E Shtunë, 31 Tetor 2026

Goditet rrjeti i shpërndarësve të drogës, gjashtë në pranga

Agjentët e Antidrogës arrestojnë një grup shpërndarësish heroine të zonave periferike të Tiranës

TIRANË- Antidroga e Tiranës çon në qeli gjashtë anëtarë të një rrjeti që shpërndante heroinë në kryeqytet. Pas arrestimit të nëntë personave, rreth katër muaj më parë, agjentët e Antidrogës kanëprangosur gjashtë bashkëpunëtorë të tyre, të cilët vazhdonin ende aktivitetin e tyre kriminal. Daniel Qemali, 23-vjeç, Ilirjan Dajti, 24-vjeç, Jetnor Ademi, 23-vjeç, Algert Shehu, 21-vjeç, Erjon Todri, 25-vjeç dhe Ilir Tota, 23-vjeç, janë arrestuar ditën e djeshme pranë rrugës së “Kavajës” në Tiranë, teksa shisnin një sasi droge. Burime nga policia thanë se gjashtë të prangosurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin furnizonin me heroinë e hashash, përdorues të ndryshëm droge në të gjithë kryeqytetin.

Hetimi

Rreth katër muaj më parë, Antidroga e Tiranës çoi në qeli nëntë persona, anëtarë të një grupi që merrej me shpërndarjen e heroinës në zona të ndryshme të kryeqytetit. Dyshimet e policisë se ende nuk e kishte shkatërruar këtë rrjet nisën dy muaj më parë, kur informacionet e siguruara në rrugë operative “dekonspiruan” gjashtë bashkëpunëtorë të tjerë të të arrestuarve. Kështu, specialistët e luftës kundër drogës filluan hetimet për të identifikuar dhe kapur shpërndarësit e drogës. Pas vëzhgimeve intensive, agjentët e policisë mundën të identifikonin shpërndarësite drogës. Burime nga policia thanë se gjatë hetimeve u zbuluan emrat e gjashtë personave të cilët dyshohet se shisnin drogë në zona të ndryshme të Tiranës kryesisht në rrugën e “Kavajës”, në zonën e ish-Bllokut, në lagjen Allias, në rrugën "Hoxha Tahsim", në zonën e varrezave të Tufinës, në zonën e njohur si "Varri i Bamit" dhe Kinostudio. Sipas të njëjtat burimeve, ky grup kriminal kishte ndarë detyrat përkatëse për secilin prej anëtarëve.

Operacioni

Pas hetimeve të ditëve të fundit, agjentët e Antidrogës nisën operacionin për arrestimin e të dyshuarve. Ata janë survejuar përgjatë gjithë ditës dhe në momentin që po tentonin të shisnin një sasi lënde narkotike e llojit heroinë, tek rruga e “Kavajës” ka ndërhyrë policia duke kryer dhe kapjen në flagrancë të tyre. Forcat e policisë kanë ushtruar kontroll ndaj të arrestuarve, duke u gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 41.6 gramë lëndë e dyshuar heroinë, 1.6 gram Cannabis Sativa dhe 1.4 gram Metadon. Gjithashtu të arrestuarve iu sekuestruan nëntë aparate telefoni celular, dy automjete të cilët këta persona i kishin në përdorim si dhe një shumë prej 56.000 lekë dhe 100 euro të cilat dyshohet se i kanë përfituar nga shitja e lëndës narkotike. Ndaj gjashtë personave u mor masa e arrestit pasi akuzohen për veprën penale të“Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike“ në bashkëpunim. Ndërkohë që policia po vazhdon hetimet për të identifikuar dhe kapur të tjerë persona të implikuar në këtë rrjet të trafikimit të lëndëve narkotike.

Operacioni II

Daniel Qemali, 23-vjeç

Ilirjan Dajti, 24-vjeç

Jetnor Ademi, 23-vjeç

Algert Shehu, 21-vjeç

Erjon Todri, 25-vjeç

Ilir Tota, 23-vjeç

Operacioni I

Krenar Dajti, 30-vjeç

Bledar Kovaçi, 27-vjeç

Zamir Gjuzi, 24-vjeç

Agron Koçi, 33-vjeç

Elidon Xhiku, 22-vjeç

Geris Lala, 24-vjeç

Sokol Mhilli, 42-vjeç

Zizja Mehmeti, 25-vjeç

Alma Mehmeti, 20-vjeç

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›