“Qeveria s’duhet të dominojë institucionet,shkojmë në diktaturë”
Ambasadori britanik në Tiranë, Fraser Wilson, gjatë një interviste në emisionin “60 minuta” të gazetarit Franko Egro në “Koha Televizion”, i bën një analizë të hollësishme, jo vetëm diplomatike, situatës dhe ngjarjeve politike në Shqipëri. Ai i cilëson ndërhyrjet në Kushtetutë të pa konsultuara sa duhet me të gjitha grupet e interesit dhe sheh se është dëmtuar raporti kontroll-balancë në funksionimin e institucioneve shtetërore. Sipas tij, ndryshimet kushtetuese s’mund të jenë tekë e askujt. Wilson shprehet i zhgënjyer nga mungesa e vullnetit të partive politike për një sondazh publik të qytetarëve shqiptarë.
Ambasadori britanik sugjeron transparencë në hartimin e Kodit Zgjedhor dhe plotësimin e infrastrukturës zgjedhore nga ana e qeverisë.
Zoti ambasador, një rast specifik që tërhoqi vëmendjen e opinionit ishte çështja e emërimeve të Presidentit në Gjykatën e Lartë. Të gjitha u hodhën poshtë nga maxhoranca.
Ishte një çështje që është mbuluar mirë nga media në atë kohë. U ndoq procedura parlamentare dhe Parlamenti ka të drejtë që të bëjë këto refuzime, nëse besojnë se këta njerëz nuk ishin kandidatët e duhur. Mendoj se mënyra sesi u përballua ishte e pavend. Mendoj se duhet të kishte qenë proces më harmonik. Këshillimet ishin të rëndësishme. Mendoj se kishte një nivel këshillimesh, por mendoj se për aq kohë sa ndiqte procesin parlamentar, dhe proceset parlamentare janë të qarta, atëherë unë s’mund të ankohem për këtë. Sepse s’mund të ankohesh kur një parlament i zgjedhur në mënyrë demokratike merr vendim. Ajo që mendoj është se duhet përmirësuar procesi. Dhe nëse këto procese janë zbatuar si duhet dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare, atëherë duhet të jetë një rezultat i mirë.
Megjithatë, zoti ambasador pa hyrë në detaje, por njëri prej kandidatëve të Presidentit ishte një jurist me eksperiencë në Gjykatën Ndërkombëtare të Strasburgut. Edhe ajo u refuzua. Kjo bëri që opinioni të mendonte, që këtu ka një prapavijë të qartë politike dhe jo respektim institucionesh.
S’do të flas për raste të veçanta, sepse kjo s’do të ishte e ndershme, por ajo që do të them është se për këtë punë duhet të zgjidhen njerëzit më të mirë. Presidenti mendoi se po vendoste njerëzit më të mirë që ai besonte, për çfarëdo arsye Parlamenti vendosi që të mos i zgjidhte. Mendoj se është e rëndësishme për të dyja palët ta mendojnë me shumë kujdes dhe të thonë atë që mendojnë se është më e mira për ta. Le ta diskutojmë, le ta çojmë para, dhe le të sigurohemi që të marrim njerëzit e duhur. Nuk jam i sigurt nëse janë zgjedhur njerëzit e duhur, por në këtë fazë, nuk do të kritikoj asnjë.
Në këtë rast Parlamenti krijoi një tjetër mekanizëm për skanimin e kandidaturave të Presidentit. Është ky një zhvillim i shëndetshëm nga këndvështrimi juaj, apo ishte thjesht një ndërhyrje e Parlamentit në raportet me Presidentin që vazhdojnë të mos jenë të mira?
Vende të ndryshme kanë mënyra të ndryshme për t’i bërë gjërat. Ne nuk kemi këto lloj politikash në Mbretërinë e Bashkuar, disa vende si tjera, SHBA-ja ka një procedurë ndërhyrëse në përcaktimin e emërimeve publike nga Kongresi. I takon Shqipërisë të vendosë. Nëse do që të sigurojë që figurat e zgjedhura do të jenë të pranueshme. Ku do ta vendosësh kufirin, midis ndërhyrjes mes Parlamentit dhe sistemit gjyqësor. Ne besojmë se pavarësia e institucioneve publike është shumë e rëndësishme. Është e gabuar që një institucion të sundojë një tjetër. Qeveria s’duhet të dominojë, Parlamenti s’duhet të jetë dominues. Është një çështje kontrollesh dhe ekuilibrash. Është e rëndësishme që t’i bësh si duhet këto kontrolle dhe ruajtje ekuilibrash. Ka mënyra të ndryshme për ta bërë këtë, problemi është se nëse një organizatë ose institucion e bën këtë, atëherë shkojmë drejt rrugës së diktaturës. Dhe diktatura është diçka për të cilën Shqipëria di gjithçka, dhe s’mendoj se njerëzit duan të shkojnë në atë rrugë. Pra, është shumë e rëndësishme që të realizohet si duhet pavarësia e institucioneve.
