Oketa: Do të demontojmë 10 tonë municione në ditë
ELBASAN- Një sasi municionesh prej 10 tonësh në ditë do të demontohen në Uzinën e Mjekësit, sasi që do të arrijë deri në 20 tonë në ditë. Kjo është deklarata e dhënë dje në qytetin e Elbasanit nga ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ku njoftoi edhe nisjen e shkatërrimit të predhave të mortajës të kalibrit 160mm. Pasi u njoh me linjën e plotë të demontimit, që nga magazinimi, prerja dhe deri tek zbrazja e predhave, Oketa u shpreh se javën që vjen, me fonde të buxhetit të shtetit do të nisë procesi i demontimit të predhave për të vazhduar me një linjë të dytë dhe kalibra të tjerë. “Konstatoj me kënaqësi se pas një pune disamujore, uzina e Mjekësit është gati për të filluar demontimin e predhave të mortajës”,- tha ministri Oketa. Sipas tij, kjo uzinë plotëson të gjitha kushtet e sigurisë dhe për këtë ai falënderoi drejtuesit, inxhinerët dhe personelin ushtarak, që kishin “bërë të mundur instalimin e një linje moderne tejet të sigurt, një linjë e cila garanton në maksimum jetën qoftë edhe të një individi të vetëm”. Lidhur me sasinë e municionit që do të demontohet, ministri Oketa tha se 10 tonë në ditë do të jetë starti i këtij projekti për të vazhduar deri në 20 tonë në ditë.
“Mendoj se projekti do të fillojë shumë shpejt dhe brenda një jave do të mbyllen procedurat burokratike”,- tha Oketa. “Zyrtarisht, në fillimin e javës që vjen, kjo linjë do të fillojë të punojë në kapacitet të plotë. Sasia aktuale e demontimit shkon në 10 tonë në ditë, ndërsa më pas, me mbarimin e kalibrit 160 mm, do të shikohet mundësia e një kalibri tjetër” vazhdoi ministri, i cili deklaroi se kishte “porositur” nisjen e punës për montimin e një linje të dytë demontimi, pasi uzina e Mjekësit, sipas tij, i “ka të gjitha mundësitë për këtë fazë deri në 20 tonë në ditë”. Për kushtet e sigurisë së kësaj uzine, Oketa deklaroi se ato janë maksimale dhe garantojnë jetën e çdo punëtori. “Kuptohet që për sigurinë këtu nuk ka nevojë të jesh ekspert”, tha ministri i Mbrojtjes pasi u njoh me procesin e demontimit në uzinë. “Kushtet e sigurisë janë maksimale duke filluar që nga ardhja e lëndës eksplozive, të cilat magazinohen në një distancë të konsiderueshme nga pika e demontimit”.
Uzina e Mjekësit është ndërtuar në vitin 1963 nga kinezët dhe shërbente për prodhimin e lëndëve plasëse. Ajo është rinovuar pas viteve ’80, ndërsa pas viteve ‘90 ka marrë vëmendjen e vendeve të NATO-s me ndërtimin e një linje moderne për demontimin e municioneve. Projekti për demontimin e fishekëve u mbyll në nëntor të vitit të kaluar.