Apostoli, letër krerëve të opozitës: “Duhet të bashkohemi në një koalicion të vetëm”
Kryetari i Partisë më të re të së majtës, Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet, Gaqo Apostoli, u ka dërguar një letër të gjithë kryetarëve të partive opozitare. Në letrën, e cila i është dërguar kreut të PS-së, Edi Rama, kreut të LSI-së, Ilir Meta, atij të PSD-së, Skënder Gjinushi, Paskal Milos së PDS-së dhe Erion Veliajt të G99-ës, Apostoli kërkon mbledhjen e tryezës së përbashkët opozitare brenda datës 25 prill. Në këtë letër, Apostoli thekson se kjo tryezë duhet të mblidhet për të diskutuar mundësinë që opozita të garojë në një koalicion të vetëm në zgjedhjet e 28 qershorit. Sipas tij, ky garim do të garantojë fitoren e sigurt të opozitës në këto zgjedhje. “Bashkimi i partive të majta në një koalicion të vetëm bën që vota e elektoratit të majtë të maksimizohet, të mos ketë firo elektorale nga indiferenca në votim për shkak të pasigurisë në fitore, si dhe të garantohen e të rriten më tej rezultatet e parashikuara në sondazhet e derisotme për një fitore të plotë të së majtës. Brenda një koalicioni të vetëm parazgjedhor të së majtës, çdo parti e majtë do të marrë maksimumin e mundshëm elektoral të saj, pasi zgjedhësi do të votojë brenda së majtës sipas preferencës që ka dhe nuk do të imponohet nga frika e çuarjes dëm të votës, si në rastin e copëtimit në dy koalicione të majta”, thuhet në këtë letër.
17 Prill 2009