Ju ngritët një element mjaft të rëndësishëm. Është ngritur ky shqetësim pra, që raporti kontroll-balancë është dëmtuar. Ku vendoset kjo linjë demarkacioni mes kontroll-balancës dhe kontroll-kontrollit?
Mendoj se kjo varet nga vetë shqiptarët, që të vendosin se ku të vendosin kufirin, por është shumë e rëndësishme të kenë kontroll dhe ekuilibrim. Nuk ka rëndësi që të diskutosh sesi ta bësh, vetëm nëse bini dakord që është diçka që ke për qëllim ta bësh. Atëherë, bie dakord sesi ta bësh, sigurisht nuk flet vetëm për gjyqësorin, s’po flet vetëm për zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Po flet për shumë gjëra. Njëra nga gjërat që më shqetëson mua është administrata publike. Shërbimi publik. Shërbimi publik në Shqipëri shumë i politizuar, kjo është shumë e gabuar. Sepse nëse administrata publike është e depolitizuar nuk keni ndryshuar një numër të madh njerëzish, kur vjen një qeveri e re, ose ndonjëherë kur vjen një ministër i ri. Një numër i madh njerëzish pushohen nga puna. Më lejoni t’ju jap një shembull për këtë. Ne e pamë me shumë kujdes se ç’ndodhi në Gërdec. Ka një plan civil emergjencash për Shqipërinë, e dimë këtë sepse qeveria britanike paguan për të. Punuam me UNDP-në për këtë. Dhe u siguruam që të ishte në gjendje të mirë. Por ç’ndodhi kur shpërtheu Gërdeci? Asnjë s’e pa planin e emergjencës civile. Pse? Sepse njerëzit që dinin sesi ta zbatonin atë, ishin larguar. Ishin zëvendësuar të gjithë. Kjo është shumë e gabuar, dhe kjo më zhgënjeu në shumë mënyra. Më zhgënjeu, sepse taksapaguesit britanikë kanë paguar shumë para dhe iu kushtoi shumë para. Dhe u shpërdoruan. Puna ime është që të sigurohem që paratë e taksapaguesve britanikë të mos shkojnë kot. Por gjëja më e rëndësishme është, që shqiptarët nuk përfituan nga kjo. Nuk ka rëndësi të kërkosh ndihmë ndërkombëtare për të ndihmuar Shqipërinë nëse s’përdoret për ta. Kjo do të thotë që kur ke një qeveri, atëherë, ata duhet të shfrytëzojnë në përvojën e shërbimit publik. Duhet të jenë në gjendje të thonë: “Shiko, ç’do të bëjmë me këtë situatë të veçantë?”. Dhe i takon shërbimit publik t’i thonë ministrit, këto janë mundësitë, këto janë avantazhet dhe disavantazhet. Vendos ti, sepse ministri është njeriu që vendos. Ai është njeriu i zgjedhur që i pëlqen të bëjë kështu. I takon atij që të vendosë. Por e rëndësishmja është që një organizatë e pavarur është në gjendje të paraqesë idetë. Kjo është ajo që kërkohet.
Në datën 21 prill dy forcat kryesore PD dhe PS ndryshuan thelbin e Kushtetutës, e cila 10 vjet më parë u miratua me referendum. Këtij zhvillimi nuk i parapriu një diskutim i gjerë publik. Cili është opinioni juaj?
Mendoj se Kushtetuta e çdo vendi është një dokument shumë i rëndësishëm. Ne në Mbretërinë e Bashkuar nuk kemi Kushtetutë, por kemi grup ligjesh dhe përvoje, që është shumë e rëndësishme. Kur do të bëjmë ndryshime në këtë, ka shumë konsultime, shumë diskutime dhe shumë marrëveshje para se të bëhet ndonjë tentativë. Dëgjohen të gjithë të interesuarit. Mund të mos bien dakord, por dëgjohen dhe të gjithë mendimet e tyre merren parasysh. Mendoj se kështu duhet të ndodhë në çdo vend. Kushtetuta është diçka për të cilën duhet të ulesh, dhe të diskutosh shumë, edhe në Shqipëri. Dikush s’duhet ta ndryshojë Kushtetutën sipas tekave. Dikush s’duhet ta ndryshojë shumë shpejt Kushtetutën. Gjithmonë duhet të ketë këshillime të përshtatshme.
