E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria zgjidh qesen, 30 milionë lekë për çdo familje

Familjet që humbën shtëpitë nën rrënojat e pallatit do të dëshmpërblehen edhe për orenditë e shkatërruara

TIRANË- Secila prej familjeve të prekura nga tragjedia e Gjirokastrës do të paguhet me 30 milionë lekë të vjetra. Të paktën kjo është shuma e propozuar Këshillit të Ministrave për 20 familjet që humbën banesat e tyre nga shembja e pallatit pesëkatësh disa ditë më parë në qytetin e Gjirokastrës. Propozimi i hartuar nga një grup pune është dërguar dje në kryeministri dhe pritet të miratohet në mbledhjen më të afërt.

Sipas propozimit të përfunduar dje nga shtabi i emergjencës, thuhet se çdo familje do të dëmshpërblehet në një shumë që varion nga 25 deri në 30 milionë lekë të vjetra. Po kështu në projekt vendim është përcaktuar edhe dëmshpërblimi për orenditë e banesave që parashikohen të dëmshpërblehen në një shumë prej dy milionë lekësh të vjetra. Projektvendimi është përfunduar dje nga shtabi i emergjencës dhe pritet të miratohet në mbledhjen e radhës së këshillit të Ministrave. Burime të besueshme bëjnë të ditur se një përcaktim i tillë është bërë pas analizës së dëmeve të konstatuara nga shembja e pallatit pesëkatësh në qytetin e Gjirokastrës. Grupi i punës i përbërë nga këshilli i qarkut të Gjirokastrës, punonjës të bashkisë së qytetit si dhe specialistë të drejtorisë së emergjencave prej dy ditësh kanë përpiluar çdo të dhënë për dëmet e shkaktuara. Në përcaktimin e shifrës sëdëmshpërblimit për familjet e prekura nga tragjedia grupi i punës i është referuar të dhënave të Entit Kombëtare të Banesave ku shuma prej 30 milionë lekësh të vjetra i përcaktuar për blerjen e banesave të reja për 20 familjet që u prekën nga tragjedia e ndodhur.

Po kështu në projektvendimin e dërguar në qeveri është parashikuar edhe dëmshpërblimi për orenditë shtëpiake të familjarëve. Ndërkohë që një pikë e diskutueshme në grupin e punës ka qenë edhe strehimi i menjëhershëm i banorëve. Burime të besueshme bëjnë të ditur se një pjesë e përfaqësuesve të grupit të emergjencës ka propozuar që familjet e mbetura pa shtëpi të vendosen në apartamentet e një pallati tjetër të ndërtuar nga firma “Arti” sh.p.k po në lagjen “11 janari” në qytetin e Gjirokastrës. Megjithëse propozimi pritet të miratohet në mbledhjen e qeverisë, policia ka bërë të ditur dje sekuestrimin e pasurive të patundshme të firmës së ndërtimit, ndër të cilat janë edhe dy pallatet nëntëkatëshe në qytetin e Gjirokastrës.

TRAGJEDIA

Mes lotëve dhe dhimbjes, të mbijetuarit kanë kërkuar të marrin të paktën një kujtim nga ajo që ishte shtëpia e tyre

Përcillen në banesën e fundit 3 viktimat

GJIROKASTËR- Mes dhembjes dhe lotësh tri viktimat e tragjedisë së të dielës në qytetin e Gjirokastrës janë përcjellë dje për në banesën e fundit. Shtabi i emergjencës në bashkëpunim me ekspertë të mbërritur nga Tirana, kanë vendosur prishjen e pjesës së mbetur të pallatit me mjete të rënda. Nga ana tjetër, kryebashkiaku Flamur Bime ka deklaruar se është i hapur ndaj çdo hetimi.

