat në Shqipëri janë tri herë më shumë nga ç’duhet të jenë për frymë”. Për të siguruar qytetarët për angazhimin e kabinetit të tij, Kryeministri i vendit premtoi se çdo leje ndërtimi që do të jepej do të verifikohej nga qeveria. Gjithashtu ai siguroi qytetarët që të denonconin rrezikun dhe të mos ambientoheshin me të. Duke garantuar për përpjekjet që do të bëhen në të ardhmen për të ndaluar rrezikun dhe për marrjen e të gjitha masave, kryeministri nuk shpjegoi se si ishte e mundur që ishin mbledhur aq tonelata barut në të njëjtin vend që shkaktoi tragjedinë e Gërdecit me dhjetëra viktima pa dijeninë e vetë kryeministrit. Gjithashtu mbeti e pasqaruar se si ishte e mundur që qeveria ende nuk kishte shqyrtuar lejen e ndërtimit të dhënë në Gjirokastër, megjithëse vetë banorët kishin denoncuar, ashtu siç porositi kryeministri, herë pas here rrezikun që u kanosej për jetët e tyre dhe që u bë realitet në shkaktimin e tre viktimave. Megjithatë, në fund të deklaratës, ndërsa përuronte një repart zjarrfikës në portin e Durrësit, Berisha ritheksoi përpjekjet për një qëndrim të ri e platformë të re, duke ia vënë fajin për gjithçka ka ndodhur në këtë vit të fundit, “sistemit të pasigurt të trashëguar” tre vjet më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›