Por një gjë e tillë faktikisht nuk ndodhi. Kritikët nënvizojnë se kjo u bë për të kënaqur dëshirat e dy forcave kryesore politike, që faktikisht, ligjërisht, teknikisht e kishin këtë të drejtë që ta bënin. 115 deputetë votuan pro, ndërkohë që opinioni publik ka reaguar negativisht.
Absolutisht. Ligji elektoral është konsideruar shumë i shtrirë, në një numër të madh organizatash, nuk pati marrëveshje të plotë. Dhe u bë e qartë që nuk do të ketë marrëveshje të plotë midis këtyre partive. Kështu që duhet të vendosnin, zgjedhjet do të bëhen vitin tjetër, koha po mbaronte, u bënë diskutime të mira, u bënë konsultime të mira dhe u morën vendimet. Në të njëjtën kohë janë bërë edhe një numër ndryshimesh të tjera në Kushtetutë. Mendimi im në këtë? Mund të kenë qenë të drejta, mund të kenë qenë të gabuara. Kishte këshillime të mjaftueshme? Nuk besoj kështu.
Gjithmonë zyra e OSBE/ODIHR-it ka paraqitur lista vërejtjesh dhe sugjerimesh të përsëritura. Duke qenë se Shqipëria është pranuar anëtare e NATO-s në zgjedhjet e 2009 do të tolerohen më mangësi?
Mendoj se duke filluar me ftesën e NATO-s, më lejoni që të uroj Shqipërinë për arritjen e kësaj ftese. Mendoj se është shumë e rëndësishme dhe se do ta çojë para Shqipërinë. Dhe sa për standardet dhe komentet e OSBE-së dhe ODIHR-it, po, është e rëndësishme që të mësosh nga gabimet në të kaluarën.
ODIHR-i ka dhënë ca rekomandime. Këto rekomandime duhet të shikohen dhe duhet të merren parasysh dhe ligji i ri, Kodi i ri elektoral duhet t’i ketë parasysh, sepse ato janë standardet ndërkombëtare. Dhe nëse standardet janë arritur dhe Kodi i ri i përfshin këto, atëherë ajo është rruga e duhur. Mendoj që ajo që s’do Shqipëria është një listë tjetër me të meta në fund të këtyre zgjedhjeve. Mënyra më e mirë për t’u siguruar që kjo të mos ndodhë, është të pranojnë ndryshimet tani, të sigurohen që Kodi i ka në vendin e duhur ato. Kodi i ka parasysh të gjitha standardet ndërkombëtare dhe të gjithë e dinë se ç’janë. Transparenca është shumë e rëndësishme. Të bësh gjithçka si duhet dhe në vendin e duhur para zgjedhjeve, është një mënyrë për të siguruar që do të jetë një kod i mirë.
Zoti ambasador, përsa i përket Kodit Zgjedhor ai duhet të ishte përfunduar brenda muajit shtator, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Nga eksperienca gjithçka mbetet për minutën e fundit. Cili do të ishte mesazhi juaj?
Mesazhi im është: “Ecni para, ju lutem. Sa më shpejt që të jetë e mundur”. Dua të them, këto janë zgjedhje që do të mbahen në qershorin e vitit tjetër, siç është sugjeruar. Vetëm nëse Kodi është paraqitur sa më shpejt që të jetë e mundur, do të jetë e vështirë që të sigurosh të gjithë se çfarë përmban, cilat janë sistemet dhe ta çosh para. Mendoj, sa më shpejt aq më mirë. Duhet të ketë marrëveshje, por duhet të ketë marrëveshje të mirë. Por duhet të ecë para tani, nuk pranohet më ta lënë për në çastin e fundit. Tani Shqipëria ka arritur në atë fazë, ku duhet të marrë vendime shumë kohë më parë dhe të sigurojë që procesi është vendosur kohë më parë.
Një nga mangësitë thelbësore të zgjedhjeve ka qenë mungesa e infrastrukturës zgjedhore; kartat e identitetit, pasaportat biometrike, lista e votuesve etj. Qeveria pretendon se është në proces, ndërkohë që opozita është skeptike. Cila është ndjesia juaj për infrastrukturën zgjedhore?
