“Dosjet”, Rama: Ligji do të rrëzohet
Aristir Lumezi
Kryetari socialist, Edi Rama, kërkoi nga maxhoranca, që të mos miratojë në seancën plenare të Kuvendit, projektligjin "Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve". Kryesocialisti i bëri thirrje maxhorancës se edhe nëse e voton ligjin, socialistët do t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për ta rrëzuar atë si antikushtetuese. Duke folur në një konferencë për shtyp, Rama theksoi se projekti është fund e krye një mekanizëm klanor dhe korruptim, që synon të shkelë çdo parim kushtetues dhe se ndan maxhorancën nga opozita, si dhe thellon hendekun mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor. "Mos votoni sot me ngut atë që keni gatuar pa asnjë debat dhe asnjë mirëkuptim as me opozitën, as me shoqërinë civile, as me kategoritë drejtpërdrejtë të interesuara dhe as me partnerët ndërkombëtarë", tha Rama. Kreu socialist i kërkoi kryeministrit Berisha dhe maxhorancës të ulët në tryezën e bisedimeve. "Kthehuni në tryezën e diskutimit për të gjetur mirëkuptimin e të gjithëve, sepse të gjithë e dëshirojnë miratimin më në fund të një ligji evropian për çështjen e dosjeve të diktaturës komuniste", tha Rama. Kreu socialist kërkoi të mos kalojë ky ligj, në një moment krejtësisht të papërshtatshëm, pasi vendit i duhet të ketë gati Kodin Zgjedhor, pas kthimit në Kuvend që i bëri Presidenti i Republikës. Rama u shpreh i gatshëm të japë konsensusin për një ligj, i cili do të ishte sipas përvojës së lindjes ish-komuniste. "Ne jemi gati të japim konsensus mbi cilindo model të suksesshëm të vendeve të ish-lindjes komuniste ku duhet të bazohet ky ligj dhe jemi të bindur se të gjithë do ta përshëndesnin një proces të hapur e konstruktiv në hartimin e këtij ligji", tha Rama. Kreu socialist nuk kurseu akuzat për kryeministrin Berisha dhe ata që i ai i quan "oborrtarët" e tij. Sipas Ramës, maxhoranca, e cila tani nuk ka mbështetje në popull, do të hapë dosjet e diktaturës për të mbyllur dosjet e korrupsionit. "Çdokush kërkon që të zbardhet çështja e Gërdecit, e rrugës Durrës-Kukës, çështja e aferave me sekserin Damir Fazlliç dhe çështja e zhdukjes së Remzi Hoxhës", u shpreh Rama, duke theksuar se e gjithë kjo bëhet vetëm për interesat politike të kryeministrit dhe shpurës së tij. Duke e akuzuar kryeministrin Berisha për demagogji dhe gjoja pozicionim kundër diktaturës komuniste nga ana e maxhorancës aktuale, Rama tha se "Sali Berisha ka vërsulur drejt nesh papagajtë e oborrit të tij, duke mos u kursyer as vetë në përpjekjen e dëshpëruar, për ta treguar këtë projektligj, si një vijë parimore demarkacioni mes maxhorancës, që dashka të dënojë krimet e komunizmit dhe opozitës, që mbroka kriminelët e diktaturës komuniste". Sipas tij, Berisha, akuzon kundërshtarët e tij njësoj si një persekutor i zakonshëm komunist.
Prifti: Debati për dosjet është teatër, janë falur deputetë të PS
Lëvizja socialiste për Integrim e cilësoi teatër debatin mes dy partive kryesore në lidhje me ligjin "Për dosjet e bashkëpunëtorëve të ish-sigurimit të Shtetit". Nënkryetari i saj, Dritan Prifti, duke denoncuar këtë debat, tha se kërkohet të krijohet imazhi se dy partitë nuk po merren vesh mes tyre. "Historia e këtij ligjit të dosjeve, me thënë të drejtën, duket si teatër këtu në Parlament, duket sikur dy krahët e politikës nuk merren vesh me njëri-tjetrin, por në fakt te ligji i Dosjeve, ata njerëz që janë me dosje nga krahu i majtë janë përjashtuar nga ligji, edhe ata që janë me dosje te krahu i djathtë janë përjashtuar nga ligji", tha Prifti. Nënkryetari i LSI-së tha se askush nuk i beson këtyre teatrove. "Ky është një ligj qesharak, është një ligj, që është një teatër para shqiptarëve, sepse veten e tyre ata që janë me dosje në këtë Parlament, e kanë përjashtuar nga ligji. Kështu që, nuk i beson njeri këtyre lloj teatrove", tha Prifti. Nënkryetari i LSI-së i kërkoi kryeministrit dhe kryetares së Kuvendit të sjellë sa më shpejt në Kuvend projektligjin për statusin e minatorëve, duke e cilësuar këtë një çështje të qenësishme dhe që ka lidhje me fatin e shumë familjeve, të cilët janë në grevë urie. Unë, meqë jam këtu, dua t'i bëj thirrje Kryeministrit dhe zonjës Topalli, sepse kam qenë sot kam takuar minatorët protestues para Kryeministrisë. Kemi dorëzuar para tre muajsh, zonja Topalli, një ligj për statusin e minatorit dhe ka tre muaj, që ju nuk e fusni në procedurat parlamentare, as në komisione dhe as në seancë", tha Prifti.