Krahas familjarëve, të afërmve e miqve, kortezheve mortore të viktimave të shembjes së pallatit në lagjen “11 janari” u janë bashkuar dhjetëra qytetarë dhe drejtues të pushtetit vendor dhe institucioneve lokale në Gjirokastër. Në orën 10.00 i është dhënë lamtumira e fundit 65-vjeçares Parashqevi Zoto, ndërsa dy orë më pas janë përcjellë për në banesën e fundit, dy anëtaret e familjes Dalani, nënë e bijë, Valbona e Anxhela. Qytetarë në formë solidariteti e bashkimi me dhembjen e familjeve që humbën të afërmit e tyre në ngjarjen e paprecedent, pranë vendit ku po ndërtohej pallati i ri e që shkaktoi rrëzimin e ndërtesës pesëkatëshe kanë vendosur lule dhe kanë ndezur qirinj. Tri ditë pas ngjarjes, banorët qysh në orët e para të mëngjesit kanë qenë sërish pranë pallatit të shembur. Plaga e shkaktuar ka nisur të ftohet dhe tani dhemb më shumë. U është dashur t’u japin lamtumirën fqinjëve të tyre, me të cilët kanë ndarë halle e gëzime. Por, kërkesa e përsëritur e tyre ka qenë dhënia e mundësisë për të parë në rrënoja për të gjetur sende familjare. Ka edhe nga ata banorë që kanë humbur shuma të konsiderueshme parash. “Muajin e kaluar kam sjellë dhe kam lënë në shtëpi 20 mijë euro, për t’i pasur të sigurta, pasi pata frikë nga bankat. Përveç shtëpisë dhe të gjitha orendive, më humbën edhe ato lekë që me gjak i kam nxjerrë në mërgim, sepse jam emigrant në Greqi”, është shprehur një prej të mbijetuarve. E njëjta kërkesë ka ardhur edhe nga të gjithë banorët e tjerë të dëmtuar. “Të kemi të paktën ndonjë kujtim, sepse na ka humbur gjithë historia jonë, së bashku me shtëpinë”,- thonë ata.

Por revolta për ngjarjen është shumë e madhe. “Ne jemi ankuar si banorë, nuk ka rëndësi forma, verbale apo formale. Askush nuk na dëgjoi. U takonte specialistëve të shikonin rrezikun që vinte nga ndërtimi i pallatit të ri, afër tonit dhe jo ne. Ata janë të specializuar dhe paguhen për atë punë. Por, nuk pyetën për ne, u interesuan vetëm që të fitonin sa më shumë. Ajo që u ndodhi dy familjeve që humbën të dashurit është tragjedi, kjo që po përjetojmë ne të tjerët është dramë. Ka edhe nga ata që e shohin si komedi, por ne humbëm gjithçka”,- shprehet Sokrat Papadhopulli. Shumë prej tyre kanë qëndruar për orë të tëra pranë pallatit dhe vendimi për shembjen e menjëhershme edhe të pjesës së mbetur i ka trishtuar pa masë.

Protesta

Ashtu sikurse ishte paralajmëruar një ditë më parë, ora 11.00 ka mbledhur në sheshin “Çerciz Topulli” përpara bashkisë së qytetit, dhjetëra banorë, në një protestë të heshtur. Pjesëmarrësit e kanë cilësuar këtë tubim paqësor si lamtumirën e fundit që u jepet viktimave të pafajshme dhe një kërkesë për largimin e Flamur Bimes nga posti i kryetarit të bashkisë Gjirokastër. “Bime ik”, “Bime përgjegjësi kryesor”, “Lejet korruptive vrasin”. Kanë qenë këto disa nga pankartat që pjesëmarrësit mbanin në duar. Studimet

Ekspertë të Institutit të Gjeologjisë dhe Gjeofizikës kanë mbërritur në vendngjarje. Përgjatë dy ditëve, ata kanë bërë matjet, rilevimet e duhura të cilat do të nxjerrin më pas shkakun se pse ndodhi rrëzimi i pallatit. “Jemi një grup gjeologësh dhe gjeofizikësh dhe po bëjmë studimin gjeologo- inxhinierik të të gjithë zonës përreth pallatit të shembur. Do të përcaktohet me metoda gjeologjike e gjeofizike arsyeja pse është shembur pallati. Do shohim gjithashtu edhe studimet gjeologjike që janë kryer për të gjitha ndërtimet e kësaj zone dhe pastaj do të nxirret një përfundim. Konkluzioni paraprak do të dalë pas dy-tri ditësh, ndërsa në fundin e javës do të kemi të gjithë studimin e përfunduar”,- është shprehur Llesh Lleshi, njëri prej specialistëve të gjeologjisë.

ReagimiNuk kam pse ta fsheh, gjatë këtyre ditëve kam menduar shpesh për përgjegjësinë timeFlamur Bime: Nuk e jap dorëheqjen

