Dëshmia 100 minutëshe e kunatit të Bashës
Erion Isufi ka dëshmuar mbrëmë në Prokurorinë e Tiranës, lidhjet e tij me biznesmenin Damir Fazlliç
TIRANË- Njësia e Task-Forcës së Prokurorisë së Tiranës, 36 ditë pas fillimit të hetimit për serbo- boshnjakun Damir Fazlliç ka marrë në pyetje administratorin e kompanive të tij, Erion Isufin. Ka qenë ora 18:15 minuta, kur kunati i ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, i shoqëruar nga avokati i tij, Arian Leka,kanë mbërritur pranë hyrjes së institucionit të Prokurorisë së Tiranës, ku ishin ftuar nga prokurori i çështjes, Besnik Cani. U deshën vetëm 5 minuta, që dy të “ftuarit” e pasdites së djeshme të ngjisnin shkallët e Prokurorisë, për t’iu nënshtruar seancës së pyetjeve për lidhjet me biznesmenin e akuzuar për pastrim parash, Damir Fazlliç. Marrja në pyetje e kunatit të Lulzim Bashës, mësohet se është bërë në cilësinë e deklaruesit dhe personit që ka dijeni për çështjen.
Sipas burimeve zyrtare pranë organit të akuzës, mësohet se gjatë deklarimeve të lira, shtetasi Isufi ka shpjeguar para prokurorit Cani njohjet që ai kishte dhe vazhdon të ketë me personin nën hetim, Damir Fazlliç, që nga dita e njohjes e deri më tani. Konfirmohet se kunati i ministrit Basha ka pranuar se ka qenë për më shumë senjë vit i punësuar nga serbo-boshnjaku Fazlliç në tre kompanitë që ai kishte hapur në vitin 2005 në Shqipëri, ku kishte pasur detyrën e administratorit të kompanive: “Srf Development”; “Virtua Acquisitions” dhe “Croën Acquisitions”. “Pas një viti punë, konkretisht në dhjetor të vitit 2006 kam dhënë dorëheqjen nga administrimi i këtyre kompanive, dorëheqje të cilën e kam bërë para një notereje (deklara të cilat i disponoj) dhe që nga ajo ditë, nuk kam qenë më punonjës dhe nuk di se çfarë është bërë me këto kompani. Në kohën që unë punoja për Damir Fazlliç,vetëm njëra kompani ka pasur aktivitet, ndërsa me dy shoqëritë e tjera nuk është kryer asnjë veprim apo aktivitet biznesi”,-mësohet se ka thënë ndër të tjera Erion Isufi para prokurorit të çështjes.
Erion Isufi nuk ka ngurruar t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve që i janë drejtuar nga organi i akuzës, i përfaqësuar nga prokurori Besnik Cani. Mësohet se ai ka kundërshtuar edhe një tjetër herë se ai ishte ortak me Damir Fazlliçin, duke shtuar se ka qenë vetëm i punësuar prej tij. Nga ana tjetër, kunati i Bashës mësohet se është pyetur edhe për shitjen e kompanisë “Croën Acquisitions” kompanisë qipriote, pronar i së cilës duket se është vetë Damir Fazlliç. Ka qenë ora 20:00 e darkës, kur nga dera kryesore e Prokurorisë së Tiranës ka dalë avokati Arian Leka dhe vetë kunati i ministrit të Jashtëm, Lulëzim Basha, Erion Isufi, i cili nuk ka preferuar të komentojë seancën e pyetjeve në prokurori. Emri i Erion Isufit por edhe i një sërë të afërmish të kryeministrit Sali Berisha u lakuan në media pas zbulimit të lidhjeve të tyre me bizneset e Damir Fazlliçit në Tiranë, biznese këto që janë themeluar brenda një dite me kapital minimal, e një vit më pas, vetë miku i kryeministrit deklaroi se zotëronte rreth 50 milionë euro në Shqipëri.
