E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, Topallit: “Miratoni me procedurë të përshpejtuar uljen e taksës për biznesin e vogël”



Zëdhënësja e kryeministrit Berisha, Juela Meçani, ka bërë të ditur dje gjatë një konference për shtyp se kryeministri Berisha i ka kërkuar kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, që Parlamenti të votojë me procedurë të përshpejtuar projektligjin për uljen e taksës për biznesin e vogël. “Për arsye se në drejtim të kryeministrit kanë ardhur kërkesa të shumta nga përfaqësues të biznesit të vogël, të cilët kërkojnë hyrjen sa më shpejt në fuqi të ligjit që mbron biznesin e vogël nga tatimet abuzive, të cilat e rëndojnë atë, kryeministri Berisha ka komunikuar me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Jozefina Topalli dhe i ka kërkuar asaj që të bëjë çdo përpjekje në mënyrë që ligji, i cili mbron biznesin e vogël nga tatimet abuzive, të miratohet sa më shpejt”, - është shprehur Meçani. Gjatë mbledhjes së djeshme qeveria miratoi projektligjin që synon uljen deri në 10% të taksave për biznesin e vogël.
Projekti parashikon ndryshime në ligjin për sistemin e taksave vendore në Shqipëri. Sipas këtyre ndryshimeve, “taksat dhe tarifat e aplikueshme nuk duhet të jetë më shumë se 10 për qind e nivelit tregues të taksës së biznesit të vogël, sipas kategorisë së rrethit dhe qarkullimit vjetor”. Ndërkohë që taksa do të jetë e ndryshueshme në zona të ndryshme të vendit. Në ato raste ku biznesi ndodhet në qendër të qytetit taksa do të jetë më e lartë se 10%. Projekti gjithashtu parashikon vendosjen e taksave të përkohshme. “Këshilli bashkiak ose komunal, kur e gjykon të domosdoshme, vendos taksa me karakter të përkohshëm në interes të përgjithshëm të komunitetit, në territorin brenda juridiksionit të saj. Masa e taksave me karakter të përkohshëm, së bashku me taksat dhe tarifat e aplikueshme, nuk duhet të kalojnë kufirin plus 10 për qind të nivelit tregues të taksës së biznesit të vogël, sipas tabelës së taksimit të subjekteve të këtij biznesi”, - shkruhet në vendimin e qeverisë.

17 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›