E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi sulmon Ramën për abuzimet me lejet e ndërtimit



Nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, gjatë turit parazgjedhor të zhvilluar në disa komuna të rrethit të Kavajës, ka sulmuar kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, të cilin e ka akuzuar për abuzime me lejet e ndërtimit. Gjatë takimeve të zhvilluara në komunat Kryevidh, Luz i Madh, Lekaj e Gosë, Patozi tha se “vetëm pak ditë më parë Rama kërkoi të mblidhte KRRT-në e Tiranës dhe nga 18 leje ndërtimi, 14 do t’ia jepte së njëjtës studio, “Atelier 4”, e cila i përket bashkëpunëtorit dhe ortakut të tij, Alban Eftimi. Akte të tilla të pastra korrupsioni, 15 përqindëshat apo dy katet që jepen te Rama për çdo pallat të ndërtuar në Tiranë me aprovimin e tij, janë krejtësisht të papranueshme. Ndaj, ne kemi ndërmarrë një nismë parlamentare, një komision parlamentar, i cili do të hetojë dhe do t’u tregojë të gjithë shqiptarëve se kush është Edi Rama dhe filozofia që ai përfaqëson”, - është shprehur Patozi.
Më tej nënkryetari i Partisë Demokratike shtoi se “më mirë se komisioni, do të jenë shqiptarët ata që më 28 qershor do të largojnë Edi Ramën si nga Partia Socialiste, ashtu dhe nga Bashkia e Tiranës”. Përgjatë takimeve Patozi u ndal konkretisht edhe në disa nga premtimet e bëra realitet përgjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, dyfishimin e pensioneve në fshat, dyfishimin e pagave të arsimtarëve dhe infermierëve, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, investimet në infrastrukturë, si dhe uljen e taksave.

17 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›