Qeveria na ka siguruar që kartat e identitetit do të jenë gati në kohën e duhur. Shpresoj që kjo të jetë e drejtë. Problemi me kartat e identitetit është se janë shumë teknike. Është një proces informatik. Shumë informatik. Shumë pak procese kaq informatike përfundojnë në kohën e duhur. Por bërja e tyre si duhet është shumë e rëndësishme. Sepse problemet në të shkuarën për identifikimin e popullsisë në procese votimi kanë treguar, se të identifikosh popullsinë në mënyrë korrekte është shumë e rëndësishme. Kështu që duhet të jenë gati në kohë, ose kartat e identitetit ose si variant i fundit kartat e identitetit dhe pasaportat. Por e përsëris, duhet të bëhen gati në kohë dhe janë të domosdoshme për zgjedhjet.
Zoti ambasador të kalojmë tek një prej zhvillimeve më të rëndësishme në Shqipëri, tragjedia e Gërdecit. Si e lexoni ju atë ç’ka ndodhi në Gërdec?
Është një tragjedi njerëzore. 26 vetë humbën jetën. Qindra të tjerë u plagosen. Mesa kuptoj unë, kjo ishte diçka që mund të shmangej. Këtë e kanë ndjerë në mënyrë të veçantë njerëzit, të afërmit e viktimave. Të gjithë shqiptarët e ndjejnë. Ka shumë pyetje: Si ndodhi ngjarja? Kush janë përgjegjësit? Për të gjitha këto duhet hetuar në mënyrë të detajuar. Deri tani duket se organi i akuzës ka bërë një punë të mirë. Vetëm me anë të hetimit do të marrin përgjigje pyetjet: Çfarë nuk shkoi? Kur shkuan keq gjërat? Përse dështoi? Kush ishte përgjegjësi? A ishte një gabim njerëzor apo kishte korrupsion? Kjo duhet përcaktuar në përputhje me ligjin. Kjo është thelbësore dhe duhet të dalë në dritë nga mbështetja e të gjithëve dhe në mënyrë krejtësisht të pavarur. Pasi ndërhyrjet e kujtdo qoftë, janë krejtësisht të papranueshme.
A keni vënë re ndërhyrje nga pushtetet e tjera ndaj zyrës së Prokurores së Përgjithshme, duke qenë se çështja e Gërdecit është një minë me sahat për jetën politike dhe publike në Shqipëri.
Deri tani nuk kam vënë re ndonjë ndërhyrje të dukshme. E di që njerëzit flasin për ligjin për Prokurorinë e Përgjithshme dhe e shohin atë si ndërhyrje. Nuk kam ende prova për ndërhyrje direkte. Ndërsa gjëja më e rëndësishme është që askush s‘duhet të tentojë të ndërhyjë.
Ju thoni që askush nuk duhet të ndërhyjë në punët e Prokurores së Përgjithshme, por ne kemi pasur raste kur një komision parlamentar i drejtuar nga kryetarja e Parlamentit po e orientonte Prokuroren se çfarë duhet të hetonte dhe jo.
Sërish po e përsëris, jam krejtësisht i bindur në tezën: kontroll dhe balancë. Si dhe besoj tek pavarësia. Mendoj se organi i akuzës është një organizëm i pavarur dhe duhet të mbetet i tillë dhe duhet lejuar të merret me hetimin. Nëse dikush ndërhyn, kjo është e gabuar.
Janë disa detaje që e bëjnë skeptik opinionin në kuadrin e reformës në drejtësi. Diskutuam shkurtimisht për ligjin e Prokurorisë dhe elementë të tjerë. Çfarë duhet të ndodhë që të eliminohen paragjykimet?
Ajo që është më e rëndësishme është reforma ligjore për këtë vend. Shteti ligjor është baza për çdo demokraci. Nëse nuk sundon ligji, atëherë demokracia nuk mund të funksionojë ashtu siç duhet. Unë mendoj se ka mangësi në sistemin ligjor shqiptar dhe ka nevojë për reformë. Ka një marrëveshje për këtë dhe prandaj reforma po ecën. Por ajo që ka më shumë rëndësi është të garantosh se sistemi ligjor do të shqyrtohet i tëri dhe jo vetëm një pjesë e tij. Duhet të ketë një koherencë në trajtimin e tij. Edhe nëse sistemi reformohet me anë të ligjeve të veçanta, këto ligje kanë nevojë të lidhen mes tyre. Rëndësia kryesore është që të sigurohet se sistemi ligjor të shihet si diçka e pavarur. Të shihet si një organizëm që është përgjegjës për një fushë të funksionimit të shoqërisë shqiptare: Të sigurojë se vendimet që merren janë të duhurat. Ka shumë gabime. Transparenca nuk ekziston në gjykatat aktuale. Nuk janë aq efektive sa duhet. Të gjitha këto duhen riparë në kuadër të kësaj reforme.
