E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu konfirmon aplikimin për statusin në BE brenda prillit



Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka konfirmuar dje për mediat se Shqipëria do të aplikojë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian brenda muajit prill. Ndërkohë që në axhendën e udhëtimeve të kryeministrit Berisha jashtë vendit është parashikuar një udhëtim më datën 28 prill në Pragë të Çekisë. Pritet që gjatë kësaj vizite kryeministri i Shqipërisë të paraqesë pranë Presidencës aktuale të Bashkimit Europian kërkesën zyrtare të qeverisë shqiptare për të aplikuar për statusin e vendit kandidat. Nga ana tjetër, dje ka reaguar zëdhënësja e komisionerit për Zgjerimin në BE, Oli Ren, Kristina Nagi, e cila ka bërë të ditur se kërkesa e Shqipërisë për statusin do të shqyrtohet pas zgjedhjeve parlamentare, të cilat kanë rëndësi për BE-në.
Qëndrimi
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, e pyetur dje nga mediat nëse qëllimi i vizitës së kryeministrit Berisha më 28 prill në Pragë ka të bëjë me dorëzimin e kërkesës për statusin kandidat, tha: “Në qoftë se ju e keni marrë axhendën e kryeministrit për muajin prill, atëherë besoj që keni të drejtë”. Bregu i bëri këto komente gjatë prezantimit të konkursit të ideuar nga Ministria e Integrimit, që fton studentët të trajtojnë ese me tema mbi proceset integruese ku për fituesit janë parashikuar dhe çmime të ndryshme. Vetëm pak ditë më parë ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha, deklaroi gjatë një takimi me anëtarë të PD-së në Elbasan se qeveria do të aplikojë shumë shpejt për statusin e vendit kandidat në BE. Edhe kryeministri Berisha gjatë gjithë qëndrimeve të tij ka bërë të ditur se aplikimi do të bëhet brenda presidencës çeke të Bashkimit Europian.
Brukseli
Dje ka ardhur reagimi i zëdhënëses së Oli Renit, Kristina Nagi, e cila ka bërë të ditur se përcaktimi i datës për aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat i takon Presidencës së BE-së, në marrëveshje me autoritetet shqiptare. Nagi gjithashtu ka bërë të ditur se në fund të muajit prill, një delegacion nga Tirana pritet të vizitojë Pragën, për të dorëzuar aplikimin për statusin e vendit kandidat. “Përsa i përket Komisionit, ne jemi sigurisht në kontakt të rregullt me autoritetet e vendeve potencialisht kandidate, siç është Shqipëria, dhe në këtë kontekst çështja e një aplikimi të mundshëm është diskutuar disa herë gjatë muajve të kaluar, por siç e thashë më parë, i takon Presidencës të bjerë dakord për një datë të veçantë”,- është shprehur Nagi, zëdhënësja e komisionerit për Zgjerim, Oli Ren. Më tej ajo nënvizoi se qëndrimi i këtij institucioni nuk ka ndryshuar kurrë, duke përfshirë edhe kërkesën për plotësimin me sukses të reformave kyçe. “Zgjedhjet parlamentare shqiptare të fund të qershorit do të jenë një test madhor për demokracinë shqiptare. Kjo është ajo që kemi thënë vazhdimisht dhe ky mbetet qëndrimi i qartë i Komisionit. Unë mund të shtoj se paraqitja e aplikimit për kandidaturën është sigurisht një hap shumë i rëndësishëm, por është gjithashtu e rëndësishme që një hap i tillë të ndiqet nga një vendim i Këshillit për t’i kërkuar Komisionit të përgatisë një raport opinioni mbi meritat e këtij aplikimi. Nëse shqiptarët e dorëzojnë aplikimin në fund të prillit, drita jeshile që Komisioni të nisë shqyrtimin nuk pritet të ndizet para zgjedhjeve”, - është shprehur Nagi.

17 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›