Sulmi ndaj të dërguarve të Agim Shehut në Sarandë
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda mbyll hetimet për njërën prej ngjarjeve më të rënda të trazirave të vitit 1997, ku u dogj një punonjës policie. Masakra e Qafë-Gjashtës është dërguar dje në Gjykatë pas një hetimi 12- mujor, ku 11 të pandehurit akuzohen për veprën penale të vrasjes me dashje, në rrethana cilësuese. Në kërkesën dërguar gjykatës, prokurori i çështjes, Adnan Xholi, pohon se ka siguruar prova që implikojnë personat e arrestuar në vrasjen makabre të policit Gjergj Mehmeti dhe në vrasjen e mbetur në tentativë të Sokol Bizhgës, Eduard Aliajt dhe Myzafer Blushit. Punonjësit e policisë kishin shkuar në Sarandë me urdhër të ish-zv.ministrit të Brendshëm, Agim Shehu, për të ringritur komisariatin e policisë dhe mbetën viktima të një prite. “Shekulli” boton sot të plotë dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për masakrën e Qafë-Gjashtës.
Nga hetimet e kryera si dhe nga provat e administruara ka rezultuar e provuar se: më datë 04.03.1997, rreth orës 07.00, viktima Gjergji Mehmeti së bashku me shtetasit Sokol Bizhga, Myzafer Blushi dhe Eduart Aliaj, të gjithë efektiva të komisariatit të policisë Vlorë, me urdhër të ish - zv/ministrit të Brendshëm, njëkohësisht dhe drejtor i Përgjithshëm i Policisë, Agim Shehu, janë nisur për në drejtim të qytetit të Sarandës me qëllim ringritjen e komisariatit të policisë të këtij qyteti, punonjësit e të cilit e kishin lënë shërbimin dhe ishin shpërndarë për shkak të trazirave të shpërthyera me rënien e firmave piramidale. Rreth orës 08.00, punonjësit e policisë me autoveturën tip Mercedez - Benz 240 D, në pronësi të Myzafer Blushit, janë nisur nga Vlora për në drejtim të Sarandës. Sapo kanë arritur në Sarandë kanë vajtur në Komisariat, por kanë konstatuar se ka qenë i djegur plotësisht dhe rreth tij nuk ka pasur asnjë punonjës policie. Pas këtij momenti, kanë komunikuar në telefon me zv/ministrin për situatën në të cilën ndodhej komisariati i policisë Sarandë, i cili nuk mundej që të riorganizohej dhe kanë vendosur që të largohen. Në Sarandë, rastësisht takohen me shtetasit Lefter Blushi, Genci Blushi (familjarë të punonjësit të policisë Myzafer Blushi) dhe Krenar Ferunin, të cilët do venin për në Gjirokastër dhe rreth orës 12.30 – 13.00, kanë vazhduar rrugën për në dalje të qytetit të Sarandës, por në momentin që kanë vajtur tek nënstacioni elektrik i qytetit të Sarandës, i ka parakaluar një makinë tip Mercedez-Benz 190, me ngjyrë jeshile dhe me targa të Sarandës brenda të cilit kanë qenë tre persona. Ky automjet u ka prerë rrugën dhe ka ndaluar rreth 4-5 metra para autoveturës së punonjësve të policisë. Nga ky automjet ka zbritur pasagjeri që ndodhej i ulur në sediljen e parë, i cili në dorë ka pasur dhe një armë automatike tip kallashnikov. Ky person, është afruar tek automjeti i punonjësve të policisë ka komunikuar me to dhe i ka pyetur se kush ishin dhe ku do të shkonin, këtij personi i është përgjigjur Sokol Bizhga duke iu prezantuar në emër, gjithashtu i ka thënë se ishin punonjësit e policisë së Vlorës. Ky ka qenë dhe momenti që punonjësit e policisë kanë bërë çarmatosjen e tij. Nga automjeti me targa të Sarandës, për të parë se çfarë po ndodhte me shokun e tyre kanë dalë edhe dy personat e tjerë, konkretisht pasagjeri i sediljes së pasme dhe drejtuesi i automjetit. Në këtë moment ka ndodhur dhe një shkëmbim zjarri, ku për pasojë drejtuesi i automjetit me targa të Sarandës, duke u ndodhur dhe më pranë tij ka vrapuar me shpejtësi në brendësi të automjetit dhe largohet me shpejtësi për në dalje të qytetit të Sarandës, rrugë e cila të shpie dhe në Gjirokastër.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar e provuar se drejtuesi i automjetit të Sarandës ka qenë dëshmitari Armand Hysi, pasagjer në sediljen e parë i pandehuri Edmond Sejko (i thirur ndryshe « Bubeqi ») dhe në sediljen e pasme ka qenë dëshmitari Fatos Mahmutaj.
