Opozita braktis Kuvendin, kërkon shpërndarjen falas të letërnjoftimeve
Eljona Ballhysa
Opozita ka braktisur dje seancën parlamentare, duke vendosur kushte për rikthimin në Kuvend shpërndarjen falas të letërnjoftimeve. Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, i ka bërë thirrje qeverisë që të heqë taksën mbi të drejtën e votës së qytetarëve shqiptarë. Leskaj ka bërë të ditur se opozita nuk do të kthehet në Kuvend deri në përmbushjen e kësaj kërkese. Në rast të kundërt, sipas saj, zgjedhjet shkojnë drejt dështimit. Ndërkaq, përfaqësuesja më e lartë e PS-së në Kuvend e ka cilësuar konfuz vendimin e një dite më parë të qeverisë. Pas kësaj deklarate opozita ta braktisur sallën e Kuvendit, ndërsa maxhoranca ka reaguar duke e cilësuar këtë lojë politike të opozitës, e cila kërkon të marrë vota me këtë qëndrim të sajin.
Opozita
“Nuk ka zgjedhje pa u dhënë të gjithë shqiptarëve të drejtën e votës. Duke shkelur të drejtën e votës ju po prishni zgjedhjet. Ne kërkojmë atë që jua kemi bërë të qartë, të hiqni taksën e votës, të hiqni barrierat që pengojnë shqiptarët në ushtrimin e së drejtës kushtetuese për të votuar. Taksa e votës po lë qindra mijëra shqiptarë pa votuar dhe po e provokon opozitën përtej kufirit të durimit. Ndaj sot ne po i biem kambanës së alarmit për zgjedhjet duke dalë nga Parlamenti. Ne nuk mund ta lejojmë Sali Berishën të tallet me votuesit shqiptarë”, - është shprehur Leskaj, e cila ka cilësuar vendimin e një dite më parë të qeverisë të cunguar, konfuz dhe që nuk i jep zgjidhje problemit. “Vendimi i djeshëm është i cunguar e konfuz dhe mban peng procesin. Me këtë vendim pranuat gabimin, por nuk zgjidhët problemin. S’bëtë gjë tjetër, por po përpiqeni t’ua shkarkoni përgjegjësitë dhe dështimin tuaj si qeveri pushtetit vendor. Në qoftë se kujtoni se do ta mbani pushtetin duke i mbajtur shqiptarët larg kutive të votimit, i keni bërë llogaritë gabim.
Asnjë shqiptar nuk do të kursehet të paguajë taksën e votës, që do të mbetet turpi juaj më i madh. Për sa kohë që edhe një shqiptar i vetëm nuk e paguan dot këtë taksë të turpshme për shkak të varfërisë, ne do të rezistojmë paqësisht, por vendosmërisht, që e drejta e votës të mos cenohet”, - është shprehur Leskaj.
Maxhoranca
Pas saj ka reaguar ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, i cili u shpreh se procesi i pajisjes së qytetarëve me karta identiteti po ecën normalisht. Ndërkaq, Nishani e ka konsideruar spekulim pretendimin e opozitës dhe një lojë politike nëpërmjet së cilës opozita kërkon të marrë vota. “Procesi i pajisjes së shtetasve shqiptarë me letërnjoftimet elektronike, si një nga proceset e rëndësishme të infrastrukturës zgjedhore, po ecën brenda të gjitha parashikimeve dhe parametrave normalë. Pretendimet e opozitës lidhur me këtë proces janë një spekulim politik dhe pjesë të lojës së saj politike”, - është shprehur Nishani. Sipas ministrit të Brendshëm, në të gjitha komunat dhe bashkitë e vendit, të cilat operojnë me të gjitha kapacitetet e nevojshme, aplikimi i shtetasve për letërnjoftimin elektronik vazhdon normalisht. “Deri në fundin e muajit maj është e mundur të pajisen rreth 1.56 milionë qytetarë shqiptarë me letërnjoftimet elektronike”, - është shprehur Nishani. Ai i vlerësoi të rëndësishme për procesin vendimet që ka marrë qeveria shqiptare për të lehtësuar financiarisht shtetasit në nevojë, të cilët do të paguajnë vetëm 200 lekë për kartën e identitetit. Edhe përfaqësuesit e tjerë të maxhorancës e cilësuan lojë politike reagimin e opozitës. Nënkryetari i Kuvendit, Neritan Ceka, shkoi më tej duke i bërë thirrje PS-së që t’i ndihmojë nga ana e saj qytetarët në nevojë. “Partia Socialiste është partia më e pasur dhe Edi Ramës nuk i kushton gjë, vetëm me një leje ndërtimi ai ka mundësi të pajisë me letërnjoftime anëtarët e PS-së”, - është shprehur Ceka.
Reagimi i opozitës vjen vetëm një ditë pasi qeveria miratoi vendimin për uljen e çmimit të kartës së identitetit në 200 lekë për shtetasit në nevojë, pensionistët dhe studentët. Madje Berisha u shpreh dje se kartat do të blihen nga pushteti vendor, ndërkohë që pensionistët dhe shtetasit në nevojë do të paguajnë për të kur të marrin subvencionimin nga shteti. Ndërsa për studentët kartat do të blihen nga universitet.
17 Prill 2009