E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhunoi 18-vjeçarin në kufi, arrestohet oficeri

Avokati i Popullit, Dobjani, tone të ashpra edhe kundër Prokurorisë e Gjykatës, që mbrojtën oficerin Ardit Hasanbega

Avokati i Popullit: Gjykata la në burg të riun, edhe pse i ra të fikët nga dhuna e oficerit të policisë

TIRANË- Avokati i Popullit shprehu shqetësimin e tij në lidhje me keqtrajtimin e një të riu që tentoi të kalonte kufirin, nga një punonjës policie. Gjatë një konference për shtyp, Dobjani dënoi rëndë aktet e ushtrimit të dhunës ndaj shtetasit Aristidh Glluçaj nga Gjormi i Vlorës, duke kërkuar hetim për policin e komisariatit të Sarandës, Ardit Hasanbega. Kreu i këtij institucioni ka ngritur akuza ndaj policisë dhe Prokurorisë së Sarandës, të cilat nuk kanë marrë masa për ndalimin apo arrestimin në flagrancë të këtij oficeri policie, duke shtuar se :“ këto organe i zbatojnë këto rregulla pa mëshirë dhe me nxitim ndaj fukarenjve”. Ai i bën thirrje Prokurorisë së Përgjithshme, por edhe Ministrisë së Brendshme të marrin masa të menjëhershme, për të vënë para përgjegjësisë oficerin e policisë Hasanbega.

Duke e ashpërsuar gjuhën ndaj këtyre organeve, Avokati i Popullit shprehu shqetësimin e tij për mbrojtjen që prokurorët apo gjyqtarët i bëjnë punonjësve të policisë. “Po gjyqtarja e Sarandës, pse nuk reagoi kur dy personat e rrahur u paraqitën në atë gjendje para saj? Por kur njëri prej tyre u “këput” para syve të saj, pse nuk urdhëroi masat penale që ia lejon ligji ndaj autorëve të torturës?”, -pohoi dje para mediave Dobjani. Duke iu referuar fushatës së ndërmarrë nga qeveria për tolerancë zero në luftën kundër trafiqeve, Dobjani ka shprehur mendimin e institucionit që ai drejton se është abuzuar me këtë slogan, duke legjitimuar ushtrimin e dhunës deri në kufijtë e torturës nga ana e policisë, kundër shtetasve shqiptarë.

Ermir Dobjani nuk i ka kursyer tonet e ashpra edhe për Gjykatën e Sarandës, që ka nxituar të lërë në burg për 30 ditë, 18- vjeçarin që tentoi të kalonte kufirin, ndërkohë që la pa ndëshkuar përgjegjësin e drejtpërdrejtë që kishte ushtruar torturën mbi të. Konsumi i veprës penale të torturës dënohet me burgim, nga katër deri në dhjetë vjet. Shtetasit Aristidh Gllucaj dhe Oltjon Varfi janë arrestuar pak ditë më parë nga komisariati i policisë së Sarandës për veprën e kalimit të paligjshëm të kufijve. Ndaj tyre është ushtruar dhunë çnjerëzore nga oficeri i policisë, Hasanbega, deri në kufijtë e dërgimit në spital. Deri në momentin e njoftimit të Avokatit të Popullit, asnjë strukturë tjetër nuk ka ngritur zërin për shmangien dhe dënimin e kësaj torture të ushtruar ndaj këtyre dy shtetasve. Institucioni i Avokatit të Popullit ka paralajmëruar se do të vazhdojë inspektimet edhe në komisariate të tjera, ku ka informacion për shkelje të ngjashme të të drejtave të njeriut.

KRYEPROKURORJA

Ina Rama: Hetim i shpejtë për dhunën

TIRANË-I menjëhershëm ka qenë reagimi i Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, në lidhje me kërkesat e Avokatit të Popullit. Pasi është vënë në dijeni për shqetësimin e paraqitur nga Dobjani, por edhe pasi është informuar për ngjarjen e ndodhur në Sarandë, ajo ka urdhëruar Prokurorinë e Sarandës të kryejë një hetim sa më të shpejtë në lidhje me këtë ngjarje. “Hetimi duhet të jetë i shpejtë, efektiv dhe objektiv për këtë ngjarje, në mënyrë që ajo të zbardhet sa më shpejt dhe të vihen para përgjegjësisë autorët e saj”, -është shprehur nëpërmjet një njoftimi për mediat, kryeprokurorja Rama. Gjithashtu nga Prokuroria e Përgjithshme i është kërkuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor në Sarandë që të merren të gjitha masat ndaj personave përgjegjës në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, në mënyrë sa më të shpejtë.

REAGIMI

Ministria: Arrestuam oficerin në Sarandë

TIRANË- Ministria e Brendshme pranoi ushtrimin e dhunës ndaj dy shtetasve Aristidh Gllucaj dhe Oltjon Varfi, duke bërë me dije arrestimin gjatë ditës së djeshme të oficerit Ardit Hasanbegaj. Pas alarmit të Avokatit të Popullit, policia ka arrestuar Hasanbegajn me akuzën e “kryerjes së veprimeve arbitrare”, të parashikuar nga neni 250 i Kodit Penal, dhe në bazë të një urdhri të lëshuar nga Prokuroria e Sarandës. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, pas konfirmimeve të marra në lidhje me këtë ngjarje, ka urdhëruar pezullimin nga detyra të punonjësit të policisë që ishte përfshirë në këtë ngjarje. Reagimi i Ministrisë së Brendshme erdhi disa orë pasi Avokati i Popullit, ka ashpërsuar gjuhën e kritikave ndaj këtij institucioni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›