Duke u ndodhur në një situatë të tillë dhe duke menduar se rrugës mund të ndesheshin me njerëztë tjerë të armatosur, punonjësit e policisë kanë futur në automjetin e tyre të pandehurin Edmond Sejko dhe shtetasin Fatos Mahmutaj, me të vetmin qëllim për të siguruar kalimin e tyre pa probleme nga Saranda.
Nga hetimet, ka rezultuar se shtetasi Armando Hysi nëmomentin që ka arritur në vendin e quajtur « Qafa e Gjashtës », pikërisht tek karburanti i shtetasve Stefan dhe Niko Vaso( i cili ndodhet rreth 200 - 300 m nga nënstacioni elektrik), ka komunikuar me grupin e personave të armatosur sarandiotë që kanë qënë në karburant dhe ju ka thënë se nje automjet me targa të Vlorës, me disa persona të armatosur kanë marrë peng EdmondSejkon (Bubeqin) dhe kunatin e tij, Fatos Mahmutaj dhe pas këtij momenti largohet për në drejtim të fshatit Metoq të Sarandës, ndërsa personat e armatosur që ndodheshin tek karburanti, janë pozicionuar në pritje të automjetit me targa të Vlorës.
Pas disa minutash, punonjësit e policisë me automjetin e tyre kanë vajtur në vendin e quajtur “Qafa e Gjashtës”, por kur afrohen rreth 50 m para pikës së karburantit të vëllezërve Vaso, janë gjendur përballë një sulmi me armë zjarri pikërisht nga grupi i personave të armatosur, të cilët kanë qenë të pozicionuar rreth karburantit. Të ndodhur në një situatë të tillë, punonjësit e policisë kanë ndaluar automjetin pas një kamionçine të parkuar, rastësisht në anë të rrugës dhe me qëllim kalimin e rrugës pa ndonjë problem, ka zbritur nga makina i paarmatosur Sokol Bizhga, dhe i është drejtuar grupit të personave të armatosur me fjalët: ”… Jam shefi i Policisë kriminale të Vlorës, jemi lebër, jemi vëllezër prandaj mos qëlloni”,- por nga ana e personave që ndodheshin tek karburanti ka vazhduar sërish që të qëllohej me armë. Pas këtij momenti, punonjësit e policisë kanë kërkuar nga personat që kishin në automjetin e tyre, pikërisht nga i pandehuri Edmond Sejko dhe shtetasi Fatos Mahmutaj, meqënëse ishin sarandiotë të shkonin tek personat e armatosur që ndodheshin tek karburanti dhe të negocionin me ta që të largoheshin pa ndonjë problem në drejtim të Gjirokastrës. Por në momentin kur i pandehuri Edmond Sejko dhe shtetasi Fatos Mahmutaj kanë vajtur në afërsi të personave të armatosur, i pandehuri Edmond Sejko, jo vetëm që nuk ka negociuar, por ju ka thënë fjalën.“Tufjani”, ky ka qenë dhe momenti në të cilin personat e armatosur kanë vazhduar sërish duke qëlluar me breshëri armësh zjarri në drejtim të punonjësve të policisë ku për pasojë, pas rreth 10-15 minutash shkëmbim zjarri ka mbetur i vrarë punonjësi i policisë Gjergji Mehmeti.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit, punonjësit e policisë Myzafer Blushi dhe Sokol Bizhga kanë arritur që të largohen nga vendi i ngjarjes, ndërsa punonjësi tjetër i policisë, Eduart Aliaj, nuk ka arritur që të largohet, por është kapur nga personat e armatosur, i cili është mbajtur peng dhe keqtrajtuar për disa ditë në qytetin e Sarandës. Duhet përmendur fakti se personat e armatosur të cilët kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes, pas perfundimit të të shtenave i kanë venë flaken dhe automjeti në të cilin ndodhej trupi i punonjësit të policisë Gjergji Mehmeti. Nga hetimet e kryera dhe më konkretisht gjatë ekzekutimit të urdhrit të ndalimit të shtetasit Edmond Sejko, në banesën e tij janë gjetur dhe më pas sekuestruar me cilësinë e provës materiale1 armë zjarri pistoletë tip “TT” me nr.N84S1946, 1 karikator dhe 7fishekë, 2 granata dore defensive me ndezësa.