KOMPANITË
Lidhja e kunatit të Bashës me Damir Fazlliç
TIRANË- Më 19 nëntor të vitit 2005, Damir Fazlliç dhe administratori i tij,Erion Isufi, regjistruan dy firma të ndryshme: “SRF DEVELOPMENT” dhe “VIRTU ACQUISITONS”. Një ditë më vonë, Fazlliç dhe Isufi hapën edhe një firmë të tretë, të cilën e quajtën “CROWN ACQUISITIONS”. Nga shqyrtimi i dokumenteve kuptohet qartë që firmat vetëm nga emërtimet ndryshojnë. Statutet dhe qëllimet e këtyre firmave janë të njëjta. Aktiviteti i firmave është operimi në tregun e pasurive të paluajtshme duke zhvilluar projekte ndërtimi dhe të zhvillimit urban, shitblerje dhe ndërmjetësim të pasurive të paluajtshme, dhënien e konsulencës ekonomike tregtare dhe financiare për ndërmarrjet, por edhe tregtimin , import-eksportin dhe magazinimin e mallrave të ndryshëm. Po kështu, të tre firmat kanë të njëjtën adresë si selinë e tyre qendrore,adresë qëadministratori Isufi ka lënë si vendbanimin e tij (Rr. Shilasi Dishnica, Pallati 2/4). Por duket se kohët e arta të menaxhimit të tre firmave përfundojnë me Erion Isufin, sapo ministri Lulzim Basha emërohet nga Ministria e Transporteve nëMinistrinë e Jashtme. Më 4 qershor të vitit 2007, zoti Fazlliç shkarkon “de jure” nga detyra e administratorit të firmës “CROWN ACQUISITIONS”, Erion Isufin, por ky i fundit vazhdoi të menaxhonte dy firmat e tjera.
Avokatët dhe prokurori kanë kundërshtuar njëri- tjetrin në lidhje me sekuestrimin apo jo të pronave
Pronat e Isufit krijojnë debate në gjykatë
TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë mesditën e djeshme shqyrtoi seancën e dytë gjyqësore të gjykimit të kërkesë padisë së avokatit mbrojtës të Erion Isufit për heqjen e bllokimit të pasurisë së paluajtshme të ish-administratorit të kompanive të serbo-boshnjakut Damir Fazlic. Ka qenë avokati mbrojtës i Isufit, i cili kërkoi edhe gjatë seancës së djeshme të deklarojë të pavlefshme shkresën e prokurorisë që i kërkon Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në vend që të verifikojnë dhe bllokojnë pasuritë. Sipas avokatit, Isufi nuk mund të bëjë asnjë veprim shit-blerjesh nëpër hipotekat e vendit, pasi zyrtarët e këtyre institucioneve i shprehin se prona juaj është e sekuestruar. Por prokurori i çështjes i kundërshtoi këto pretendime të mbrojtjes. “Ne kemi kërkuar nga Hipotekat e gjithë vendit të verifikojmë pasurinë e shtetasit Erion Isufi dhe jo t’i bllokojmë ata. Pasi, në të njëjtin rast është vepruar edhe me pasuritë e shtetasit Damir Fazliç të cilit pasi i janë verifikuar pronat, është kërkuar dhe vendosur nga Gjykata sekuestrimin e tyre deri në një vendim të dytë”,- tha prokurori. Por, avokatit mbrojtës nuk i kanë mjaftuar fjalët e prokurorit, duke i kërkuar këtij të fundit dhe trupit gjykues që të lëshojë një shkresë ku të sqarohet se pronat e shtetasit Erion Isufi nuk janë të sekuestruara. Për prokurorinë kjo shkresë është konsideruar si e pakuptimtë pasi nuk është kërkuar sekuestrimi i pasurisë së Erion Isufit. Ndërkohë, në këtë debat nuk ka mbetur pa u përfshirë edhe gjyqtari i çështjes, Sokol Tona, i cila ka kërkuar nga avokati të paraqesë me shkrim të gjitha pretendimet dhe më pas të vendoset në lidhje me kërkesë padinë. Ndërsa, avokati Leka në fund të fjalës së tij, i bëri me dije Gjykatës se “Hipotekat me këtë shkresë që prokurori thotë nuk është kërkuara sekuestrim të pronës, ata kanë vepruar duke ia bllokuar shtëpinë që ai ka në banim”. Por për gjyqtarin Tona, kjo mbetet për tu verifikuar deri në seancën e radhës të datës 24 nëntor ora 13:00. Me datë 7 tetor, prokuroria e kryeqytetit pas fillimit të hetimeve ndaj shtetasit Damir Fazliç për pastrim parash, ka kërkuar bllokimin dhe sekuestrimin e të gjithë pasurisë që rezulton e regjistruar në emrin dhe shoqëritë që ai drejton. Vendim i cili është zbatuar për disa llogari bankare dhe dy prona rreth 12 hektar truall që ndodhet në Porto Romano nën emrin e shoqërive që ai drejton.