Në konferencën e parë zyrtare për mediat pas ngjarjes së ndodhur, kryetari i bashkisë, Flamur Bime ka deklaruar se nuk do të japë dorëheqjen nga posti që mban. Kjo sipas tij nuk bëhet për t’iu shmangur përgjegjësive, por për t’u përballur me to. Madje, Bime ka pohuar se është i hapur ndaj çdo hetimi që organet e drejtësisë mund të marrin ndaj tij. “Asnjëherë nuk kam menduar se në rolin e kryetari të bashkisë do më duhej të përballesha me orë e ditë të tilla kaq të rënda, të cilat uroj të mos përsëriten më. Nuk kam pse ta fsheh, gjatë këtyre ditëve kam menduar shpesh për përgjegjësinë time. Për qytetin tonë zbardhja e plotë e ngjarjes dhe nxjerrja e përgjegjësve dhe përgjegjësive është absolutisht e domosdoshme. Nuk kam asnjë lloj imuniteti dhe jam tërësisht në dispozicion të hetimeve nga Prokuroria, të cilën dua ta përgëzoj për gjithçka ka bërë deri tani. Nuk do ta lë detyrën, jo për t’u ikur përgjegjësive qytetare, por për t’u përballur me to, për të qëndruar aty dhe për t’u dhënë shpjegimet e duhura si qytetarëve ashtu edhe organeve kompetente të drejtësisë. Jam thjesht një kryetar bashkie pa asnjë mburojë ndaj ligjit dhe jam i hapur. I mirëkuptoj të gjithë ata qytetarë që kanë kërkuar largimin tim, por u deklaroj se nuk zgjidhet asgjë me ikje, por me përballje. Ndërsa atyre politikanëve lokalë që nxituan të kërkojnë dorëheqjen time, pa pasur respekt për të ata që humbën jetën e që nuk ishin përcjellë ende për në banesën e fundit ju them se unë do të qëndroj këtu”,- është shprehur Bime.

Ekspertët kanë nisur prishjen e tij me ekskavator pasi përdorimi i eksplozivit mund të ishte i rrezikshëm

Prishet pjesa e mbetur e pallatit pesëkatësh

GJIROKASTËR- Në orën 14.45, prefekti i qarkut Spiro Ksera bëri publik vendimin e marrë për pjesën e mbetur, nga shembja e pallatit pesëkatësh në lagjen “11 janari” të qytetit të Gjirokastrës. Vendimi u mor pas mbledhjes së shtabit të emergjencës së ngritur edhe mendimit të ekspertëve të mbërritur nga Ministria e Mbrojtjes. Kanë qenë dy opsione për shkatërrimin e seksionit të mbetur ende në këmbë: i pari me shpërthim eksplozivi dhe i dyti me mjete të rënda (ekskavator). Por rreziku i një tjetër shkarjeje të tokës që mund të krijohej nga shpërthimi ka bërë që vendimi të merrej për prishjen me mjete të rënda. “Gjatë këtyre tri ditëve të gjithë së bashku kemi përjetuar një situatë tepër të rëndë, të krijuar nga një ngjarje e paprecedent. Në bazë të konkluzioneve të specialistëve të regjimentit të infrastrukturës në Ministrinë e Brendshme dhe për të shmangur ndonjë dëmtim të mundshëm, panik e konfuzion te banorët u vendos që rrëzimi i pjesës së mbetur të pallatit të mos bëhet me shpërthim eksplozivi, por me mjete të rënda. Në respekt të viktimave të pafajshme pritëm përcjelljen e tyre për në banesën e fundit dhe përfundimin e kërkimeve gjeologjike për të vazhduar operacionin”,- ka theksuar Ksera. Menjëherë pas publikimit të vendimit, efektivat e ngarkuar me këtë detyrë kanë nisur prishjen e seksionit të mbetur të pallatit pesëkatësh me një ekskavator. Prishja ka nisur qysh nga kati i pestë për të vijuar më tej me të gjithë katet e tjerë të mbetur, ndërsa mësohet se puna do të vijojë deri në orët e vona të mbrëmjes.

Ndërsa për njërin prej ekspertëve, major Metlli Devolli, shef i infrastrukturës në regjimentin e infrastrukturës pranë Ministrisë së Mbrojtjes, i gjithë operacioni do të kryhet nën masa të rrepta sigurie dhe nuk paraqet asnjë lloj rreziku për banorët. “Kemi vendosur që ta rrëzojmë pallatin me mjete të rënda, në mënyrë që të shmangim panikun që mund të krijohet nga shpërthimi. Është një mënyrë shumë e sigurt, pasi mjeti që do punojë ka krah shumë të gjatë dhe do vendoset në një bazament të sigurt. Gjithçka do të kryhet nën masa të rrepta sigurie, nën survejimin e forcave policore dhe nuk ka asnjë lloj rreziku. Operacioni do të nisë pasdite dhe mendojmë se do të jetë i përfunduar brenda tri ditëve”,- është shprehur major Metlliu. Përgjatë gjithë këtyre ditëve, pallati ka qenë dhe do të vijojë të jetë nën monitorimin e plotë të uniformave blu të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilët lejojnë të afrohen vetëm specialistët pranë rrënojave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›