Sa më sipër, si dhe nga një analizë e rrethanave të ngjarjes, ka rezultuar e provuar se në grupin e personave të armatosur të cilët kanë qëlluar në drejtim të punonjësve të policisë kanë qenë të pandehurit Vladimir Sinani, Nestor Sinani, Alqi Paguni, Eduart Çipa, Edmond Sejko, Arben Këndezi, Agron Qurku, Mikel (Flamur ose Vladimir) Këndezi, Aleksandër Bala dhe Ristan Lapa, të cilët me veprimet kriminale kanë konsumuar elementët e veprave penale për të cilat janë akuzuar.
K Ë R K O J M Ë
Gjykimin e procedimit penal nr.198 të vitit 2004, në ngarkim të të pandehurve Vladimir Sinani, Nestor Sinani, Alqi Paguni, Eduart Çipa, Edmond Sejko, Leonard Theodhori, Mikel (Flamur ose Vladimir) Këndezi, Arben Këndezi, Agron Qurku, Aleksandër Bala dhe Ristan Lapa, akuzuar se në bashkëpunim mes tyre, kanë kane konsumuar veprat penale të vrasjes me dashje, në rrethana cilësuese dhe vrasje e mbetur në tentativë.
AKUZAT DHE TË PANDEHURIT:
Vladimir Sinani, 27 prill 1955, lindur dhe banues në Sarandë. Akuzohet për “vrasje në rrethana të tjera të cilësuara” në bashkëpunim
Eduart Çipa, i datëlindjes 20 dhjetor 1970, lindur dhe banues në Sarandë. Akuzohet për “vrasje në rrethana të tjera të cilësuara” në bashkëpunim
Alqi Paguni, i datëlindjes 03 janar 1971, lindur dhe banues në Sarandë. Akuzohet për “vrasje në rrethana të tjera të cilësuara” në bashkëpunim
Edmond Sejko, i datëlindjes 10 korrik 1971, lindur dhe banues në Sarandë. Akuzohet për “vrasje në rrethana të tjera të cilësuara” në bashkëpunim
Agron Qurku, i datëlindjes 18 tetor 1972, lindur dhe banues në Sarandë. Akuzohet për “vrasje në rrethana të tjera të cilësuara” në bashkëpunim
Aleksandër (Aleko) Bala, i datëlindjes 04 prill 1970, lindur në Gjirokastër dhe banues në Sarandë. Akuzohet për “Vrasje në rrethana të tjera të cilësuara”
Mikel (Flamur, Vladimir) Këndezi, lindur në Pustec - Korçë dhe banues në Sarandë. Akuzohet për “vrasje në rrethana të tjera të cilësuara” në bashkëpunim
Nestor Sinani, i datëlindjes 30 tetor 1957, lindur dhe banues në Sarandë. Akuzohet për “vrasje në rrethana të tjera të cilësuara” në bashkëpunim
Arben Këndezi, i datëlindjes 24 shtator 1968, lindur dhe banues në Sarandë. Akuzohet për “vrasje në rrethana të tjera të cilësuara” në bashkëpunim
Ristan Lapa, i datëlindjes 23 nëntor 1960, lindur dhe banues në Sarandë. Akuzohet për “vrasje në rrethana të tjera të cilësuara” në bashkëpunim