Ju përmendët raportin e fundit e Transparency International apo të Bankës Botërore “Doing Bussines in Albania”, ku Shqipëria shënonte progres. Megjithatë, në raportin e TI, Shqipëria nuk mori notë kaluese. Ecuria e deritanishme ju bën optimist se jemi në rrugën e duhur?
Mendoj se jeni në rrugën e mbarë. Është rritur perceptimi se korrupsioni nuk është i pranueshëm. Duhet të vazhdoni më tej. Të tjerë duhet të ndërgjegjësohen se ç‘është korrupsioni. Mendoj se ka një lloj konfuzioni në lidhje me korrupsionin. Mua më duket se në disa raste njerëzit shikojnë, për shembull, bakshishin në restorante si korrupsion. Kjo është diçka e çmendur për një perëndimor. Korrupsion është kur ti paguan dikë për të bërë diçka që ai nuk duhet ta bëjë. Ky është korrupsion. Ndodh në disa fusha. Gjithashtu njeriu nuk duhet të paguajë për shërbime që mund t‘i marrësh falas. Këtë e kemi parë në spitale, për shembull ku janë bërë edhe projekte për të luftuar korrupsionin. Kjo nuk duhet të ndodhë në shërbimin shëndetësor. Nuk kemi nevojë për këtë, për dy arsye: 1. Njerëzit përgjegjës për këtë nuk duhet ta bëjnë. Por në disa raste ata paguhen pak dhe kështu justifikojnë marrjen e ryshfetit. Ata thonë: Na duhen para. Njerëzit duhet të kenë paga të arsyeshme. Por nga ana tjetër duhet të kuptojnë që nuk është e pranueshme marrja e ryshfetit.
Një tjetër element që po diskutohet shumë është ndërhyrja e pushtetit nëpërmjet reformës për shërbimet e fshehta në Shqipëri. Kërkohet që ai t’i bashkëngjitet Kontrollit të Brendshëm të Ministrisë së Brendshme. E shikoni si ndërhyrje në punën e shërbimit të fshehtë, apo është reformë reale?
Sërish u kthyet tek ajo që po thoshim më parë. Shërbimet publike në tërësi nuk duhet të jenë të politizuara. Shërbimi sekret duhet të jetë jo i politizuar, që të ketë mundësi t‘i shërbejë të gjitha qeverive në çdo kohë. Nëse ata vendosin të mos e bëjnë këtë, por të politizohen, nëse qeveria vendos ta politizojë, ky është një problem. Gjëja më e rëndësishme është të gjesh shërbimin e duhur. Të gjesh administrimin e duhur. Të kuptohet se shërbimi ndaj shtetit nuk do të thotë detyrimisht shërbim ndaj qeverisë në pushtet, sepse qeveria në pushtet është një parti politike. Kur ajo është në pushtet përfaqëson shtetin. Është e rëndësishme që ajo çka do qeveria nga pikëpamja politike të kryhet. Por sistemi në tërësi nuk duhet të kontrollohet nga asnjë parti politike.
Zoti ambasador, ju e përmendët që ëndrra e çdo shqiptari është anëtarësimi i Shqipërisë në BE. E shikoni si proces afatgjatë apo nga perceptimi juaj, mund të vendosni edhe një afat kohor se kur mund të ndodhë ai?
Jo, unë nuk mund të vendos një kufi kohor. Fakti është se Shqipëria do të ecë aq shpejt sa do të mund të ecë. Mendoj se vendimet duhet të merren këtu në Shqipëri. Mendoj se Shqipëria po ecën në rrugën e duhur. Ndonjëherë jam i mendimit se mund të ecë edhe më shpejt. Mendoj se ka më shumë mënyra për t‘u përmirësuar. Po flisnim për zgjedhjet pak më parë. Transparenca në zgjedhje dhe në gjithçka është shumë e rëndësishme. Jam i zhgënjyer, sepse ne u përpoqëm të krijonim një projekt sondazhi për opinionin publik. Kjo u përball me vështirësi, pasi të dy kampet politike nuk e përkrahën dhe dhanë arsye të ndryshme për këtë. Por unë nuk e kuptoj këtë. Sepse transparenca në gjithçka, sidomos zbulimi i asaj ç‘ka duan apo mendojnë njerëzit, është shumë me rëndësi. Nëse nuk arrihet kjo, atëherë BE-ja do të thotë: Prisni pak! Ju po thoni gjithnjë gjërat e duhura, por jo gjithnjë po i bëni ato. Duhet t‘i bëni të dyja.